Prishtinë, 19 nëntor 2024 – Studentët e Programit të Klinikës Ligjore të Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), kanë vizituar Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit ku janë pritur nga Ushtruesi i Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi.
Gjatë kësaj vizite studentët u informuan nga U.D. Kryeprokurori i Shtetit, rreth rolit, përgjegjësive dhe detyrave të Prokurorit të Shtetit në kuadër të sistemit të drejtësisë. Ai po ashtu, i njoftoi të studentët me mënyrën e funksionimit, strukturën organizative dhe kompetencat e Prokurorit të Shtetit, për sfidat dhe të arriturat e këtij institucioni, si dhe për të gjitha veprimet procedurale që prokurorët i ndërmarrin gjatë fazave të hetimit, ngritjes së aktakuzës deri të dërgimi dhe përfaqësimi i akteve akuzuese në gjykatë.
Në anën tjetër, studentët përmes pyetjeve u interesuan lidhur me atë që numri i prokuroreve a është i mjaftueshëm me numrin e rasteve që shqyrtohen nga ta, për kërkesat për masë të paraburgimeve dhe për punën e përditshme të Prokurorit të Shtetit, ku dhe shkëmbyen biseda të përbashkëta profesionale nga fusha e drejtësisë penale.
Krahas kësaj, pjesëmarrësit e Klinikës Ligjore të IKD-së, janë pjesë e aktiviteteve të tjera si programi trajnues, i cili ka për qëllim ngritjen e njohurive profesionale të studentëve të rinj, pastaj procesi i monitorimit dhe pjesëmarrja e drejtpërdrejtë në procesin e punës së ofrimit të ndihmës juridike nga Qendra për Ndihmë Juridike falas e IKD.