Pensionet dinjitoze dhe kontratat kolektive: Dita e tretë e Akademisë për Drejtësi Sociale

Pensionet dinjitoze dhe kontratat kolektive: Dita e tretë e Akademisë për Drejtësi Sociale

Pensionet dinjitoze dhe kontratat kolektive: Dita e tretë e Akademisë për Drejtësi Sociale

Prishtinë, 16 tetor 2026 – Në ditën e tretë të Akademisë për Drejtësi Sociale, pjesëmarrësit trajtuan dy fusha me rëndësi të drejtpërdrejtë për sigurinë ekonomike dhe dinjitetin e qytetarëve: mbrojtjen sociale përmes pensioneve dhe rolin e kontratave kolektive në garantimin e barazisë në punë.

Në ligjëratën e parë, Arrita Rezniqi, hulumtuese e lartë dhe koordinatore e Qendrës për Ndihmë Juridike Falas në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), foli për realizimin e të drejtës në pension, pengesat administrative me të cilat përballen përfituesit, njohjen e stazhit të punës, mundësinë e përfitimit të pensioneve të dyfishta, ndihmën juridike falas dhe rëndësinë e zbatimit të vendimeve gjyqësore.

Pas ligjëratës së saj, pjesëmarrësit zhvilluan ushtrimin praktik “Pensioni bazik dhe jeta e dinjitetshme”. Në grupe, ata analizuan nëse pensioni bazik prej 150 eurosh është i mjaftueshëm për të përballuar shpenzimet minimale mujore të një pensionisti. Duke u bazuar në metodologjinë për caktimin e pensionit bazë, detyrimin për harmonizimin e pensioneve me koston e jetesës dhe çmimet aktuale të shportës së konsumit, pjesëmarrësit llogaritën shpenzimet për ushqim, banim, energji elektrike, barna dhe transport, si dhe diskutuan përgjegjësitë institucionale për garantimin e një jetese dinjitoze.

Në sesionin e pasdites, Prof. Ass. Dr. Muhamet Vokrri, profesor asistent në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës, trajtoi kontratat kolektive, barazinë në punë dhe përgjegjësinë e shtetit për krijimin e kushteve për dialog social. Ligjërata u fokusua në rëndësinë e kontratave kolektive për pagat, përfitimet shtesë dhe sigurinë juridike të punëtorëve, si dhe në pasojat që sjell mungesa e kontratës së përgjithshme kolektive dhe e kontratave sektoriale.

Gjatë diskutimit u theksua se mbrojtja efektive e të drejtave sociale nuk varet vetëm nga ekzistimi i ligjeve, por edhe nga zbatimi i tyre në praktikë, qasja e qytetarëve në institucione, funksionimi i gjykatave dhe dialogu i mirëfilltë social ndërmjet institucioneve, punëdhënësve dhe sindikatave.

Akademia për Drejtësi Sociale organizohet nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), me mbështetjen e National Endowment for Democracy (NED), dhe vazhdon me sesionet përmbyllëse më 19 tetor 2026.