Vjenë, 19 tetor 2026 – Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), me ftesë nga Zyra e Kombeve të Bashkuara për Drogën dhe Krimin (UNODC), po merr pjesë në sesionin e 13-të të Konferencës së Palëve të Konventës së Kombeve të Bashkuara kundër Krimit të Organizuar Transnacional (UNTOC COP13), që zhvillohet nga 19 deri më 23 tetor 2026 në Vjenë, Austri. Në këtë konferencë, IKD përfaqësohet nga Arrita Rezniqi, Menaxhere e Programit dhe Hulumtuese e Lartë.
Konferenca është forumi kryesor ndërkombëtar për shqyrtimin dhe avancimin e zbatimit të Konventës dhe protokolleve të saj. Në fokus të këtij sesioni janë luftimi i krimit të organizuar transnacional, trafikimi me njerëz, kontrabandimi me migrantë, trafikimi i paligjshëm i armëve të zjarrit dhe format e reja të krimit të organizuar. Diskutimet përfshijnë edhe forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar në fushën e ekstradimit, ndihmës së ndërsjellë juridike dhe konfiskimit, si dhe ofrimin e asistencës teknike për zbatimin e Konventës.
Pjesëmarrja në këtë konferencë i mundëson IKD-së të ndjekë drejtpërdrejt diskutimet mbi zhvillimet dhe praktikat ndërkombëtare në parandalimin dhe luftimin e krimit të organizuar, si dhe të shkëmbejë përvoja me përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare, profesionistë të drejtësisë dhe organizata të shoqërisë civile.
Përmes kësaj pjesëmarrje, IKD synon gjithashtu të forcojë angazhimin në trajtimin e krimit të organizuar transnacional dhe ndikimit të tij në Kosovë dhe rajon.
