Kundër reagim i IKD: PSRK tenton të krijojë amulli përballë dështimit të saj, të konstatuar nga gjykata

Kundër reagim i IKD: PSRK tenton të krijojë amulli përballë dështimit të saj, të konstatuar nga gjykata

Kundër reagim i IKD: PSRK tenton të krijojë amulli përballë dështimit të saj, të konstatuar nga gjykata

Prishtinë, 9 shtator 2022 – Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) ka reaguar ndaj raportit “Performanca e sistemit të drejtësisë në trajtimin e krimeve serioze”, të publikuar nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) më 7 shtator 2022.

Pjesa e raportit, për të cilën ka reaguar PSRK, ka të bëjë me refuzimin e aktakuzës nga ana e Gjykatës Themelore në Prishtinë. Sipas arsyetimit të Gjykatës, kjo aktakuzë është refuzuar për shkak se prokurori që kishte ngritur këtë aktakuzë, Blerim Isufaj, nuk kishte nxjerrë aktvendim për fillimin e hetimeve. Në raportin e publikuar nga IKD më 7 shtator 2022, është elaboruar ky vendim gjyqësor.

Në reagimin e PSRK tregohet rrjedha procedurale e këtij rasti, i cili nuk është objekt i pjesës së raportit për të cilën PSRK reagon. Por, sa i përket objektit të kësaj çështje (vendimit të gjykatës që konstaton mungesën e aktvendimit për fillimin e hetimeve), PSRK thotë se “ndërsa lënda tjetër, pas ankesës së prokurorit, ende është në shqyrtim në Gjykatën e Apelit, prandaj PSRK-ja rezervohet të deklarohet pa përfunduar procedura gjyqësore…”

Në këtë reagim, po ashtu thuhet se “…këto sqarime në mënyrë të detajuar i janë dhënë edhe Institutit të Kosovës për Drejtësi në komentet që janë bërë nga ana e PSRK-së në draftraport, por të cilat nuk janë përfshirë fare në raport…”. Gjatë fazës së draftimit të raportit në fjalë, IKD para publikimit e ka dërguar raportin për komente tek të gjithë akterët relevantë, përfshirë edhe PSRK. Lidhur me çështjen konkrete, komentet e PSRK kane treguar të dhëna të ndryshme sa i përket rrjedhës procedurale të këtij rasti. Por, nuk kanë dhënë përgjigje lidhur me çështjen kruciale për këtë çështje: vendimin e gjykatës që konstaton se në rastin konkret nuk është nxjerrë aktvendim për fillimin e hetimeve. Komenti i PSRK përfundon me “[p]ërkundër faktit se PSRK planifikon të parashtrojë Ankesë ndaj Aktgjykimit të Gjykatës së shkallës së parë në bazë të te cilit ndaj të akuzuarit Adam Nezaj është marrë Aktgjykim refuzues në bazë të nenit 363 të KPP-së, tani për tani PSRK nuk e komenton Vendimin e Gjykatës ngase është në kundërshtim me parimin e sundimit të ligjit komentimi i vendimeve të Gjykatës nga ana e Prokurorisë, sidomos në rastet kur vendimi nuk është i formës së prerë”. Pra, PSRK fillimisht nuk ka dhënë komente për vendimin e gjykatës që konstaton mungesën e aktvendimit për fillimin e hetimeve si dhe po ashtu nuk ka treguar se kjo lëndë është në Gjykatën e Apelit, por vetëm se planifikohet të ushtrohet ankesë.

Ky reagim i PSRK paraqet tendencë për të krijuar amulli në këtë rast duke mbuluar faktet. Aktgjykimi i Departamentit Special të Gjykatë Themelore në Prishtinë nënvizon se: “Përfundimisht aktakuza PPS.nr.54/19 ndaj të akuzuarit Adam Nezaj, është ngritur pa aktvendim për fillimin e hetimeve dhe pa aktvendim për zgjerimin e hetimeve, pra pa hetim të veprës penale për të cilën është akuzuar sipas kësaj aktakuze”.

