Korrupsioni në Kosovë: Luftimi apo promovimi i korrupsionit

Korrupsioni në Kosovë: Luftimi apo promovimi i korrupsionit

Shkarko Dokumentin:
Korrupsioni në Kosovë: Luftimi apo promovimi i korrupsionit

PËRMBLEDHJE EKZEKUTIVE

Korrupsioni në Kosovë është endemik. Kosova vuan nga mungesa e vullnetit për të luftuar korrupsionin në praktikë në të gjitha hallkat e pushtetit. Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) dhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK)kanë vazhduar me miratimin e Planeve të Veprimit për të trajtuar me prioritet absolut lëndët e korrupsionit.

Luftimi i korrupsionit të nivelit të lartë mbetet retorikë, përderisa rezultatet konkrete mungojnë. Të gjitha këto vlerësime IKD i mbështetë në monitorimin e përditshëm të rasteve të korrupsionit nëpër prokurori dhe gjykata.

Subjekt i hetimeve dhe ngritjes së aktakuzave për korrupsion, vazhdojnë të mbesin personat e profilit ulët, eventualisht të mesëm, dhe personat të cilët janë zhveshur nga pushteti apo përkrahja politike. Të rralla janë rastet kur ngritën aktakuza për profilet e larta të korrupsionit, sidomos ato që ndërlidhen me politikan apo njerëz të fuqishëm të biznesit. Vendimet apo emërimet politike dhe të kundërligjshme nga pushteti legjislativ dhe ai ekzekutiv, të denoncuara nga shoqëria civile dhe mediet, nuk hetohen nga organet e ndjekjes. Nuk hetohen as rastet e shkeljes së ligjit apo veprimeve korruptive, të cilat raportohen përditë për bartësit e funksioneve gjyqësore dhe prokuroriale. Mungesa e guximit dhe vullnetit për të hetuar këto kanë instaluar raste tanimë kulturën e  pandëshkueshmërisë. Një qasje e tillë promovon korrupsionin dhe aktivitetet kriminale brenda dhe jashtë sistemit të drejtësisë. Ende mungon dora e shtetit për të luftuar këtë dukuri të dëmshme që drejtpërdrejtë ndikon në mirëqënien e qytetarëve, mungesën e zhvillimit ekonomik, investimet e huaja dhe vështirëson rrugën e Kosovës drejtë Bashkimit Evropian. Pushteti gjyqësor dhe prokurorial, ende nuk janë duke gjetur guximin për të ushtruar kompetencat kushtetuese dhe ligjore, për të kontrolluar dhe mbikëqyrur dy pushtetet tjera. Kontrolli dhe balanci në mes të pushteteve i garantuar me Kushtetutën e Kosovës, në praktikë nuk po gjen zbatim.

Aktet procedurale të hetimit, ndjekjes dhe akuzimit të personave të profileve të ndryshme për vepra penale të korrupsionit, nuk është se kanë munguar kohë pas kohe. Por, rezultati përfundimtar vazhdimisht ka munguar. Edhe atëherë kur shndërrohen në aktakuza, rrëzohen në gjykata, ose nëse dënohen, dënimi jepet me kusht edhe pse konstatohet se dëmet e shkaktuara kapin shifra milionëshe. Gjitha këto kanë ndikuar drejtpërdrejtë në humbjen e besimit të qytetarëve në sistemin e drejtësisë. Sipas Pulsit Publik të UNDP-së, rezulton se kënaqshmëria e qytetarëve me punën e sistemit gjyqësor dhe prokurorial në periudhën mars – shtator 2015 ka shënuar rënien më të madhe të të gjitha kohërave, duke mos arritur as 15.0%.

Sistemi prokurorial

Sistemi prokurorial  për herë të parë nga viti 2014, ka arritur që tremujorin e fundit të vitit 2015, ta përfundojë me numër më të vogël të rasteve të pazgjidhura të korrupsionit dhe personave të përfshirë në këto raste. Për herë të parë që nga hyrja në fuqi e Planit të Veprimit më 4 nëntor 2013, pothuajse të gjitha PTh-të dhe PSRK, gjatë tre mujorit të fundit të vitit 2015, kanë arritur që të zgjidhin numrin më të madh të rasteve të korrupsionit dhe personave të përfshirë në to, në raport me numrin e rasteve dhe personave të pranuara në punë për të njëjtën periudhë kohore.

