Prishtinë, 18 nëntor 2026 – Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), të mërkurën me mbështetje të Ambasadës së Republikës Federale të Gjermanisë në Prishtinë, organizoi tryezën e diskutimit “Përgjegjësia penale e përdorimit të parasë publike për qëllime elektorale”, në kuadër të së cilës u publikua edhe analiza e IKD-së me të njëjtin titull.
Në këtë aktivitet, u diskutuan gjetjet e analizës, si dhe Nisma Legjislative Qytetare për plotësimin dhe ndryshimin e Kodit Penal, e mbështetur nga mbi 12 mijë qytetarë, në pjesën që synon përcaktimin e përgjegjësisë penale për përdorimin e parasë dhe burimeve publike për përfitim elektoral.
Në hapje të tryezës, Hulumtuesi i Lartë i IKD-së, Qemajl Marmullakaj, prezantoi gjetjet kryesore të analizës, duke theksuar se paraja publike u përket qytetarëve dhe se institucionet kanë detyrim ta administrojnë atë në interes të publikut. Sipas tij, problemi lind kur kompetencat për administrimin e buxhetit përdoren për t’i krijuar përparësi elektorale subjektit politik që ushtron pushtetin.
“Paraja publike është para e qytetarëve dhe jo e pushtetit. Qeveria ka të drejtë dhe detyrim ta administrojë buxhetin”, tha Marmullakaj.
Ai theksoi se jo çdo pagesë apo subvencion i realizuar para zgjedhjeve përbën keqpërdorim, duke përmendur vendimet për rritjen e pagave dhe pensioneve, pagesat e njëhershme dhe format e tjera të mbështetjes financiare. Sipas tij, dallimi qëndron te qëllimi i përdorimit të mjeteve publike dhe nëse ato janë pjesë e programeve dhe detyrimeve të rregullta institucionale.
Duke prezantuar Nismën Legjislative Qytetare, Marmullakaj bëri të ditur se IKD ka propozuar shtimin e nenit 212A në Kodin Penal, “Përdorimi i parasë dhe burimeve publike për përfitim elektoral”. Propozimi parasheh përgjegjësi penale për veprimet e ndërmarra gjatë periudhës prej katër muajsh para ditës së njohur të zgjedhjeve deri në certifikimin e rezultateve përfundimtare, në rastet kur provohet qëllimi për t’i siguruar përfitim elektoral një subjekti politik.
Ai sqaroi se propozimi përjashton nga përgjegjësia penale masat që burojnë nga ligji, skemat e rregullta, detyrimet kontraktuale, programet e miratuara paraprakisht, si dhe ndërhyrjet e domosdoshme në situata emergjente.
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Blerta Deliu-Kodra, e vlerësoi të rëndësishme nismën e IKD-së, duke ngritur shqetësime për përdorimin e parasë publike gjatë periudhave zgjedhore. Ajo përmendi vendimet për subvencionimin e kategorive të ndryshme dhe rastet e punësimeve në institucione publike, duke theksuar nevojën për dispozita të qarta ligjore që adresojnë keqpërdorimin e mjeteve publike për qëllime elektorale.
“Raste si ai i punësimeve në KEK, kanë të bëjnë me keqpërdorim për nevoja elektorale”, deklaroi Deliu-Kodra, duke shprehur mbështetjen e saj për trajtimin e nismës në komisionin parlamentar.
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, e vlerësoi pozitivisht nismën legjislative. Ajo ngriti shqetësime për mënyrën e shpërndarjes së buxhetit, duke theksuar se, sipas saj, shpenzimet gjatë periudhave zgjedhore kanë ndikuar në mosrealizimin e projekteve të rëndësishme për qytetarët, përfshirë ndërtimin e rrugëve dhe çerdheve, si dhe furnizimin me barna.
“Është bërë një shpërndarje e buxhetit për me fitu vota”, deklaroi Bajrami.
Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Teuta Haxhiu, shprehu mbështetjen për nismën e IKD-së, duke kritikuar marrjen e vendimeve financiare në prag të zgjedhjeve. Sipas saj, vendimet që ndikojnë në mirëqenien e qytetarëve duhet të jenë pjesë e politikave të qëndrueshme dhe jo të kufizohen në periudha zgjedhore.
Haxhiu theksoi se ajo dhe subjekti politik që përfaqëson do ta mbështesin dhe promovojnë nismën gjatë trajtimit të saj të mëtejshëm.
“Ne nuk do të jemi vetëm përkrahës, por edhe lobues dhe në çdo vend ku do të shkojmë do të flasim për këtë nismë”, deklaroi Haxhiu.
Në përfundim, IKD ritheksoi rëndësinë e shqyrtimit të Nismës Legjislative Qytetare për ndryshimin dhe plotësimin e Kodit Penal, me qëllim të përcaktimit të qartë të përgjegjësisë penale për përdorimin e parasë publike për përfitim elektoral. IKD vlerëson se adresimi i kësaj çështjeje përmes legjislacionit penal do të kontribuonte në mbrojtjen e parasë publike, forcimin e llogaridhënies institucionale dhe garantimin e integritetit të proceseve zgjedhore.
Raportin e publikuar e gjeni në këtë link
