Në një intervistë për gazetën Tribuna, Betim Musliu nga Instituti i Kosovës për Drejtësi ka thënë se manipulimet e zgjedhjeve që bëjnë edhe ndryshime të mëdha në rezultat planifikohen, financohen dhe ekzekutohen nga grupe mirë të organizuara të cilat parapërgatitin këto manipulime shumë kohë përpara.
Musliu ka theksuar në vitin 2010, organet e ndjekjes nuk kanë zhvilluar hetime të mirëfillta mirëpo pothuajse të gjitha rastet i kanë ngritur si akuza të drejtpërdrejta bazuar në formularët të cilët Qendra për Numërim dhe Rezultate i ka konstatuar se nuk përputhen. IKD nuk është pajtuar me politikën e ndjekjes, pasi prokurorët janë mjaftuar me akuzimin e komisionarëve, por nuk kanë ndjekur organizatorët e këtyre manipulimeve, pra krimin e organizuar në zgjedhje.
Ai tha se për herë të parë ekziston ky nivel i lartë i koordinimit dhe bashkëpunimit ndërmjet policisë dhe prokurorisë. Është hera e parë që në çdo komunë do të ketë prokurorë kujdestar dhe hetues rajonal që do të jenë së bashku për ditën e zgjedhjeve dhe do të punojnë 24 orë. Dëshmi e fuqishme se sivjet këto institucione janë proaktive janë mbi 30 rastet e iniciuara në polici dhe në gjysmën e tyre tashmë po zhvillohen hetime penale, kemi persona të ndaluar, të arrestuar dhe të paraburgosur, ndërsa ende jemi vetëm në kohën e fushatës.