As në reagim dhe as në komentet e dërguara, PSRK nuk ka dhënë përgjigje për këtë vendim gjyqësor, me arsyetimin se ata nuk mund të komentojnë vendimet gjyqësore. Arsyetimet e PSRK nuk mund të merren si të mirëqena nga IKD, përderisa të kundërtën e tyre e ka thënë një vendim gjyqësor, të cilin e ka cituar IKD. Për më tepër, nëse PSRK e ka të ndaluar të komentojë vendimet gjyqësore, IKD nuk e ka të ndaluar ti raportojë ato. Kështu, raporti i IKD si burim të çështjes në fjalë merr vendimin gjyqësor të një departamenti të specializuar, saktësia e citimit të të cilit nuk është kontestuese.

Për këto arsye, raporti në fjalë është draftuar në mënyrë tejet profesionale, duke përdorur burime të besueshme hulumtimi (vendimin gjyqësor) dhe çështja në fjalë nuk përmban asnjë pasaktësi.

Në anën tjetër, çështja për të cilin ka reaguar PSRK nuk është publikuar për herë të parë në këtë raport. Fillimisht, ky rast është raportuar në “Betimi për Drejtësi” më 14 janar 2022, në ditën kur është shpallur aktgjykimi refuzuar për këtë rast. Pas këtij raportimi, as PSRK dhe as prokurori që kishte ngritur këtë aktakuzë, njëherit Kryeprokurori Special i PSRK, Blerim Isufaj, i cili përmes një procesi me integritet të kontestuar është propozuar për Kryeprokuror të Shtetit, nuk ka reaguar ndaj këtij lajmi. Për më tepër, redaksia e “Betimi për Drejtësi” më 17 janar 2022 dhe 27 janar 2022 ka kërkuar sqarime nga prokurori Isufaj përkitazi me këtë rast, por se asnjëherë nuk ka marrë përgjigje. Arsyen e reagimit në këtë kohë, ndaj një vendimi gjyqësor të raportuar para rreth 8 muajve, IKD nuk e di.

Tutje, në reagimin e saj, PSRK thotë se “Konsiderojmë se raporte të tilla, të cilat iu referohen rasteve në mënyrë selektive dhe veçanërisht rasteve, të cilat janë ende në proces gjyqësor, e aq më tepër kur nuk trajtojnë as argumentet kundërshtuese të paraqitura nga palët, në asnjë rrethanë nuk i shërbejnë hulumtimit dhe analizës profesionale të punës së institucioneve të drejtësisë, por vetëm dezinformimit dhe pasqyrimit të njëanshëm të çështjes, duke tentuar të njolloset puna e prokurorëve për interesa të kujtdoqoftë”. Siç u tha, PSRK nuk ka dhënë përgjigje ndaj vendimit gjyqësor, me arsyetimin se nuk mund të komentoj vendimet gjyqësore. Në këtë situatë, përderisa faktet janë të sakta, IKD i rikujton PSRK-së se nuk është ajo kompetentja për të përcaktuar politikat hulumtuese dhe redaktoriale të shoqërisë civile dhe mediave. Ky fakt, duket se nuk është kuptuar mjaftueshëm nga PSRK. Me këtë rast, duhet theksuar faktin se reagimi i PSRK merret vetëm me çështje në fjalë dhe nuk tregon faktin se një pjesë e konsiderueshme e komenteve të PSRK-së, janë adresuar në këtë raport.

Në vijim të këtij reagimi, gjeni bashkangjitur edhe pjesën e aktgjykimit të Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë që konstaton mungesën e aktvendimit për fillimin e hetimeve në këtë rast. Po ashtu, gjeni bashkangjitur edhe aktgjykimin e plotë të nxjerrë nga gjykata.