Prishtinë, 12 shtator 2024 – Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) me mbështetje të Projektit të USAID-it për Drejtësi ka organizuar të enjten tryezë diskutimi lidhur me rastet e pagave jubilare, ku edhe ka publikuar raportin me titull “Kostoja e Pagave Jubilare të Papaguara: Raport Analitik mbi Ndikimin Financiar dhe Efikasitetin Gjyqësor të Rasteve Gjyqësore që Lidhen me Pagat Jubilare”.
Në këtë tryezë përveç përfaqësuesve të Projektit të USAID-it për Drejtësi, kanë marrë pjesë edhe përfaqësues nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, nga Komuna e Gjakovës, Agjencia për Ndihmë Juridike Falas, avokatë, pjesëtarë të shoqërisë civile dhe studentët e Klinikës Ligjore të IKD-së.
Në hapje të tryeze, Ehat Miftaraj, drejtor ekzekutiv i IKD-së, tha se ndonëse komunat mund ta kenë vullnetin për të përmbushur obligimet e tyre për pagimin e pagave jubilare sipas Kontratës Kolektive, ky vullnet mungon nga ana e Qeverisë dhe Kuvendit.
Edona Ahmetaj nga projekti i USAID-it për Drejtësi, tha se raporti i Institutit të Kosovës për Drejtësi tregon se cilat janë problemet dhe ofron zgjidhjet e mundshme. Kjo sipas saj mundëson që të jetë qytetari në qendër, ku esenca e të pasurit qytetarin në qendër është që të ketë evidencë, të dhëna lidhur me atë se çfarë janë problematikat.
Gjyqtari Agron Maxhuni, gjatë kësaj tryeze ka thënë se gjykatat padrejtësisht ngarkohen më lëndë që burojnë nga Kontrata Kolektive. Ai shtoi se shpenzimet që shkaktohen janë të larta, duke filluar me taksën e padisë, përgjigjes në padi, taksa për seancën e parë, kamata ligjore, propozimi për përmbarim, e të tjera.
Vjollca Shyti, udhëheqëse e sektorit për përfaqësim ligjor në Komunën e Gjakovës, tha se kanë kërkuar bashkëpunim me drejtoritë përkatëse për listat e moshës për secilin zyrtar dhe se aty kanë parë se kush mundet ta kërkojë pagën jubilare. “Kështu që kemi arritë me i minimizu, mos me shku nëpër gjykata.”, shtoi tutje Shyti.
Sipas raportit, ngarkesa e gjykatave ka pësuar luhatje ndër vite për sa i përket numrit të rasteve të pagave jubilare të pranuara brenda një viti kalendarik. Viti 2021 është karakteristik në kuptim të pranimit të rasteve të kësaj natyre. Ndryshe nga ky vit, në dy vitet pasuese 2022 dhe 2023, ka pasur rënie të numrit të rasteve të pagave jubilare në krahasim më vitin 2021.
Megjithatë, në raport thuhet se statistikat tregojnë një stabilitet të përgjithshëm të numrit të rasteve të pagave jubilare, me vetëm një rritje të lehtë nga viti 2022 në 2023. Ka pasur një rënie të dukshme të rasteve të pagave jubilare në raport me numrin e përgjithshëm të lëndëve civile në procedurë kontestimore gjatë tri viteve. Në vitin 2021, lëndët jubilare përbënin 20% të numrit të përgjithshëm të çështjeve civile në procedurën kontestimore, që u ul në rreth 10% në vitin 2022 dhe 8% në vitin 2023.
Mesatarisht në tre vitet e fundit, përafërsisht çdo i 300-ti banor i rajonit të Prishtinës ka iniciuar një padi në gjykatë lidhur me pagat jubilare. Pasuar nga rajoni i Mitrovicës ku përafërsisht çdo i 360-ti banor ka iniciuar një padi të tillë. Në rajonin e Gjilanit përafërsisht çdo i 425-ti banor ka iniciuar padi për pagë jubilare, ndërsa në rajonin e Prizrenit përafërsisht çdo i 740-ti banor dhe në rajonin e Ferizajt përafërsisht çdo i 880-ti banor ka iniciuar padi. Në fund të listës qëndrojnë rajoni i Pejës me përafërsisht çdo 965-tin banor dhe rajoni i Gjakovës me afërsisht çdo 1050-tin banor që ka iniciuar padi në gjykatë për pagat jubilare, thuhet ndër të tjera në raport.
Sipas gjetjeve tjera të raportit rezulton se gjykatësve u janë dashur mesatarisht 690 ditë apo gati dy vite deri në vendosje meritore në shkallë të parë në këto raste. Vendimet në këto raste kanë treguar se padia është aprovuar plotësisht në 70% të rasteve, ndërsa vetëm në një nga 30 rastet e analizuara është kërkuar ekspertizë financiare. Tutje, paditësit ishin përfaqësuar nga avokatët në të gjitha rastet dhe të njëjtit ishin angazhuar dhe paguar nga vet paditësit. Në anën tjetër, në 80% të rasteve paditësit kishin kërkuar kompensimin e shpenzimeve procedurale, të cilat gjykata i ka miratuar duke obliguar palën tjetër, gjithmonë institucionin shtetëror që të mbulojë shpenzimet e tilla.
Raporti po ashtu ka treguar se kostoja financiare vjetore e paguar nga institucionet shtetërore për pagat jubilare arrin shumën deri në 10 milion Euro.
Në fund të tryezës, Arrita Rezniqi, menaxhere e programit në Institutin e Kosovës për Drejtësi, tha se rekomandimet e raportit kërkojnë që Ministria e Financave të ndajë buxhet të nevojshëm për komunat lidhur me pagat jubilare. “Në mënyrë që rastet e pagave jubilare të zgjidhen përmes rrugëve administrative, pa pasur nevojë të adresohen në gjykatë. Kjo do të mundësonte që ndarja e mjaftueshme e mjeteve buxhetore, të përmbushte kërkesat e qytetarëve drejtpërdrejt, duke reduktuar kështu numrin e kontesteve që rrisin numrin e rasteve në gjykata”, u shpreh Rezniqi. Krahas kësaj, rekomandime të tjera ishin edhe që gjykatat, pas pranimit të rasteve të pagave jubilare të informojmë paditësit lidhur me mundësinë e referimit të këtyre rasteve në ndërmjetësim, si dhe avokatët që përfaqësojnë rastet e pagave jubilare të iniciojnë zgjidhjen e këtyre rasteve përmes procedurës së ndërmjetësimit.
Raportin e publikuar e gjeni në këtë link.