Edhe në këtë periudhë raportuese (tetor, nëntor, dhjetor 2015) paraqitet si karakteristikë mënyra e zgjidhjes së rasteve nga prokurorët. Në përqindje rezulton se prokurorët në rastet e zgjidhura të korrupsionit ndaj 374 personave, ndaj 66.31% të personave i kanë mbyllur rastet, ndërsa ndaj 33.69% kanë ngritur aktakuza. Përqindja prej 66.31 përqind të rasteve të mbyllura mbetet shqetësuese lidhur me kualitetin e parashtruesve të kallëzimeve penale apo të profesionalizmit të prokurorëve në trajtimin e tyre.

IKD ka vazhduar monitorimin e publikimit të informatave në uebfaqen e Prokurorit të Shtetit për këtë periudhë raportuese, lidhur me ngritjen e aktakuzave ndaj kryesve të veprave penale të korrupsionit. Prokurori i Shtetit ka marr me seriozitet kritikat e IKD-së nga raporti i fundit lidhur me zbatimin e drejtësisë selektive në publikimin e informatave për persona dhe pozita të ndryshme, duke aplikuar standarde të dyfishta. Gjatë këtij tremujori të gjitha informatat e publikuara nga PSh kanë qenë uniforme dhe në pajtim me ligjin.

Përkundër miratimit të politikave në luftimin e korrupsionit, trendi i lëndëve të pazgjidhura të korrupsionit në sistemin prokurorial vazhdimisht ka shënuar rritje. Në janar 2015, Prokuroritë kanë pasur në punë 520 raste të pazgjidhura të korrupsionit me 1556 persona, ndërsa në dhjetor 2015 kanë mbetur 538 raste të pazgjidhura me 1640 persona. Kjo dëshmon për mungesën e vullnetit dhe përkushtimit të sistemit prokurorial në zbatimin e politikave për luftimin e korrupsionit.

Fenomen shqetësues mbetet parashkrimi i rasteve të korrupsionit, si në prokurori, ashtu edhe në gjykata. Në tre mujorin e fundit të vitit 2015, IKD ka identifikuar 7 raste të korrupsionit të parashkruara në sistemin prokurorial përfshi: 4 raste në PTh në Prishtinë, 1 rast në PTh në Gjakovë, 1 rast në PTh në Mitrovicë dhe 1 rast në PTh në Prizren. Gjithashtu, gjatë monitorimit, IKD ka gjetur një varg shkeljesh në lidhje me mos respektimin e afateve ligjore të përcaktuara në Kodin e Procedurës Penale.

Llogaridhënia brenda sistemit të drejtësisë vazhdon të mbetet sfidë. Është instaluar një kulturë e pandëshkueshmërisë. Prej hyrjes në fuqi e Planit të Veprimit më 4 nëntor 2013 deri më 31 dhjetor 2015, IKD ka publikuar 7 raporte të monitorimit dhe një raport analitik të thuktë rreth dështimeve dhe sfidave që kanë prokuroritë në trajtimin e rasteve të korrupsionit. Gjetjet e IKD-së të evidentuara në rastet e korrupsionit të trajtuara nga prokurorët, kanë shërbyer për ZPD-në, e cila sipas detyrës zyrtare, ka filluar hetime preliminare në 149 raste. Prej tyre 42 lëndë apo raste të korrupsionit janë përfshirë në hetime disiplinore, 9 raporte janë dërguar nga ZPD në Komisionin Disiplinor të KPK-së për procedurë disiplinore. ZPD gjatë vitit 2014 dhe 2015, ka dërguar në Komisionin Disiplinor të KPK-së, 25 raporte për shkelje të supozuara nga prokurorët. Prej këtyre 25 rasteve, 9 raste janë si rezultat i gjetjeve të IKD-së në raportet e publikuara. Që në përqindje i bie që 36% të raporteve të paraqitura nga ZPD në Komisionin Disiplinor të KPK-së, janë si rezultat i gjetjeve të IKD-së.

Vetëm nga raporti i fundit i IKD-së, i cili është publikuar më 10 dhjetor 2015, ZPD ka përfshirë 56 lëndë në hetime preliminare, prej të cilave 12 lëndë për parashkrim të veprave penale të korrupsionit kurse 44 lëndë tjera për shkak të shkeljeve të afateve ligjore.

