IKD publikon pasqyrimin rajonal për Grupkapitullin 1 të BE-së: Parimet Themelore

IKD publikon pasqyrimin rajonal për Grupkapitullin 1 të BE-së: Parimet Themelore

IKD publikon pasqyrimin rajonal për Grupkapitullin 1 të BE-së: Parimet Themelore

Prishtinë, 30 prill 2026 – Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), në partneritet me Qendrën për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes (CSDG) dhe Qendrën për Gazetari Hulumtuese (SCOOP Macedonia), me mbështetjen e Fondit i Ballkanit Perëndimor (WBF), mbajti sot një tryezë diskutimi, ku publikoi përmbledhjen “Pasqyrim rajonal: Ku qëndron rajoni në Grupkapitullin 1 të BE – Parimet Themelore?”.

Në këtë tryezë morën pjesë përfaqësues nga Zyra e Kryeministrit, Ministria e Drejtësisë, Ministria për Digjitalizim dhe Administratë Publike, Këshilli Gjyqësor i Kosovës,, Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, Ambasada e Mbretërisë së Holandës në Kosovë, Misioni i Kombeve të Bashkuara (UNMIK), Misioni i OSBE në Kosovë dhe shoqëria civile.

Fillimisht, u dha një fjalë rasti përfaqësuesve të tri organizatave partnere, Ehat Miftaraj – drejtor ekzekutiv i IKD, Arjan Dyrmishi – drejtor ekzekutiv i CSDG dhe Goran Levkok, drejtor i SCOOP Macedonia.

Ndërkaq, prezantimi i pasqyrimit u bë nga hulumtuesi i lartë në IKD, Qemajl Marmullakaj, i cili theksoi se Kosova mbetet prapa vendeve të rajonit në zbatimin e Planit të Rritjes së BE-së, me rreth 1.5 vite vonesë dhe në fazë shumë fillestare të procesit të zbatimit të tije. Ai, po ashtu nënvizoi se integrimi evropian nuk është vetëm proces formal, por test i funksionimit të shtetit, ku progresi duhet të matet me zbatim konkret të reformave dhe jo vetëm me hartim të politikave. Sipas tij, Shqipëria mbetet më e avancuara në rajon, Maqedonia e Veriut në nivel të ndërmjetëm, ndërsa Kosova vazhdon të përballet me sfida strukturore në sundimin e ligjit dhe funksionimin institucional. Marmullakaj shtoi se fokus duhet të jetë depolitizimi i institucioneve, rritja e llogaridhënies dhe përmirësimi i koordinimit institucional, duke theksuar se, pavarësisht sfidave, procesi i integrimit mbetet shtytës kyç i reformave në rajon.

Marmullakaj, po ashtu theksoi se për shkak se Kosova është më prapa se vendet e rajonit në procesin e integrimit dhe për shkak se nuk njihet nga pesë vende anëtare të BE, Kosova e ka të pamundur të anëtarësohet në agjenci të specializuara të BE-së, ku shkëmbehen informata dhe përvoja në zbatimin e elementeve të ndryshme që bien në kuadër të Grupkapitujve 1. Si rrjedhojë kjo e vështirëson punën e institucioneve të Kosovës dhe rrjedhimisht edhe zbatimin e disa prej kritereve që janë pjesë Grupkapitujve në procesin e integrimit evropian.

Arlinda Krasniqi, udhëheqëse e Zyrës për Integrime Evropiane në Këshillin Gjyqësor të Kosovës, tha se gjatë vitit 2025 është shënuar rritje e numrit të rasteve të zgjidhura të korrupsionit të profilit të lartë krahasuar me vitin 2023. Ajo bëri të ditur se KGJK-ja ka punuar vazhdimisht në zbatimin e rekomandimeve që dalin nga raportet e vendit dhe mekanizmat ndërkombëtarë, duke investuar në ngritjen e kapaciteteve të Departamentit Special përmes shtimit të numrit të gjyqtarëve, bashkëpunëtorëve profesional dhe stafit mbështetës. Krasniqi shtoi se KGJK-ja është angazhuar në rritjen e efikasitetit të gjykatave, transparencës institucionale dhe funksionalizimin e administratës gjyqësore, duke theksuar se reformat në drejtësi janë proces i vazhdueshëm që kërkon angazhim afatgjatë dhe qasje sistematike.

