5 dhjetor 2024 – Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka organizuar një trajnim me studentët e Klinikës Ligjore, ku Melos Kolshi, hulumtues ligjor në IKD, ka ligjëruar mbi rolin e komisioneve parlamentare në forcimin e demokracisë dhe sundimit të ligjit.
Komisionet parlamentare janë mekanizma kyç për funksionimin e Kuvendit të Kosovës. Rregullorja e Kuvendit përcakton rolin dhe përgjegjësitë e tyre, duke i ndarë ato në disa kategori kryesore: komisionet e përhershme, komisionet funksionale, komisionet hetimore dhe komisionet ad hoc.
Studentët u njoftuan me funksionet themelore të komisioneve:
- Legjislative – Hartimi dhe rishikimi i projektligjeve, analizimi i neneve dhe sigurimi i përputhshmërisë me standardet kombëtare dhe ndërkombëtare.
- Mbikëqyrëse – Monitorimi i zbatimit të ligjeve dhe politikave qeveritare, mbajtja e ekzekutivit përgjegjës për veprimet dhe vendimet e tij.
- Konsultative – Krijimi i hapësirës për debat dhe përfshirja e ekspertëve, organizatave të shoqërisë civile dhe qytetarëve në proceset ligjvënëse.
Më tutje, diskutimi me studentët vazhdoi për rëndësinë e komisioneve parlamentare për demokracinë dhe rolin e tyre në forcimin e sundimit të ligjit. Trajneri Melos Kolshi, theksoi se komisionet parlamentare janë mekanizma themelor për promovimin e transparencës në procesin legjislativ dhe mbikëqyrës, duke siguruar që vendimmarrja të jetë e hapur dhe e bazuar në interesin publik. Në vijim, Kolshi ka trajtuar temën e llogaridhënies për sundimin e ligjit, duke shpjeguar se një nga funksionet më të rëndësishme të komisioneve është monitorimi i reformave në sektorin e drejtësisë. Ai ka theksuar se vlerësimi i zbatimit të ligjeve antikorrupsion është hap kyç për garantimin e një sistemi gjyqësor të pavarur dhe me integritet. Në përfundim, ai ka theksuar se një demokraci funksionale kërkon institucione të forta dhe një kulturë të llogaridhënies që garanton zbatimin e ligjit pa ndërhyrje politike.
Aktiviteti është mbajtur në kuadër të Programit për Qeverisje të Mirë me mbështetje nga ana e Rockefeller Brothers Fund dhe zhvillohet në kuadër të programit të Klinikës Ligjore të Qendrës për Edukim Profesional të IKD-së që financohet nga mbështetja bujare e popullit amerikan nëpërmjet Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID).