Pamundësimi i hetimeve parlamentare, pengesë për demokracinë dhe sundimin e ligjit

Pamundësimi i hetimeve parlamentare, pengesë për demokracinë dhe sundimin e ligjit

Pamundësimi i hetimeve parlamentare, pengesë për demokracinë dhe sundimin e ligjit

Prishtinë, 11 dhjetor 2024 – Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) organizoi tryezën e diskutimit me temën: “Mos efikasiteti i hetimit parlamentar (Mungesë e vullnetit dhe problemet ligjore)”, ku u prezantua raporti që trajton sfidat dhe mangësitë e këtij procesi në Kosovë.

Në këtë ngjarje morën pjesë përfaqësues të institucioneve vendore, deputetë, anëtarë të shoqërisë civile dhe ekspertë ligjorë, të cilët diskutuan gjetjet dhe rekomandimet e raportit.

Raporti u prezantua nga Naim Jakaj, hulumtues i lartë në IKD, i cili theksoi se procesi i hetimit parlamentar në Kosovë është i penguar nga mungesa e vullnetit politik dhe kufizimet ligjore.

“Shumica parlamentare ka pamundësuar punën e komisioneve hetimore në disa raste, përmes bojkotit dhe mungesës së kuorumit, duke dëmtuar transparencën dhe përgjegjshmërinë,” tha Jakaj.

Sipas tij, pavarësisht se në vitet e fundit ka pasur një rritje të numrit të komisioneve hetimore të formuara, shumica prej tyre nuk kanë arritur qëllimin kryesor – zbardhjen e fakteve. “Nga viti 2001 deri sot, janë themeluar gjithsej 15 komisione hetimore parlamentare, por pengesat institucionale dhe përplasjet politike kanë minuar efikasitetin e tyre,” tha ai.

Jakaj, gjatë prezantimit të gjetjeve të raportit tha se në disa raste Kuvendi i Kosovës ka ndërhyrë në sistemin e drejtësisë. Sipas tij, kjo u bë në tentativën për themelimin e komisionit hetimor për mashtrimet me listat e veteranëve të UÇK-së apo edhe themelimin e një komisioni kundërkushteues për dhunën seksuale dhe atë në familje.

Raporti ofroi rekomandime konkrete për ndryshimin e Ligit të Hetimit Parlamentar, duke përfshirë: përkufizimin e qartë të kompetencave të komisioneve, garantimin e afateve kohore për hetime, opozita “një më shumë”, si dhe përmirësimin e shumë dispozitave tjera të këtij ligji.

Driton Selmanaj, deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), e cilësoi legjislaturën e fundit si më të dobëtën sa i përket zbatimit të demokracisë parlamentare. “Asnjëherë më parë nuk kemi pasur një Qeveri që të refuzojë detyrimin kushtetues për t’iu përgjigjur deputetëve,” tha Selmanaj, duke e quajtur këtë sjellje një tregues të papërgjegjësisë dhe kulturës autoritare.

Selmanaj ka përmendur disa raste kur është penguar puna për krijimin e komisioneve parlamentare për çështjen të caktuara e që ndërlidhën me partinë që tani është në pushtet, Lëvizjen Vetëvendosje.

“Kemi pas tri kërkesa për komisione hetimore, për 3 çështje. Për mostrat e Astrit Deharit, kontratat njëburimore që deri tani janë 2 mijë e 123 e që janë për nga shifra më të mëdhajat në historinë e Kosovës dhe e treta ka të bëjë me ambalazhuesit e ujit. Të trija, Vetëvendosja  qëllimshëm nuk na ka lejuar që ne t’i miratojmë në Kuvend”,  tha Selmanaj.

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Shemsedin Dreshaj, theksoi rëndësinë e krijimit të kushteve për opozitën që të ushtrojë rolin e saj. Ai përmendi dështimet e komisionit për tekstet shkollore, ku u identifikuan shkelje serioze, përfshirë dyfishimin e çmimeve dhe vonesat në shpërndarjen e librave. “Pozita duhet të krijojë hapësirë për punën e opozitës dhe të shmangë arrogancën e numrave,” tha Dreshaj.

Përfaqësuesit e IKD theksuan se raporti synon të nxisë debat dhe reforma që do të kontribuojnë në forcimin e demokracisë parlamentare dhe promovimin e transparencës e përgjegjshmërisë në Kosovë.

Ndryshe, java Kundër Korrupsionit po organizohet nga Koalicioni i Organizatave të Shoqërisë Civile i përbërë nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), Lëvizja FOL dhe Iniciativa për Progres (INPO), me moton “Bashkë kundër korrupsionit”, me përkrahje të Departamentit të Shtetit Amerikan – Byrosë për Çështje të Narkotikëve Ndërkombëtarë dhe Zbatimit të Ligjit (INL), aktivitet ky në kuadër të “Java Kundër Korrupsion 2024”.

Raportin e publikuar e gjeni në këtë link.