THIRRJE PËR APLIKIM: Për aftësimin e njëzet (20) studentëve të vitit të fundit të Fakultetit Juridik përmes Klinikës Ligjore

THIRRJE PËR APLIKIM: Për aftësimin e njëzet (20) studentëve të vitit të fundit të Fakultetit Juridik përmes Klinikës Ligjore

THIRRJE PËR APLIKIM: Për aftësimin e njëzet (20) studentëve të vitit të fundit të Fakultetit Juridik përmes Klinikës Ligjore

Prishtinë, 11 shtator 2024 – Qendra për Edukim Profesional e Institutit të Kosovës për Drejtësi zhvillon aktivitete të ndryshme profesionale me qëllim të aftësimit të studentëve përmes Klinikës Ligjore. Në këtë drejtim, hapet thirrja për aftësimin e grupit të radhës të studentëve të Fakultetit Juridik.

Për këtë qëllim, IKD shpall konkurs për njëzet (20) pozita të hapura për studentë të vitit të fundit të Fakultetit Juridik, për mentorim dhe aftësim në praktikë profesionale juridike, në bashkëpunim edhe me institucionet e tjera relevante.

Pjesëmarrësit e Klinikës Ligjore do të kenë mundësinë që përmes trajnimeve dhe aktiviteteve praktike të ngritin njohuritë e tyre profesionale për funksionimin e sistemit të drejtësisë në Kosovë. Studentëve pjesëmarrës u mundësohet që të shohin nga afër zhvillimin e seancave gjyqësore, të jenë pjesë e trajtimit të drejtpërdrejtë të rasteve reale të palëve përfitues të ndihmës juridike falas në Qendrën për Ndihmë Juridike falas të Institutit të Kosovës për Drejtësi (QNJ-IKD), si dhe të jenë pjesë e aktiviteteve të tjera praktike sikurse simulimi i seancave gjyqësore.

Përmes njohurive të fituara në kuadër të programit të Qendrës për Edukim Profesional të IKD-së, studentët do të aftësohen për njohjen e procedurave ligjore dhe në përgjithësi zbatimin e ligjeve në praktikë. Përveç këtyre, kurrikula e këtij grupi, përfshin po ashtu edhe aftësimin e studentëve në analizën e të dhënave, në mënyrë që të fuqizohen si gjenerata të ardhshme të analistëve të të dhënave të sistemit të drejtësisë. Kjo do të mundësojë mbështetjen e institucioneve të drejtësisë, përfshirë Ministrinë e Drejtësisë (Departamenti i Statistikave) dhe Këshillin Gjyqësor të Kosovës (Departamenti i Statistikave) në përpjekjet e tyre për të analizuar të dhënat e drejtësisë dhe adresimin e sfidave sistematike brenda sistemit të drejtësisë.

Ky program zgjat 15 javë, ku orari i aktiviteteve dërgohet dhe elaborohet përgjatë takimit të parë të grupit. Në përfundim të programit, studentët do të marrin certifikata. Po ashtu, ata të cilët tregojnë aftësi dhe interesim të mëtejmë, sipas mundësive të organizatës, mund të punësohen në IKD, apo edhe të referohen tek institucione të tjera.

Të interesuarit që dëshirojnë të jenë pjesë e këtij programi, duhet të plotësojnë këto kushte:

  • Të jenë qytetarë të Republikës së Kosovës;
  • Të jenë studentë të vitit të fundit të Fakultetit Juridik;
  • Të mos jenë të dënuar për vepër penale.

Konkursi është i hapur nga data 11 shtator deri më 27 shtator 2024.

Të gjitha aktivitetet zhvillohen në Prishtinë. Ky angazhim përfshin aftësim profesional për studentët dhe jo angazhim si praktikantë, prandaj dhe pjesëmarrja nuk kompensohet me pagesë.

Dokumentet e nevojshme për aplikim:

  • CV personale
  • Certifikata e notave (ose vërtetimi i notave nga sistemi SEMS)

Kandidatët e interesuar duhet të paraqesin interesimin e tyre, duke kontaktuar përmes e-mail adresës: punesim@kli-ks.org, me titull: Aplikim për Pjesëmarrje në Klinikën Ligjore – Shtator 2024, ku bashkëngjiten dokumentet e mësipërme të skanuara.

  • Kandidatët nga komunitetet jo-shumicë në Kosovë do të kenë përparësi.