Prishtinë, 16 tetor 2026 – Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) përmes një konference për media ka publikuar dy hulumtime parlamentare me propozime konkrete për amendamentimin e pesë projektligjeve që trajtojnë përgjegjësinë, statusin dhe funksionimin e institucioneve të sistemit të drejtësisë.Prezantimi i raportit u bë nga Gzim Shala, hulumtues i lartë në IKD.
Hulumtimi parlamentar “Llogaridhënia dhe integriteti në sistemin e drejtësisë” trajton Projektligjin nr. 11/L-010 për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, si dhe Projektligjin nr. 11/L-007 për rekrutimin, vlerësimin e performancës, kontrollin e integritetit dhe statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Për Projektligjin për Përgjegjësinë Disiplinore, IKD propozon që klasifikimi i shkeljeve të marrë parasysh peshën konkrete, rrethanat dhe pasojat e tyre. Amendamentet trajtojnë gjithashtu dallimin mes përgjegjësisë disiplinore dhe asaj penale, zhvillimin e pavarur të këtyre procedurave, ndikimin e shkeljeve të mëparshme dhe të shënimeve të fshira, si dhe statusin e palëve dhe të drejtën për ankesë. Raporti propozon edhe publikimin e raporteve të paneleve hetimore dhe shqyrtimin e njoftimeve anonime kur ato përmbajnë informata konkrete për shkelje të mundshme.
Për Projektligjin nr. 11/L-007 për rekrutimin, vlerësimin e performancës, kontrollin e integritetit dhe statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, propozimet përfshijnë largimin e pasurisë së pajustifikueshme si bazë për shkarkim përderisa ndryshimet përkatëse kushtetuese nuk janë miratuar, si dhe përdorimin e aktakuzës së konfirmuar nga gjykata si kriter për përjashtimin e kandidatëve. Amendamentet trajtojnë edhe përkufizimin dhe kontrollin objektiv të integritetit, pasojat e heshtjes ose refuzimit të arsyetuar të Presidentit në procedurat për emërim dhe shkarkim, shtyrjen e trajnimit për shkaqe objektive, shpërblimet nga veprimtaritë profesionale dhe vlerësimin e performancës së drejtuesve të gjykatave e prokurorive.
Ndwrkaq, hulumtimi parlamentar “Reforma e Këshillit Gjyqësor, Këshillit Prokurorial dhe Akademisë së Drejtësisë” përfshin propozime për Projektligjin nr. 11/L-009 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Këshillin Gjyqësor të Kosovës (KGJK), Projektligjin nr. 11/L-008 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK) dhe Projektligjin nr. 11/L-011 për Akademinë e Drejtësisë.
Për projektligjin që rregullon KGJK-në, amendamentet trajtojnë përbërjen e Këshillit, kriteret për kandidim, përfaqësimin e niveleve të gjyqësorit, vlerësimin e integritetit dhe aftësive menaxheriale, si dhe përzgjedhjen dhe vlerësimin e performancës së gjyqtarëve. Propozimet përfshijnë gjithashtu shumicën e kërkuar për zgjedhjen dhe shkarkimin e anëtarëve të Këshillit, procedurat disiplinore ndaj tyre, mandatin e kryetarëve të gjykatave dhe gjyqtarëve mbikëqyrës, administratën gjyqësore dhe kriteret për zyrtarët e Njësisë për Inspektim dhe Verifikim.
Për projektligjin që rregullon KPK-në, IKD propozon që anëtarët joprokurorë të zgjidhen me shumicën e votave të të gjithë deputetëve dhe që për anëtarët e Komisionit për Vlerësimin e Performancës së Prokurorëve të zhvillohet konkurs i hapur. Raporti propozon që vlerësimin e performancës së kryeprokurorëve ta bëjë KPK-ja dhe që rregullimi i administratës së sistemit prokurorial të trajtohet në ligjin përkatës për Prokurorin e Shtetit.
Për Akademinë e Drejtësisë, IKD propozon largimin e Ministrit të Drejtësisë nga Këshilli Drejtues. Sipas raportit, përfshirja e tij në këtë organ mundëson pjesëmarrjen e pushtetit ekzekutiv në vendimmarrjen e një institucioni të pavarur, përfshirë vendimet për ankesa lidhur me vlerësimin e trajnimit fillestar të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Propozimi mbështetet edhe në rekomandimin e Komisionit të Venecias për largimin e Ministrit nga Këshilli Drejtues.
Përmes këtyre dy hulumtimeve parlamentare, IKD synon të paraqesë zgjidhje konkrete për çështjet e identifikuara në pesë projektligjet, me qëllim që dispozitat të jenë më të qarta dhe të zbatueshme dhe të forcohen garancitë për pavarësinë, llogaridhënien dhe sigurinë juridike në sistemin e drejtësisë.
Raportin Llogaridhënia dhe integriteti në sistemin e drejtësisë e gjeni në këtë link dhe Reforma e Këshillit Gjyqësor, Këshillit Prokurorial dhe Akademisë së Drejtësisë e gjeni në këtë link