Sistemi gjyqësor

Monitoruesit e IKD-së, prej 1 korrikut 2015 deri më 31 mars 2016 kanë monitoruar 729 seanca gjyqësore, ku përfshihen 474 raste të korrupsionit me 1085 persona. Në fokus të këtij raporti janë rastet e korrupsionit të monitoruara në tremujorin e fundit të vitit 2015, ku përfshihen 278 seanca gjyqësore me 162 raste të korrupsionit me 379 persona.

IKD gjatë monitorimit ka gjetur në shumë raste parregullësi, duke përfshirë mos respektimin e afateve ligjore në trajtimin e rasteve të korrupsionit në të gjitha hallkat e sistemit të drejtësisë, si zvarritjet në polici, prokurori dhe gjykata. Nga 278 seanca të monitoruara, 237 prej tyre janë mbajtur, ndërkaq si pasojë e mosplotësimit të kushteve ligjore për mbajtjen e seancave 41 prej tyre janë shtyrë. Arsyet e shtyrjes janë të ndryshme, duke filluar prej mungesës së të pandehurve, mosdorëzimit të shkresave shkresave të lëndës nga Prokuroria, mungesës së prokurorëve, trupit gjykues, avokatëve, palëve të dëmtuara dhe kërkesave të palëve në procedurë.

IKD gjatë monitorimit të rasteve të korrupsionit në Prokurori dhe Gjykata ka vërejtur në praktikë fenomenin e zvarritjes së dërgimit të aktakuzave nga prokurorët në Gjykata. IKD ka identifikuar shtatë (7) raste të korrupsionit ku prokurorët kanë ngritur aktakuzat, ndërsa janë vonuar deri në 436 ditë për t’i dorëzuar të njëjtat në Gjykatë. IKD vlerëson se kjo më së paku përbën neglizhencë të prokurorëve, e cila duhet të hetohet nga mekanizmat e llogaridhënies.

Nga 128 rastet e monitoruara, Gjykatat kanë shpallur 29 aktgjykime për rastet e korrupsionit. Pothuasje në secilën fazë të procedurës penale, nuk respektohen afatetligjore të përcaktuara në Kodin e Procedurës Penale. Koha më e shkurtë e trajtimit të rastit të korrupsionit nga koha e paraqitjes së kallëzimit penal deri në shpallje të aktgjykimit është 264 ditë, përderisa rasti që ka marr më së shumti kohë deri në shpallje të aktgjykimit është 4144 ditë apo mbi 11 vjet. Ndërsa, kohëzgjatja prej ngritjes së aktakuzës deri në shpalljen e aktgjykimit, në rastin më të mirë të monitoruar, ka marrë marrë kohë 146 ditë, ndërsa rasti që ka marr më së shumti kohë është në 1878 ditë apo mbi 5 vjet.

IKD gjatë monitorimit të 29 aktgjykimeve të shpallura në shkallë të parë nga Gjykatat, vlerëson se politika e dënimeve në rastet e korrupsionit është e butë. Gjykatësit kanë shqiptuar 29 aktgjykime ndaj 67 persona të akuzuar. Prej tyre gjykatësit kanë dënuar me burg efektiv 13 persona (apo 19.40%), ndaj 12 personave kanë shqiptuar dënime me kusht (apo ndaj 17.91%), ndërsa kanë liruar 30 persona (apo 44.77%).

Edhe në rastin e gjykatave përqindja e personave ndaj të cilëve shqiptohen aktgjykime liruese kalon mbi 50%. Edhe kjo është dëshmi se kualiteti i ndjekjes penale është shumë i ultë. IKD vazhdimisht në raportet e saj ka raportuar se një shkallë kaq e lartë e hudhjes së kallëzimeve penale dhe e aktakuzave, në praktikë dëshmon më shumë persekutimin se sa luftimin apo ndëshkimin e kryesve të veprave penale të korrupsionit.

 Gjykatësit në rastet ndaj 67 personave ndaj të cilëve është marr aktgjykim në shkallë të parë, ndaj 13 personave kanë marr aktgjykim me dënim me burg, në total prej njëzetekatër (24) viteve për të gjithë personat e dënuar. Ndaj 12 personave kanë shqiptuar dënime me kusht prej 160 muajve. Dënime me gjobë dhe dënime me burg që janë zëvendësuar me gjobë, në total kapin shumën prej 10850 eurove. Gjykatësit ndaj 30 personave kanë shqiptuar aktgjykim lirues, dhe ndaj 6 personave kanë hudhur aktakuza për shkak të arritjes së afatit të parashkrim.

