IKD: Vendimet e KPM-së po cenojnë seriozisht lirinë e mediave në Kosovë

IKD: Vendimet e KPM-së po cenojnë seriozisht lirinë e mediave në Kosovë

IKD: Vendimet e KPM-së po cenojnë seriozisht lirinë e mediave në Kosovë

Prishtinë, 11 qershor 2026 – Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) është duke përcjellë me shqetësim të thellë vendimmarrjen e fundit të Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM), përmes së cilës ky institucion është duke cenuar seriozisht lirinë e mediave në Kosovë. Këto vendime paraqesin tejkalim të mandatit ligjor të KPM-së dhe krijojnë standard të rrezikshëm për funksionimin e mediave, debatit publik dhe demokracisë.

Në vendimmarrjen e saj, KPM është duke marrë kompetenca që nuk i takojnë rregullatorit, por gjykatës. Përmes këtyre vendimeve, KPM po shqipton sanksione ndaj mediave për deklarata të personave të tretë, të dhëna në debate televizive, duke ua mveshur mediave përgjegjësi automatike për çdo fjalë të të ftuarve. Një qasje e tillë është e kundërligjshme dhe e papranueshme në një shoqëri demokratike.

KPM është rregullator i mediave, jo gjykatë që shqyrton përgjegjësinë për shpifje apo ofendim ndaj palëve të treta. Detyra e KPM-së është të vlerësojë nëse mediumi ka respektuar standardet profesionale: a ka ndërhyrë moderatori kur ka qenë e nevojshme, a është dhënë mundësi për përgjigje, a është bërë dallimi mes faktit dhe opinionit, a është ruajtur balanca dhe a është vepruar me kujdes editorial. Por, KPM nuk ka kompetencë të konstatojë vetë se një deklaratë është shpifje, e pavërtetë apo dëmtuese për reputacionin e dikujt. Këto janë çështje që mund të iniciohen me padi civile nga palët që potencialisht mund të konsiderojnë se iu është cenuar ndonjë e drejtë dhe atë përmes rrugëve gjyqësore.

Pikërisht këtu qëndron problemi. Në vend se të analizojë sjelljen editoriale të mediumit, KPM po shqyrton përmbajtjen e deklaratave të të ftuarve dhe po i dënon mediat sikur ato të ishin autorë të deklaratave. Kjo e kthen përgjegjësinë editoriale në përgjegjësi objektive, standard ky që bie ndesh me lirinë e medias dhe me parimet themelore të nenit 10 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ) ka vendosur qartë se ndëshkimi i gazetarit për përhapjen e deklaratave të bëra nga një person tjetër në intervistë e pengon seriozisht rolin e mediave në debat publik dhe mund të arsyetohet vetëm kur ka arsye veçanërisht të forta (Jersild kundër Danimarkës, §35). Po ashtu, GJEDNJ ka theksuar se nuk mund të kërkohet nga gazetarët që sistematikisht dhe formalisht të distancohen nga çdo citim që mund të provokojë, fyejë apo dëmtojë reputacionin e dikujt (Thoma kundër Luksemburgut, §64). Në të njëjtën frymë, GJEDNJ ka konstatuar se përgjegjësia objektive për përmbajtje të palëve të treta, pa balancim mes lirisë së shprehjes dhe reputacionit, cenon nenin 10 të Konventës (Magyar Jeti Zrt kundër Hungarisë, §83).

Për më tepër, në çështje të tilla duhet bërë dallim i qartë mes fakteve dhe gjykimeve vlerësuese. GJEDNJ ka theksuar se faktet mund të provohen, ndërsa e vërteta e gjykimeve vlerësuese nuk është e provueshme në të njëjtën mënyrë (Lingens kundër Austrisë, §46). KPM nuk mund ta shmangë këtë test dhe të sillet sikur çdo deklaratë e rëndë politike është automatikisht shkelje e mediumit. Në këtë drejtim IKD fton kryetarin dhe anëtarët e KPM t’i kthehen ligjshmërisë dhe misionit të tyre për të ushtruar kompetencat dhe përgjegjësitë e tyre vetëm në bazë të ligjit dhe brenda autorizimeve dhe kompetencave që ofron Kushtetuta dhe ligji i aplikueshëm në Kosovë.

