Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) në bashkëpunim me Prokurorin e Shtetit, Syri i Vizionit dhe Iniciativa e Femrës Kosovare kanë organizuar të mërkurën në Gjakovë tryezën “Drejtësia në zgjedhjet e 3 nëntorit”, me pjesëmarrjen e të gjithë akterëve të institucioneve të drejtësisë të nivelit qendror dhe lokal, me kandidatët e partive politike, shoqërinë civile dhe mediat. Qëllimi i kësaj tryeze ishte ngritja e debatit dhe senzibilizimi i të gjithë akterëve, partive politike dhe opinionit të gjerë rreth gatishmërisë së institucioneve të drejtësisë për të luftuar çdo veprim në drejtim të manipulimit të votave në zgjedhjet e 3 nëntorit 2013.
Gjatë kësaj tryeze, Betim Musliu nga IKD, tha se për dallim nga zgjedhjet e kaluara, në të cilat roli i organeve ndjekëse nuk ka qenë proaktiv, sivjet me inciativë të Kryeprokurori të Shtetit janë aktivizuar institucionet e drejtësisë, duke luajtur rol proaktiv në parandalimin dhe luftimin e veprave penale kundër të drejtave të votimit. Ky rol proaktiv, ishte edhe rekomandim i dal nga raporti i IKD-së, “Krimi i Organizuar në zgjedhje: Analizë e politikës së ndjekjes dhe dënimeve”.
Të gjithë përfaqësuesit nga organet e drejtësisë thanë se më 3 nëntor 2013 të gjitha institucionet përgjegjëse do të jenë të gatshme të veprojnë me efektivitet dhe në bazë të Procedurave të Veprimit (PSV), në mënyrë që të gjithë ata që dhunojnë votën të ndëshkohen dhe të paraqiten para ligjit.
Ndërkaq, përfaqësuesit e partive politike, pjesa dërrmuese kandidatë për kryetarë, kanë përgëzuar iniciativën dhe njëherësh kanë ngritur shqetësimet e tyre rreth postereve të partive politike, të cilat janë hequr dhunshëm nga persona të paidentifikuar në Gjakovë si dhe nevojën që Policia e Kosovës të reagojë me urgjencë në të gjitha rastet që paraqiten.
Komunikatën e plotë e gjeni duke klikuar këtu