Gresa Selimi-Bytyqi, udhëheqëse e Divizionit për Gjyqësor dhe të Drejtat Themelore në Zyrën e Kryeministrit, theksoi rolin koordinues të këtij institucioni në zbatimin e reformave në kuadër të procesit të integrimit evropian. Ajo bëri të ditur se pas ratifikimit të marrëveshjes për Planin e Rritjes janë ndërmarrë hapa për intensifikimin e punës, përfshirë themelimin e strukturave për koordinim dhe menaxhim të këtij procesi. Megjithatë, Selimi-Bytyqi vuri në pah sfidat që lidhen me situatën politike, duke theksuar rrezikun e vonesave në miratimin dhe zbatimin e reformave legjislative, veçanërisht në përfundimin e fazës fillestare. Ajo shtoi se disa reforma, si Strategjia Kundër Korrupsionit dhe ajo Kundër Krimit të Organizuar, nuk varen drejtpërdrejt nga Kuvendi dhe janë duke u trajtuar me prioritet nga institucionet përkatëse, pavarësisht sfidave.

Edmir Sejdiu, ushtrues detyre i drejtorit të Departamentit për Reformën në Administratën Publike në Ministrinë për Digjitalizim dhe Administratë Publike, tha se institucionet janë të vetëdijshme për vonesat në miratimin e Planit të Rritjes, por pavarësisht kësaj kanë arritur të përmbushin një pjesë të obligimeve të tyre. Ai bëri të ditur se më 16 prill 2026 është realizuar depozitimi i parë i mjeteve në vlerë prej 61.8 milionë euro, duke e cilësuar këtë si një tregues të një niveli të kënaqshëm të progresit, ndonëse jo në përputhje të plotë me planifikimet fillestare. Sipas tij, pavarësisht sfidave, përfshirë proceset zgjedhore gjatë vitit 2025 dhe vonesat në Kuvend, administrata ka arritur të avancojë në zbatimin e disa reformave dhe të sigurojë përfitime konkrete nga ky proces.

Alfons Benjamin Lentze, zyrtar për politika në Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë, tha se Bashkimi Evropian ka interes të veçantë për zhvillimin ekonomik të vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke nënvizuar se Plani i Rritjes dhe mbështetja financiare kërkojnë kapacitete për absorbim dhe zbatim efektiv të reformave. Ai theksoi se progresi në fusha si sundimi i ligjit, arsimi, energjia dhe shëndetësia është thelbësor për përmirësimin e jetës së qytetarëve, duke shtuar se procesi i integrimit evropian nuk kufizohet në hartimin e ligjeve dhe strategjive, por kërkon zbatim konkret, monitorim dhe llogaridhënie. Sipas tij, obligimet në këtë proces janë të dyanshme dhe kërkojnë përgjegjësi nga institucionet dhe udhëheqësit. Benjamin-Lentze ngriti shqetësime edhe për papunësinë e të rinjve dhe rrezikun e migrimit, duke theksuar nevojën për politika që krijojnë perspektivë ekonomike dhe sociale. Ai shtoi se dialogu dhe angazhimi i lidershipit politik me publikun duhet të forcohen, ndërsa theksoi se raporti i IKD-së paraqet një pasqyrë të rëndësishme të situatës, por se procesi i reformave mbetet i vazhdueshëm.

Gjatë diskutimit në lidhje me sundimin e ligjit, Miftaraj mes tjerash tha se zhvillimet e fundit në vend prekin drejtpërdrejt themelet e sundimit të ligjit, duke përmendur zvarritjen e përzgjedhjes së kryesuesit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe shkarkimin e Komisionit për Provimin e Jurisprudencës. Sipas tij, përmbushja e kritereve të Bashkimit Evropian nuk duhet të bëhet vetëm për përfitime financiare, por duhet të reflektohet në ndryshimin e qasjes dhe të sjelljes institucionale. Miftaraj ngriti shqetësime për ndërhyrje politike në procese të pavarura, duke theksuar se raste të tilla tregojnë se vendi mbetet larg standardeve dhe vlerave evropiane. Ai shtoi se këto zhvillime ndikojnë negativisht në funksionimin e institucioneve dhe cenojnë parimet e qeverisjes së mirë dhe të sundimit të ligjit.

Arben Hajredini nga sektori i mediave të OSBE, ngriti shqetësime lidhur me proceset e fundit të përzgjedhjes së anëtarëve të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës dhe anëtarëve të Komisionit të Pavarur për Media, duke theksuar se sipas gjetjeve të shoqërisë civile, këto procese nuk kanë qenë në përputhje me ligjin dhe rregullat në fuqi. Ai shtoi se këto zhvillime kanë lënë shumë për të dëshiruar dhe ndikojnë në besueshmërinë e institucioneve publike.

Andrea Lako nga Misioni i Kombeve të Bashkuara theksoi rëndësinë e procesit të integrimit evropian për vendet e Ballkanit Perëndimor, duke vlerësuar se ky proces ka qenë një mekanizëm kyç për zhvillimin demokratik në rajon. Duke folur në cilësi personale, ai u shpreh se Bashkimi Evropian mbetet mekanizmi i vetëm që e bën të matshëm progresin demokratik në këto vende, duke shtuar se pa këtë proces, zhvillimi institucional do të kishte qenë shumë më i kufizuar.

Selvije Elezaj nga Ministria e Drejtësisë tha se pavarësisht angazhimit intensiv të institucioneve në hartimin e politikave dhe legjislacionit, rezultatet nuk kanë qenë në nivelin e synuar. Ajo u pajtua me gjetjet e IKD-së se mungesa e funksionalitetit të Kuvendit gjatë vitit të kaluar ka ndikuar negativisht në procesin e reformave, duke përfshirë hartimin dhe zbatimin e politikave. Znj. Elezaj përmendi disa arritje konkrete, si hyrja në fuqi e Ligjit për Konfliktet Administrative dhe funksionalizimi i Gjykatës Administrative, si dhe hartimin e dokumenteve strategjike në fushën e sundimit të ligjit, duke theksuar se zbatimi i tyre ka hasur në vështirësi për shkak të rrethanave institucionale.

Venera Ramaj, zyrtare e lartë për sundimin e ligjit në Ambasadën e Mbretërisë së Holandës, theksoi se procesi i integrimit evropian është thelbësisht transformues dhe kërkon përtej ndryshimeve formale ligjore, duke ndikuar drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve. Ajo identifikoi tri sfida kryesore në këtë proces: mungesën e integritetit institucional, vullnetit politik dhe kapaciteteve njerëzore. Gjithashtu, ajo nënvizoi rëndësinë e rolit të shoqërisë civile në komunikimin e drejtë të procesit të integrimit evropian dhe nevojën që diskutimet për këtë proces të afrohen më shumë me qytetarët, duke adresuar keqkuptimet ekzistuese.

Nga përfundim të konferencës u konfirmua se, përkundër niveleve të ndryshme të progresit formal, sfida kryesore për vendet e rajonit mbetet sigurimi i rezultateve konkrete dhe i qëndrueshmërisë së reformave në praktikë. Në këtë drejtim koordinimit institucional, ndërtimit të konsensusit politik dhe rolit aktiv të shoqërisë civile në mbajtjen e institucioneve llogaridhënëse është shumë i rëndësishëm. Po ashtu, u nënvizua se bashkëpunimi rajonal dhe shkëmbimi i përvojave janë thelbësore për të përshpejtuar progresin, duke mësuar si nga sukseset, ashtu edhe nga dështimet e vendeve të tjera. Në thelb, ky pasqyrim rajonal nuk synon vetëm të tregojë se ku ndodhemi, por të nxisë një ndryshim në qasje nga fokusimi në harmonizim formale drejt prodhimit të rezultateve të matshme dhe funksionimit real të institucioneve, si kusht thelbësor për avancim të qëndrueshëm në procesin e integrimit evropian.

Raportin e publikuar e gjeni në këtë link