IKD rithekson se gjuha fyese, sulmet personale dhe pretendimet e rënda në hapësirën publike nuk duhet të normalizohen. Mediat kanë përgjegjësi profesionale për mënyrën se si i trajtojnë këto deklarata. Por kjo përgjegjësi nuk mund të kthehet në ndëshkim automatik. Nëse dikush pretendon se është shpifur, rruga ligjore është gjykata. Nëse KPM vlerëson se mediumi nuk ka respektuar standardet editoriale, atëherë duhet ta provojë konkretisht dështimin editorial dhe proporcionalitetin e masës dhe jo automatikisht të sanksionojë mediat.

Në anën tjetër, IKD ka parë me shqetësim edhe paralajmërimet për ndalimin e emisionit DEBAT PLUS të TV Dukagjini, paralajmërim që erdhi në formë të kërcënimit. Ai rast ishte skandaloz dhe shpërfaqi mendësinë problematike me të cilën KPM po i qaset mediave: fillimisht paralajmërohet masa, pastaj kërkohet arsyetimi. Në një demokraci, kjo logjikë është e rrezikshme.

Megjithatë, problemi nuk është vetëm tek ky rast. Vendimet e fundit të KPM-së tregojnë një praktikë më të gjerë të veprimit jashtë kufijve të mandatit ligjor, me arsyetime të dobëta, pa test real proporcionaliteti dhe me qasje ndëshkuese ndaj mediave. Ky nuk është rregullim ligjor i tregut medial, por presion institucional ndaj debatit publik.

IKD i bën thirrje KPM-së që të luajë rolin e saj kushtetues dhe ligjor si rregullator, jo si gjykatë. KPM duhet ta kthejë ligjshmërinë në vendimmarrjen e saj, përfshirë vendimet e kundërligjshme për shkak të tejkalimit të afateve dhe procedurave të ndërlidhura me rekomandimet e Zyrës Ekzekutive të udhëhequr nga ushtrues detyre jashtë standardeve ligjore. KPM duhet të heqë dorë nga qasja armiqësore ndaj mediave dhe të veprojë vetëm mbi bazën e ligjit, fakteve, procedurës së rregullt dhe standardeve evropiane për lirinë e medias.

IKD i bën thirrje KPM-së që urgjentisht të përfundojë procedurën për zgjedhjen e kryeshefit ekzekutiv, në përputhje me ligjin dhe përmes një procesi meritor. Vazhdimi i ushtrimit të kësaj pozite përmes ushtruesve të detyrës cenon ligjshmërinë, funksionalitetin dhe besueshmërinë e vendimmarrjes së KPM-së.

IKD kërkon përgjegjësi dhe llogaridhënie edhe nga Kuvendi i Kosovës, i cili ende nuk e ka funksionalizuar Bordin e Ankesave ndaj vendimeve të KPM-së. Mosfunksionalizimi i këtij mekanizmi ua cenon mediave të drejtën për mjet efektiv juridik dhe e lë vendimmarrjen e KPM-së pa kontrollin e nevojshëm institucional brenda procedurës administrative.

IKD i bën thirrje legjislaturës së ardhshme që, në emërimin e personave në institucionet e pavarura, të udhëhiqen vetëm nga kriteret e integritetit personal, profesionalizmit dhe pavarësisë. Institucionet e pavarura nuk guxojnë të mbushen me persona që marrin vendime të kundërligjshme, cenojnë lirinë e mediave dhe e kthejnë rregullatorin në instrument presioni ndaj debatit publik.