IKD pa dashur të komentoj meritën e vendimmarrjes në rastet gjyqësore të korrupsionit, shpreh shqetësimin se politika ndëshkimore që zbatohet nga gjykatësit në rastet e korrupsionit, nuk është duke dërguar mesazh të qartë te kryesit potencial të këtyre veprave penale. Praktika e tillë ndëshkimore, duke shqiptuar dënime të buta më burg apo dënime me kusht dhe me gjobë, përçon mesazh negativ tek qytetarët dhe publiku. Këto dënime të buta assesi nuk mund të arrijnë qëllimin, qoftë atë të karakterit preventiv apo ndëshkimor. IKD gjatë monitorimit të 162 rasteve të korrupsionit ka gjetur se prokurorët në raste shumë të rralla zbatojnë në praktikë dispozitat ligjore që kanë të bëjne me kërkesat për sekuestrim apo konfiskim ndaj kryesve të veprave penale të korrupsionit. Gjatë kësaj periudhe janë identifikuar raste të kërkesave për sekuestrim dhe konfiskim të bazuara kryesisht në mjete apo gjësende të cilat kanë shërbyer për kryerjen e veprës penale, por assesi nuk janë zbatuar dispozitat, që synojnë të kthejnë pasuritë e fituara përmes aktiviteteve korruptive.

 

REKOMANDIMET E ZBATUARA

REKOMANDIMET E ZBATUARA NGA MINISTRIA E DREJTËSISË DHE KUVENDI I KOSOVËS

 

  • Ministria e Drejtësisë dhe Kuvendi i Kosovës kanë zbatuar rekomandimin e IKD-së, lidhur me zgjedhjen e shumicës së anëtarëve të KGJK-së nga gjyqësori, me qëllim të ngritjes së pavarësisë së sistemit gjyqësor nga ndërhyrjet e pushtetit ekzekutiv dhe legjislativ. Ky rekomandim është zbatuar përmes amendamentit 25 të Kushtetutës, miratuar në muajin shkurt 2016.

 

REKOMANDIMET E ZBATUARA NGA SISTEMI I GJYQËSOR KOSOVËS

 

  • KGJK ka zbatuar rekomandimin e IKD-së, lidhur me hartimin e Planit të Veprimit për zgjidhjen e rasteve të korrupsionit në gjykata me prioritet.

 

  • KGJK ka zbatuar pjesërisht rekomandimin e IKD-së lidhur me monitorimin e Gjykatave Themelore në zbatimin e obligimeve që dalin nga Plani i Veprimit.

 

  • Gjykatat Themelore pjesërisht kanë zbatuar rekomandimin e IKD-së lidhur me ngritjen e transparencës me publikun, mediet dhe shoqërinë civile që monitorojnë rastet e korrupsionit.

 

  • Gjykata Themelore në Prishtinë ka zbatuar rekomandimin e IKD-së për trajtimin e rasteve të korrupsionin me prioritet absolut.

 

REKOMANDIMET E ZBATUARA NGA SISTEMI PROKURORIAL

 

  • Këshilli Prokurorial i Kosovës ka zbatuar rekomandimin e IKD-së lidhur me shpalljen e konkursit për Kryeprokuror të  Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.

 

  • KPK ka zbatuar pjesërisht rekomandimin e IKD-së lidhur me plotësim ndryshimit të Planit të Veprimit për ngritjen e Efikasitetit të Sistemit Prokurorial në Luftimin e Korrupsionit. Plani Strategjik dhe Plani i Veprimit i miratuar nga KPK në fund të vitit 2015, është në kundërshtim me ligjin e aplikueshëm, praktikat dhe standardet ndërkombëtare dhe i njëjti nevojitet të rishikohet urgjent nga KPK.

 

  • Prokuroria Themelore në Prishtinë ka zbatuar rekomandimin e IKD-së për hartimin e Planit të Veprimit për Ngritjen e Efikasitetit të kësaj prokurorie në trajtimin e rasteve të korrupsionit. IKD në bashkëpunim me Kryeprokurorin e PTh në Prishtinë kanë hartuar Planin e Veprimit, i cili është miratuar në kolegjiumet e kësaj prokurorie në gusht 2015. Si rezultat i këtij Plani të Veprimit dhe zbatimit në praktikë, në tremujorin e fundit të vitit 2015, është rritur performanca e kësaj prokurorie në trajtimin e rasteve të korrupsionit ka prodhuar rezultate konkrete.

