Prishtinë, 10 shtator 2022 – Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) reagon ndaj gjuhës së akterëve qeveritarë mbi sistemin gjyqësor dhe prokurorial, e cila gjuhë paraqet ndërhyrje dhe cenim të pavarësisë së këtij sistemi, i cili sipas Kushtetutës dhe ligjeve të aplikueshme në Kosovë është i pavarur nga pushteti legjislativ dhe ai ekzekutiv.
Akterët qeveritarë përmes deklaratave publike janë duke kritikuar gjyqësorin për qasje selektive në trajtimin e lëndëve, derisa publikisht kërkohet llogari dhe dorëheqje të akterëve të caktuar brenda sistemit prokurorial. Deklarimet e kësaj natyre të akterëve qeveritarë ndaj gjyqësorit qartazi paraqesin ndërhyrje në sistemin e drejtësisë.
Fillimisht, IKD thekson faktin se shqetësimet e ngritura lidhur me sistemin e drejtësisë në Kosovë nga krerët qeveritarë janë theksuar vazhdimisht nga IKD, shoqëria civile dhe raportet ndërkombëtare. IKD në vazhdimësi ka publikuar raporte analitike të bazuara në dëshmi lidhur me qasjen selektive të gjykatësve dhe prokurorëve, përfshirë këtu mungesën e llogaridhënies, integritetit dhe instalimit të kulturës së pandëshkueshmerisë. Dështimi i vazhdueshëm i mekanizmave të brendshëm të kontrollit të sistemit të drejtësisë dhe mungesa e rezultateve në luftën kundër korrupsionit të profilit të lartë dhe krimit të organizuar është arsyeja kryesore pse zhvillimi i procesit të vetingut përmes ndryshimeve kushtetuese mbetet i pa alternativë.
Por, përderisa kritika të kësaj natyre mund të vinë nga publiku, mediat dhe shoqëria civile, po të njëjtat kritika në rastet kur vinë nga pushteti ekzekutiv paraqesin ndërhyrje në sistemin e drejtësisë. Me këtë rast, akterët qeveritarë duhet ta kenë parasysh se duhet të veprojnë dhe sillen në bazë të kompetencave që ata kanë dhe nuk mund ta marrin rolin e mediave dhe shoqërisë civile.
Në aspektin kushtetues, Qeveria nuk e ka asnjë kompetencë të vetme për të kërkuar llogari nga gjyqësori, i cili vet administrohet dhe nuk i jep llogari askujt. Duke vepruar në këtë mënyrë, akterët qeveritarë po veprojnë jashtë kompetencave të tyre dhe po shkelin parimin e ndarjes së pushteteve, duke dëshmuar mungesë të respektit edhe ndaj Kushtetutës si akti më i lartë juridik në Republikën e Kosovës.
Siç është theksuar nga Komisioneri për të Drejtat e Njeriut, kundërshtimet e shprehura nga akterët politikë nxisin diskurse toksike të diskutimit ndaj gjyqësorit. Sipas Komisionerit për të Drejtat e Njeriut “…në demokraci, qeveritë e zgjedhura nuk kanë monopolin e legjitimitetit. Ata e ndajnë atë me gjyqësorin, i cili për të përmbushur mandatin e tij si garantues i të drejtave të njeriut, duhet të mbetet indiferent ndaj ndryshimit të pushtetit”.
Raporti i Komisionit Evropian për Kosovën për vitin 2021 nënvizon se “Administrimi i përgjithshëm i drejtësisë vazhdon të jetë i ngadaltë, joefikas dhe i rrezikuar nga ndikimi i tepërt politik”. Nënvizime të tilla në raport me sistemin kosovar të drejtësisë rrezikojnë të përsëriten edhe në raportet pasuese, nëse akterët qeveritarë nuk përmbahen nga një gjuhë e tillë.
Në anën tjetër, siç është rekomanduar në vazhdimësi nga IKD, për shkak të integritetit tanimë të kontestuar të sistemit të drejtësisë, Qeveria dhe Kuvendi duhet të vazhdojnë punën e tyre për zhvillimin e procesit të vetingut në sistemin e drejtësisë, i cili proces duhet të bëhet me ndryshime kushtetuese. Përmes këtij procesi, synohet që sistemit të drejtësisë ti kthehet integriteti dhe besimi i publikut. Ndërsa, deklaratat e ekzekutivit në drejtim të pushtetit gjyqësor, gjatë kohës së ndërtimit të infrastrukturës kushtetuese dhe ligjore për zhvillimin e procesit të vetingut, e cenojnë në thelb këtë proces dhe vënë dyshime mbi qëllimin legjitim që ka procesi i vetingut.
Kështu, deklarimet e kësaj natyre për raste të veçanta në sistemin e drejtësisë, paraqesin qartazi ndërhyrje në punën e gjyqësorit, tejkalim të kompetencave kushtetuese dhe shkelje të standardeve të mira ndërkombëtare. Për këtë arsye, IKD i rekomandon akterëve qeveritarë që të vazhdojnë me procesin e vetingut por që të kufizohen në deklarimet e kësaj natyre në publik, të cilat paraqesin ndërhyrje në drejtësi dhe nxisin diskurs toksik.