Drejtësia në zgjedhjet 2013

Drejtësia në zgjedhjet 2013

Drejtësia në zgjedhjet 2013

Prishtinë, 30 dhjetor 2013 – Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) në mbështetje të Ambasadës Britanike në Prishtinë, ka monitoruar përgjigjet e institucioneve të drejtësisë në lidhje me veprat penale kundër të drejtave të votimit qysh prej gushtit 2013 deri në publikimin e këtij raporti. Duhet theksuar se përveç monitorimit, IKD në vazhdimësi ka përkrahur Koordinatoren Nacionale për zgjedhjet 2013 në Prokurori të Shtetit (PSH) në përgatitje për të siguruar hetim dhe ndjekje efikase, përfshi thellimin e bashkëpunimit ndër-institucional, ngritjen e standardit të hetimeve, thellimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të drejtësisë dhe qytetarëve të Republikës së Kosovës, përmes sensibilizimit të opinionit në lidhje me format e bashkëpunimit për të parandaluar dhe luftuar kryesit e veprave penale kundër të drejtave të votimit. IKD vlerëson qasjen, standardin dhe angazhimin e organeve të sigurisë dhe ndjekjes në lidhje me veprimtarinë penale kundër të drejtave të votimit. Në të gjitha këto aspekte, PSH dhe Policia e Kosovës (PK) kanë shënuar progres, gjithnjë duke krahasuar hetimin dhe ndjekjen e krimeve në zgjedhjet 2010 dhe zgjedhjeve të organizuara përpara kësaj date.

Një nga shqetësimet e mëdha është çështja e pavarësisë dhe paanshmërisë së gjykatësve dhe prokurorëve në këto raste. Shqetësimet ngritën pasi që një numër i prokurorëve kanë hequr dorë nga kërkesa e tyre fillestare për caktimin e masës për paraburgim vetëm pak orë para se të hyjnë në seancën e shqyrtimit. Këto veprime lënë hapësirë për të dyshuar në ndikimet e mundshme nga jashtë të cilat cenojnë pavarësinë dhe paanshmërinë në vendimmarrje. Në anën tjetër një numër i gjykatësve kanë vendosur për masa më të buta se ato me paraburgim duke vendosur kështu një praktikë e cila nuk ka ekzistuar më parë. Gjithashtu, gjykatësit kanë shqiptuar dënime me kusht në instancën e parë për veprat penale “Kanosje të kandidatit” dhe “Dhënia dhe marrja e ryshfetit në lidhje me votimin”, që nuk janë aspak në përputhje me dëmet e shkaktuara nga këto vepra penale dhe nuk përmbushin qëllimin e dënimit të shprehur në ligjet e Republikës së Kosovës. 11 veprat penale që sanksionojnë veprimet kriminale që ndërlidhen me zgjedhjet në Kodin Penal përkufizojnë mjaftueshëm të gjitha veprimet dhe mënyrat e kryerjes së këtyre veprave penale rreth procesit të zgjedhjeve dhe të drejtave të votimit në Kosovë.

Bashkëpunimi ndër-institucional është thelluar me nënshkrimin e një memorandumi bashkëpunimi në mes të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), PK-së, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) dhe Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP). Ky bashkëpunim ka dhënë rezultate konkrete gjatë gjithë procesit të zgjedhjeve. Arritja më e madhe e këtij memorandumi ishte krijimi i Procedurave Standarde të Veprimit (PSV) në mes të PSH-së dhe PK-së. PSV-të kanë saktësuar veprimet për hetim dhe ndjekje efikase të veprave që ndërlidhen me zgjedhjet, gjithnjë duke u bazuar në mësimet e nxjerra nga e kaluara dhe përvojat më të mira bazuar në ligjet në fuqi. PSV-të kanë qenë trungu i bashkëpunimit efikas të paparë deri më tani sa i përket hetimit dhe ndjekjes së krimeve të caktuara në Kosovë.

Në përgjithësi, rezultatet pozitive të treguara në koordinimin ndërmjet institucioneve të drejtësisë kanë ndikuar drejtpërdrejtë në mbarëvajtjen e përgjithshme të zgjedhjeve, të cilat janë vlerësuar si nga vendorët ashtu dhe nga ndërkombëtarët si zgjedhjet më të mira të organizuara pas luftës në Kosovë.

Deri më tani janë 54 raste me 122 persona të cilat janë duke u hetuar nga prokurorët, në mesin e tyre 58 persona zyrtarë (48 komisionerë). Prokurorët për të gjitha këto raste, kanë ngritur 19 aktakuza, kundër 32 personave. Gjykatat kanë nxjerrë 2 aktgjykime ndaj 3 personave. Këto veprime të prokurorëve dhe gjykatësve paraqesin periudha rekorde të zgjidhjes së rasteve të natyrës së tillë.

Veprat penale që ndërlidhen me zgjedhjet janë mjaftë të ndërlikuara dhe se format e ndryshme që ekzistojnë në Kosovë krijojnë hapësirë për manipulime që paraqesin sfidë të madhe për organet e drejtësisë. IKD vlerëson se ndërlidhja e punësimit në administratën publike dhe përkrahja për partinë e caktuar politike është vetëm një nga krimet të cilat është vështirë të zbulohet duke pasur parasysh se premtimet dhe planifikimet bëhen në katër sy dhe në mes personave që kanë nivel të lartë të besimit në mes vete. Po ashtu, sfidë ende mbeten disa aspekte të cilat mund të jetë edhe herët të vlerësohen sikurse që është hetimi i financimit të aktiviteteve të partive politike.