 

REKOMANDIMET: 

REKOMANDIM PËR MINISTRINË E DREJTËSISË

 

  • Ministria e Drejtësisë rekomandohet të themeloj grup punues të përbërë me  përfaqësues të MD-së, KGJK-së, KPK-së, gjykatës dhe prokurorë me përvojë, ekspert të jashtëm me përvojë dhe ekspertizë nga e drejta penale, ekspertë nga shoqëria civile për rishikimin e drejtësisë penale.

 

REKOMANDIMET PËR KËSHILLIN GJYQËSOR TË KOSOVËS

 

  • KGJK rekomandohet të shpall pozitat e lira për gjykatës për të gjitha nivelet e Gjykatave në Kosovë. Gjatë shpalljes së pozitave për gjykatës, KGJK duhet t’i kushtojë rëndësi të veçantë plotësimit të pozitave për gjykatës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, e cila ka numrin më të madh të lëndëve penale dhe korrupsionit në tërë territorin e Kosovës.

 

  • KGJK dhe Gjykatat rekomandohet të përmbushin me përpikmëri obligimet në trajtimin e rasteve të korrupsionit sipas afateve dhe obligimeve të përcaktuara në Plan të Veprimit.

 

  • KGJK rekomandohet që të ndërtoj dhe fuqizoj mekanizmat e saj të brendshëm në monitorimin dhe mbikëqyrjen e Gjykatave lidhur me zbatimin e obligimeve të përcaktuara me ligj dhe akte të KGJK-së, me theks të veçantë në trajtimin e rasteve të korrupsionit.

 

  • Gjykata e Apelit rekomandohet të krijojë politika adekuate ndëshkimore dhe t’i unifikojë ato lidhur me veprat penale të korrupsionit.

 

  • Gjykata Themelore në Prishtinë rekomandohet të vazhdojë caktimin e lëndëve të korrupsionit me prioritet, duke përfshirë rastet e paraqitura nga PSRK si lëndë  me prioritet absolut.

 

REKOMANDIM PËR KËSHILLIN PROKURORIAL TË KOSOVËS

 

  • KPK rekomandohet të bëj rishikimin e Planit Strategjik dhe Planit të Veprimit lidhur me Ngritjen e Efikasitetit të Sistemit Prokurorial në Luftimin e Korrupsionit, Krimeve Ekonomike si dhe Sekuestrimin dhe Konfiskimin e Dobisë Pasurore të Fituar me Vepër Penale.  Ri-shikimi i këtij plani duhet të evitoj dispozitat, të cilat janë në kundërshtim me ligjin e aplikueshëm, standardet dhe praktikat ndërkombëtare.

 

  • KPK rekomandohet që gjatë ri-shikimit të këtij plani, rëndësi të veçantë t’i kushtoj obligimeve të PSRK-së lidhur me luftimin e korrupsionit të profilit të lartë.

 

  • KPK rekomandohet urgjentisht të bëj plotësimin e pozitave të lira për prokurorë në PSRK.

 

  • KPK rekomandohet në bashkëpunim me PSRK, partnerët ndërkombëtarë që mbështesin sistemin prokurorial që të hartojnë rregulla të brendshme për organizimin e kësaj prokurorie. Ndarja aktuale faktike e PSRK-së në Departamente të Specializuara duhet të rregullohet me akte të brendshme të KPK-së.

 

  • PSRK rekomandohet që prokurorët e caktuar në Departamentet e kësaj Prokurorie të kryejnë vetëm rastet që hyjnë në kuadër të kompetencave të Departamentit, dhe të mos zbatohet praktika e deritanishme që të njëjtit prokurorë në të njejtën kohë të trajtojnë raste të korrupsionit, krimeve të luftës, krimit të organizuar, shpërlarjes së parasë dhe financimit të terrorizmit. PSRK duhet të ketë prokurorë të specializuar në fushën e luftimit korrupsionit dhe prokurimit publik.

 

  • KPK rekomandohet të ketë trajtim të veçantë për PTh në Prishtinë lidhur me plotësimin e pozitave dhe nevojave shtesë për prokurorë dhe personel mbështetës.