Të drejtat sociale në praktikën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut

Të drejtat sociale në praktikën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut

Të drejtat sociale në praktikën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut

Mbrojtja e të drejtave sociale nuk varet vetëm nga ekzistenca e një ligji. Ajo kërkon që vendimet për punësim, pensione, ndihmë sociale, strehim dhe qasje në shërbime publike të jenë të ligjshme, të arsyetuara, jo-diskriminuese dhe proporcionale.

Në ditën e fundit të Akademisë për Drejtësi Sociale, znj. Gresa Caka-Nimani, ish-Kryetare e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, po mban ligjëratën mbi praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në fushën e të drejtave sociale.

Ligjërata trajton lidhjen ndërmjet Kushtetutës së Kosovës, Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe Kartës Sociale Evropiane. Vëmendje e veçantë i kushtohet mënyrës se si praktika e GjEDNj-së e zhvillon mbrojtjen e të drejtave sociale përmes parimeve të efektivitetit, proporcionalitetit, mosdiskriminimit dhe vlerësimit individual të secilit rast.

Përmes rasteve konkrete, po trajtohen të drejtat në marrëdhënien e punës, mbrojtja e sinjalizuesve, shtatzënia dhe pushimi prindëror, liria sindikale dhe e drejta për grevë, pensionet dhe përfitimet sociale, strehimi, si dhe mbrojtja e grupeve të cenueshme, përfshirë personat me aftësi të kufizuara, komuniteti rom, migrantët dhe azilkërkuesit.

Ligjërata thekson se shteti ka hapësirë për të hartuar politika sociale dhe ekonomike, por kjo hapësirë kufizohet kur masat prodhojnë diskriminim, barrë të tepruar për individin ose cenojnë jetesën me dinjitet.

Akademia për Drejtësi Sociale organizohet nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), me mbështetjen e National Endowment for Democracy (NED).