Drejtësia në Gjilan për zgjedhjet parlamentare 2014

Drejtësia në Gjilan për zgjedhjet parlamentare 2014

Drejtësia në Gjilan për zgjedhjet parlamentare 2014

Gjilan, 20 Maj – Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) në bashkëpunim me Prokurorin e Shtetit dhe OJQ-në Qendra Kosovare për Bashkëpunim Ndërkombëtar, kanë organizuar të martën në Gjilan tryezën e parë “Drejtësia në zgjedhjet parlamentare 2014”, me pjesëmarrjen e të gjithë akterëve të institucioneve të drejtësisë të nivelit qendror dhe lokal, me kandidatët e partive politike, shoqërinë civile dhe mediat.

Z. Betim Musliu nga IKD, tha se qëllimi i kësaj tryeze është ngritja e debatit dhe sensibilizimi i të gjithë akterëve, partive politike dhe opinionit të gjerë rreth gatishmërisë së institucioneve të drejtësisë për të luftuar çdo veprim në drejtim të manipulimit të votave në zgjedhjet parlamentare 2014. Përvoja e zgjedhjeve lokale të vitit 2013, sipas Musliut, duhet të shërbejë për të avancuar rolin proaktiv dhe aktivitetet e institucioneve të drejtësisë në parandalimin dhe luftimin e veprave penale kundër të drejtave të votimit.

Edhe sivjet me iniciativë të Kryeprokurorit të Shtetit, z. Ismet Kabashi me 15 maj 2014 është nënshkruar Memorandum Bashkëpunimi “Lidhur me zgjedhjet parlamentare 2014” në mes Prokurorit të Shtetit, Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Policisë së Kosovës, Komisionit Qendror Zgjedhor dhe Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa. Si rezultat i këtij memorandumi Prokurori i Shetit në bashkëpunim me Policinë e Kosovës kanë përpiluar Procedurat Standarde të Veprimit (PSV) për të shtuar efikasitetin e veprimeve për veprat penale kundër të drejtave të votimit.

Përfaqësuesit e institucioneve të drejtësisë kanë paralajmëruar masa të rrepta ndaj të gjithë keqpërdoruesve eventualë të votave që mund të ndodhin lidhur me zgjedhjet parlamentare që mbahen me 8 qershor të këtij viti. Koordinatorja Nacionale për zgjedhje nga Prokurori i Shtetit, znj. Laura Pula, tha se institucionet e drejtësisë bazuar edhe në praktikën e zgjedhjeve lokale, janë përgatitur si asnjëherë më parë për të luajtur rol proaktiv në parandalimin dhe luftimin e të gjitha veprave penale kundër të drejtave të votimit. “Procedurat Standarde të Veprimit (PSV), sigurojnë efikasitetit për luftimin e të gjitha veprave penale kundër të drejtave të votimit, prandaj prokurorët vetëm sa do të shtojnë bashkëpunimin e ngushtë me policinë për zbatimin e tyre. Parimi kryesor që del nga PSV-të është arrestimi dhe ndalimi i të gjithë personave të cilët në një apo mënyrë tjetër do të veprojnë kundër të drejtave të votimit”. Pula tha se për zgjedhjet parlamentare në ditën e votimit me 8 qershor do të angazhohen mbi 100 prokurorë dhe mbi 300 punonjës – staf mbështetës i prokurorive, të cilët do të kujdestarojnë në tërë territorin e Republikës së Kosovës .

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Gjilan, z. Jetish Maloku, tha se prokurorët do të zbatojnë dispozitat ligjore dhe PSV-të që të mos lejojnë asnjë lloj të manipulimit më votat e qytetarëve. “Prokurorët në Gjilan do të jenë vërtetë gardian të votës kudo ku kërkohen. Vota është vullnet i lirë i qytetarëve dhe ne do të godasim të gjithë që tentojnë ta rrëmbejnë dhe keqpërdorin këtë vullnet”. Maloku, tha se janë caktuar Për këtë kemi caktuar prokurorët kujdestar në të gjitha komunat që i mbulon Prokuroria Themelore e Gjilanit”.

Zv/drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, z. Naim Rexha, tha se Policia e Kosovës ka përgatitur planet e veprimit dhe se policët në bashkëpunim me prokurorët do të veprojnë si asnjëherë më parë për të zbatuar PSV-të. “PSV-të të bazuara në ligjet ekzistuese do të mundësojnë një veprim efikas të policëve dhe prokurorëve dhe ne do të veprojmë me urgjencë për t’i përgjigjur në mënyrë adekuate secilit keqpërdorim të zgjedhjeve”.

Foto-2-Gjilani

Kryetari i Gjykatës Themelore të Gjilanit, z. Zyhdi Haziri, tha se dispozitat ligjore për veprat penale kundër të drejtave të votimit parashohin dënime të ashpra, prandaj duhet të kenë kujdes të gjithë ata që keqpërdorin procesin e zgjedhjeve. “Ne kemi trajtuar me prioritet rastet e zgjedhjeve dhe njëjtë sikurse policia dhe prokuroria edhe ne do të kemi gjykatësit kujdestar për t’iu përgjigjur me efikasitet rasteve që ndërlidhen me zgjedhjet”.

Përfaqësuesi i Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, z. Adnan Konushevci, tha se ky institucion është i gatshëm të pranojë të gjitha ankesat për t’i zgjidhur që ndërlidhen me mandatin e PZAP-it. “Në të gjitha zgjedhjet e mbajtura, PZAP ka vendosur në të gjitha rastet, brenda afatit të paraparë ligjor. Prandaj, kushdo që ka ankesa le t’i adresojë ato dhe të gjitha do të marrin përgjigje. Por, është mirë të kursehet PZAP nga disa ankesa, për të cilat nuk ka mandat, sikurse ankesat se po pihet duhani në vendvotime”. Përkundër konfirmimit, në panel ka munguar përfaqësuesi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Në tryezë ishin pjesë rreth 50 pjesëmarrës ku përveç përfaqësuesve të institucioneve të drejtësisë, prezentë ishin kandidatët për deputetë nga të gjitha partitë politike, drejtorë të shkollave që shërbejnë si menaxhet të qendrave të vendvotimeve, përfaqësues të shoqërisë civile dhe mediave.

Pjesëmarrësit ngritën disa shqetësime që ndërlidhen me mbarëvajtjen e zgjedhjeve në pjesën e veriut të Kosovës, dënimet e buta të shqiptuara ndaj manipuluesve të votave, me procesin e rinumërimit në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, keqpërdorimet e mjeteve publike nga pushtetarët për fushata partiake, për pastrimin e listës së votuesve, për financat e partive politike etj.

Kjo ishte tryeza e parë në serinë e tryezave të diskutimit, të cilat do të mbahen edhe në gjashtë qendrat kryesore të Kosovës, sikurse në Prizren, Gjakovë, Pejë, Ferizaj, Mitrovicë dhe Prishtinë. Këto aktivitete zhvillohen në kuadër të projektit “Iniciativa për ngritje të efikasitetit të institucioneve të drejtësisë për zgjedhje të lira, të drejta dhe demokratike në Kosovë” që përkrahet nga Ambasada e Britanisë së Madhe në Prishtinë.