Prishtinë, 17 prill 2025 – Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka organizuar një seri trajnimesh me nxënës të shkollave të mesme në disa qytete të Kosovës, gjatë pjesës së parë të vitit 2026, me qëllim të rritjes së njohurive të tyre mbi të drejtat themelore, sundimin e ligjit, qasjen në drejtësi dhe rolin e qytetarëve aktivë në një shoqëri demokratike. Përmes këtyre trajnimeve, nxënësit u njohën me funksionimin e sistemit të drejtësisë në Kosovë, ndarjen e pushteteve ndërmjet legjislativit, ekzekutivit dhe gjyqësorit, si dhe me rëndësinë e pjesëmarrjes aktive të qytetarëve në forcimin e sundimit të ligjit.
Trajnimet janë mbajtur në Ferizaj, Vushtrri, Lipjan, Prizren dhe Gjakovë, ku janë përfshirë mbi 542 nxënës të shkollave të mesme. Trajnimet janë udhëhequr nga Naim Jakaj, Melos Kolshi dhe Flamur Kabashi. Në ditën e fundit të trajnimeve në Gjakovë, pjesëmarrës ishte edhe z. Milbert Dongjoon Shin, Zëvendës Përfaqësues Special i Kombeve të Bashkuara në Kosovë, i cili mbajti një fjalë rasti para nxënësve, si dhe Ehat Miftaraj, Drejtor Ekzekutiv i IKD-së, bashkë me z. Andrea Lako dhe znj. Jehona Dragaj nga Seksioni për Drejtësi në kuadër të Misionit të Bashkuara në Kosovë.
Në kuadër të trajnimeve u trajtuan në mënyrë të detajuar institucionet kryesore të drejtësisë, përfshirë rolin dhe kompetencat e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, gjykatave (Gjykatat Themelore, Gjykata e Apelit dhe Gjykata Supreme), si dhe Gjykatës Komerciale. Po ashtu, u shpjegua funksionimi i sistemit prokurorial, duke përfshirë Këshillin Prokurorial të Kosovës, Prokurorin e Shtetit, Prokuroritë Themelore, Prokurorinë e Apelit dhe Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës.
Një pjesë e veçantë e trajnimeve iu kushtua parimeve të sundimit të ligjit, ku u theksua se askush nuk është mbi ligjin, se ligjet vlejnë njësoj për të gjithë dhe se institucionet publike kanë obligim të veprojnë në përputhje me ligjin. Nxënësit u njohën gjithashtu me disa nga të drejtat themelore, përfshirë të drejtën për jetë, të drejtën për gjykim të drejtë, lirinë e shprehjes dhe të drejtën për arsimim.
Përmes rasteve praktike nga fusha penale, civile dhe administrative, u diskutua mënyra se si qytetarët mund të ushtrojnë mjetet juridike, cilat janë obligimet e institucioneve ndaj tyre, roli i organizatave të shoqërisë civile dhe rëndësia e ndihmës juridike falas në garantimin e qasjes në drejtësi.
Një fokus i veçantë iu kushtua të drejtës për qasje në dokumente publike, ku nxënësit u njohën me procedurat konkrete për paraqitjen e kërkesave pranë institucioneve publike, mënyrën e hartimit të kërkesave për qasje në dokumente publike, afatet ligjore për përgjigje dhe detyrimin e institucioneve për transparencë. Përmes shembujve praktikë, nxënësit mësuan se si të komunikojnë në mënyrë formale me institucionet, si të kërkojnë informata dhe dokumente me interes publik, dhe si kjo e drejtë përbën një element kyç të qytetarisë aktive dhe të forcimit të sundimit të ligjit.
Në pjesën interaktive të trajnimeve, nxënësit morën pjesë në diskutime të përbashkëta, ku u trajtuan çështje si rëndësia e ndarjes së pushteteve, pasojat e moszbatimit të ligjit në mënyrë të barabartë dhe mënyrat se si të rinjtë mund të kontribuojnë aktivisht në forcimin e sundimit të ligjit dhe funksionimit demokratik të institucioneve.
