IKD organizoi Forumin për Lirinë e Shprehjes në Prishtinë

IKD organizoi Forumin për Lirinë e Shprehjes në Prishtinë

IKD organizoi Forumin për Lirinë e Shprehjes në Prishtinë

Prishtinë, 29 prill 2026 – Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka mbajtur të mërkurën Forumin për Lirinë e Shprehjes në Hotel Sirius në Prishtinë, në kuadër të një serie aktivitetesh që synojnë të nxisin debat publik, të rrisin kuptimin praktik për lirinë e shprehjes dhe të adresojnë sfidat që lidhen me të në Kosovë.

Forumi mblodhi gazetarë, aktivistë të shoqërisë civile, përfaqësues të sindikatave, studentë dhe qytetarë, duke krijuar një hapësirë gjithëpërfshirëse për diskutim mbi çështje që prekin drejtpërdrejt fjalën e lirë dhe pjesëmarrjen në debat publik. Aktiviteti u moderua nga Naim Jakaj, hulumtues i lartë në IKD, ndërsa pjesa trajnuese u udhëhoq nga Gzim Shala, menaxher i programeve në IKD.

Gjatë forumit u trajtuan tema kyçe që lidhen me lirinë e shprehjes si e drejtë themelore, rëndësinë e interesit publik dhe debatit publik, si dhe kufizimet e lejuara të kësaj të drejte. Po ashtu, u diskutua roli i medias dhe i zërave kritikë në një shoqëri demokratike, duke theksuar nevojën për mbrojtjen e tyre dhe për forcimin e llogaridhënies publike.

Në pjesën praktike të forumit, pjesëmarrësit diskutuan për dallimin mes faktit dhe opinionit, shpifjes dhe fyerjes, si dhe për kufirin ndërmjet lirisë së shprehjes dhe gjuhës së urrejtjes. Vëmendje e veçantë iu kushtua edhe presionit ndaj gazetarëve, aktivistëve dhe qytetarëve, si dhe përdorimit të procedurave të ndryshme për të frikësuar ose kufizuar debatin publik.

Forumi u zhvillua përmes një qasjeje interaktive, duke përfshirë diskutime të moderuara, punë në grupe dhe ushtrime praktike mbi raste konkrete, me qëllim që pjesëmarrësit të lidhin përmbajtjen me përvojat e tyre dhe ta aplikojnë atë në praktikë.

Ky aktivitet është pjesë e një serie prej dhjetë forumeve që IKD do të organizojë në komuna të ndryshme të Kosovës, me synim forcimin e kulturës së lirisë së shprehjes, nxitjen e mendimit kritik dhe krijimin e hapësirave për dialog të hapur dhe të informuar në nivel lokal.

IKD mbetet e përkushtuar që përmes aktiviteteve të tilla të kontribuojë në mbrojtjen dhe avancimin e lirisë së shprehjes, si një nga shtyllat kryesore të një shoqërie demokratike.

Ky aktivitet u realizua me mbështetjen e Rising Tide Foundation.