Prishtinë, 02 nëntor 2026 – Në ambientet e Institutit të Kosovës për Drejtësi ka filluar programi i Klinikës Ligjore për grupin e nëntë të studentëve. Ky grup përbëhet nga 20 studentë, të cilët do të marrin pjesë në trajnimet dhe aktivitetet praktike të planifikuara në kuadër të programit 15-javor.
Gjatë takimit të parë, pjesëmarrësit u njoftuan me planin e punës dhe aktivitetet që do të zhvillohen gjatë javëve në vijim. Përmes këtyre aktiviteteve, studentët do të kenë mundësi të zgjerojnë njohuritë e tyre profesionale për funksionimin e sistemit të drejtësisë në Kosovë dhe të zhvillojnë shkathtësitë praktike në fushën juridike.
Studentëve do t’u mundësohet të ndjekin nga afër seancat gjyqësore dhe të përfshihen në trajtimin e rasteve reale të përfituesve të ndihmës juridike falas në Qendrën për Ndihmë Juridike Falas të IKD-së. Gjithashtu, ata do të vizitojnë institucione të ndryshme të sistemit të drejtësisë dhe do të marrin pjesë në aktivitete të tjera praktike, përfshirë simulimin e seancave gjyqësore.
Përmes njohurive dhe përvojës së fituar në kuadër të këtij programi të Qendrës për Edukim Profesional të IKD-së, studentët do të aftësohen për të kuptuar procedurat ligjore dhe zbatimin e ligjeve në praktikë.
Qendra për Edukim Profesional e IKD-së, përmes Klinikës Ligjore, zhvillon aktivitete që synojnë aftësimin profesional të studentëve të drejtësisë dhe lidhjen e njohurive teorike me praktikën juridike.
