Prishtinë, 15 tetor 2026 – Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), në kuadër të edicionit të dytë të Akademisë për Drejtësi Sociale, zhvilloi dy ligjërata kushtuar përgjegjësisë sociale të shtetit, rolit të qytetarëve dhe shoqërisë civile, si dhe procesit legjislativ në Kuvendin e Kosovës.
Ligjëratën e parë e mbajti Albert Mecini, kandidat për doktoratë dhe asistent në Departamentin e Sociologjisë në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës, me temën “Shteti modern dhe përgjegjësia sociale: të drejtat, barazia dhe shoqëria civile”.
Gjatë ligjëratës u diskutua zhvillimi historik i shtetit, raporti ndërmjet individit dhe institucioneve, dinjiteti i njeriut dhe rëndësia e të drejtave sociale për paqen sociale. Pjesëmarrësit trajtuan edhe rolin e barazisë, përfshirjes së grave në jetën publike, racionalitetit në debatet shoqërore dhe përgjegjësisë së shtetit për të mos lënë pas grupe të ndryshme të qytetarëve.
Pas ligjëratës, pjesëmarrësit u ndanë në pesë grupe për një ushtrim praktik. Përmes analizës së rasteve, grupet identifikuan institucionet përgjegjëse, të drejtat dhe interesat sociale që mund të cenohen, si dhe hapat që mund të ndërmarrin qytetarët dhe shoqëria civile për të kërkuar zgjidhje dhe llogaridhënie institucionale.
Ligjëratën e dytë e mbajti Arben Loshi, Drejtor i Drejtorisë për Hulumtime, Bibliotekë dhe Arkiv në Kuvendin e Kosovës, me temën “Nga nevoja sociale te ligji: procesi legjislativ në Kuvendin e Kosovës”.
Z. Loshi paraqiti rrugëtimin që mund të ndjekë një problem social për t’u shndërruar në nismë ligjore, politikë publike ose ndryshim të legjislacionit. Ai trajtoi rëndësinë e hulumtimit, nismës ligjore, punës në komisione, amendamenteve, dëgjimeve publike, vlerësimit të ndikimit financiar, votimit dhe mbikëqyrjes së zbatimit të ligjeve.
Diskutimi theksoi se miratimi i një ligji nuk e përfundon përgjegjësinë e institucioneve. Qytetarët, shoqëria civile, deputetët dhe komisionet parlamentare kanë rol të rëndësishëm që ligjet për të drejtat sociale të financohen, zbatohen dhe të prodhojnë efekt real në jetën e qytetarëve.
Akademia për Drejtësi Sociale organizohet nga IKD me mbështetjen e National Endowment for Democracy (NED), me synim avancimin e njohurive dhe diskutimit publik për mbrojtjen efektive të të drejtave sociale në Kosovë.
