Drejtësia në Prizren për zgjedhjet parlamentare 2014

Drejtësia në Prizren për zgjedhjet parlamentare 2014

Drejtësia në Prizren për zgjedhjet parlamentare 2014

Prizren, 21 maj – Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) në bashkëpunim me Prokurorin e Shtetit dhe Institutin Demokratik të Kosovës kanë organizuar të premtën në Prizren tryezën “Drejtësia në zgjedhjet parlamentare 2014”, me pjesëmarrjen e të gjithë akterëve të institucioneve të drejtësisë të nivelit qendror dhe lokal, me kandidatët e partive politike, shoqërinë civile dhe mediat.
Edhe këtë vit me iniciativë të Kryeprokurorit të Shtetit, z. Ismet Kabashi me 15 maj 2014 është nënshkruar Memorandum Bashkëpunimi “Lidhur me zgjedhjet parlamentare 2014” në mes Prokurorit të Shtetit, Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Policisë së Kosovës, Komisionit Qendror Zgjedhor dhe Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa me qëllim të ngritjes së bashkëpunimit dhe koordinimit në mes të këtyre institucioneve në ndërmarrjen e aktiviteteve për luftim e veprave penale kundër të drejtave të votimit. Si rezultat i këtij memorandumi Policia e Kosovës në bashkëpunim me Prokurorin e Shtetit kanë përpiluar Procedurat Standarde të Veprimit (PSV) për të shtuar efikasitetin e veprimeve për veprat penale kundër të drejtave të votimit.

Koordinatorja Nacionale për zgjedhje nga Prokurori i Shtetit, znj. Laura Pula, tha se këtë herë roli i Prokurorit të Shtetit është shumë më proaktiv, pasi njëjtë si për zgjedhjet lokale të vitit 2013 është nënshkruar Memorandum Bashkëpunimi dhe janë krijuar PSV. “Dua tua bëjë me dije të gjithëve se roli i prokurorëve do të jetë si asnjëherë më parë proaktiv. Në të gjithë territorin e Kosovës në ditën e zgjedhjeve do të kooperojnë 100 prokuror së bashku 300 punonjës staf mbështetës si dhe Hetuesit nga Policia e Kosovës”. Pula theksoi se do të zbatojnë me përpikëri parimin kryesor që del nga PSV-të që është arrestimi dhe ndalimi i të gjithë personave të cilët në një apo mënyrë tjetër do të veprojnë kundër të drejtave të votimit. “Ju inkurajoj si Koordinatore Nacionale që të gjithë qytetarët të dalin në zgjedhje dhe të votojnë lirshëm në mënyrë demokratike, sepse institucionet e drejtësisë do të jenë kujdestar gjatë gjithë procesit zgjedhor”.

Kryeprokuror i Prokurorisë Themelore në Prizren z.Sylë Hoxha, tha se prokurorët në zgjedhjet e kaluara lokale kanë qenë shumë të angazhuara për të mbrojtur votën dhe se për këto zgjedhje parlamentare institucionet e drejtësisë kanë krijuar përvoja të bashkëpunimit në mbrojtje të procesit të zgjedhjeve. “Prokuroria Themelore në Prizren ka angazhuar të gjithë prokurorët për të mbuluar të gjithë Rajonin e Prizrenit… Ne do të jemi të gatshëm për çfarëdo reagimi për të parandaluar dhe luftuar këdo që tenton të prishë procesin e zgjedhjeve. Do të jemi shumë sy hapur dhe do të patrullojmë së bashku me Policinë e Kosovës për të marrë masat e nevojshme”. Kryeprokurori Hoxha i ka bërë thirrje opinionit që të shfrytëzojë të drejtat e votimit, pasi institucionet e drejtësisë do të jenë garantuese të sigurisë dhe se vota e qytetarëve do të shkojë aty ku ata dëshirojnë.

Zv/drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, z. Naim Rexha, tha se Policia tashmë ka përgatitur planet e veprimit dhe se policët në bashkëpunim me prokurorët do të veprojnë si asnjëherë më parë për të zbatuar PSV-të. “PSV-të të bazuara në ligjet ekzistuese do të mundësojnë një veprim efikas të policëve dhe prokurorëve dhe ne do të veprojmë me urgjencë për t’i përgjigjur në mënyrë adekuate secilit keqpërdorim të zgjedhjeve”.

Kryetari i Gjykatës Themelore të Prizrenit, z. Ymer Hoxha, tha se gjykatat punojnë aq sa në këto institucione sjellin raste policia së bashku me prokurorinë. “Ne kemi trajtuar dhe do të trajtojmë me prioritet rastet e krimeve të zgjedhjeve. Ju e keni parë që politika e dënimeve për rastet që ndërlidhen me zgjedhjet është ashpërsuar nga gjykatësit në Kosovë”. Rastet e zgjedhjeve janë paksa të koklavitura. Hetimet nga prokurorët nuk kanë qenë më adekuatet dhe kjo na ka krijuar vështirësi në shqyrtimin e këtyre rasteve. Momentalisht në gjykatën tonë gjenden 21 lëndë që po procedohen dhe janë në gjykim e sipër. Prej tyre dy raste kanë përfunduar sa kanë qenë gjykatat komunale”.

 

Përfaqësuesi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, z. Xhemail Peçani, tha se përkundër kohës së shkurtë për organizimin e këtyre zgjedhjeve, ky institucion ka arritur të përfundoj me sukses obligimet e veta, ndërsa në këtë fazë Qendrat e Votimit janë duke u përgatitur në aspektin logjistik. “Jemi në fazën e finalizimit dhe kompletimit të materialit që është i nevojshëm. Do të implementojmë projektin, i cili mundëson dhënien e rezulateteve preliminare. KQZ duke u nisur nga numri i madh i fletëvotimeve të pavlefshme, ka intesifikuar strategjinë e njoftimit për mënyrën e votimit, dhe përgatitjen manuale të këtyre njoftimeve si dhe një udhëzues në të cilin janë paraparë veprat penale”.

Përfaqësuesi i Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, z. Adnan Konushevci, tha se PZAP është i gatshëm t’i përgjigjet të gjitha apelimeve në lidhje me këtë proces të zgjedhjeve. “Ju apeloj të gjithëve që në PZAP të adresoni vetëm ankesat për të cilat kemi mandat dhe dua të theksoj se tek ne nuk duhet të adresohen ankesat për personat e vdekur që janë në lista apo se po pihet duhani në vendvotime”.

Përfaqësuesit e partive politike, pjesa dërrmuese kandidatë për deputetë në Kuvendin e Kosovës, duke përgëzuar iniciativën, kanë ngritur shqetësimet e tyre rreth presioneve dhe kërcënimeve ndaj votuesve nga grupe dhe individ të caktuar, rreth dyshimeve për blerje të votave, listës së votuesve, çështja e drejtorëve të shkollave, çështja e votave të personave me aftësi të kufizuara etj.

Ky ishte aktiviteti i dytë si pjesë e serisë së tryezave të diskutimit në qendrat kryesore të Kosovës, që zhvillohen në kuadër të projektit “Iniciativa për ngritje të efikasitetit të institucioneve të drejtësisë për zgjedhje të lira, të drejta dhe demokratike në Kosovë” që përkrahet nga Ambasada e Britanisë së Madhe në Prishtinë. Tryezat e radhës do të mbahen në pesë qendrat tjera si në Gjakovë, Pejë, Ferizaj, Mitrovicë dhe Prishtinë.