Gjakovë, 16 tetor – Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) në bashkëpunim me Prokurorin e Shtetit, Syri i Vizionit dhe Iniciativa e Femrës Kosovare kanë organizuar të mërkurën në Gjakovë tryezën “Drejtësia në zgjedhjet e 3 nëntorit”, me pjesëmarrjen e të gjithë akterëve të institucioneve të drejtësisë të nivelit qendror dhe lokal, me kandidatët e partive politike, shoqërinë civile dhe mediat. Qëllimi i kësaj tryeze ishte ngritja e debatit dhe senzibilizimi i të gjithë akterëve, partive politike dhe opinionit të gjerë rreth gatishmërisë së institucioneve të drejtësisë për të luftuar çdo veprim në drejtim të manipulimit të votave në zgjedhjet e 3 nëntorit 2013.
Betim Musliu nga IKD, tha se për dallim nga zgjedhjet e kaluara, në të cilat roli i organeve ndjekëse nuk ka qenë proaktiv, sivjet me inciativë të Kryeprokurori të Shtetit janë aktivizuar institucionet e drejtësisë, duke luajtur rol proaktiv në parandalimin dhe luftimin e veprave penale kundër të drejtave të votimit. Ky rol proaktiv, ishte edhe rekomandim i dal nga raporti i IKD-së, “Krimi i Organizuar në zgjedhje: Analizë e politikës së ndjekjes dhe dënimeve”. Musliu tha se IKD do të monitorojë zbatimin e
Memorandumit të Bashkëpunimit “Lidhur me zgjedhjet 2013”.
Koordinatorja Nacionale për zgjedhje nga Prokurori i Shtetit, znj. Laura Pula, tha se si asnjëherë më parë këtë herë roli i Prokurorit të Shtetit është shumë proaktiv. “Sivjet me iniciativë të Kryeprokurorit të Shtetit, z. Ismet Kabashi me 18 shtator 2013 është nënshkruar Memorandum Bashkëpunimi “Lidhur me zgjedhjet 2013” në mes Këshillit Prokurorial të Kosovës, Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Policisë së Kosovës, Komisionit Qendror Zgjedhor dhe Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa me qëllim të ngritjes së bashkëpunimit dhe koordinimit në mes të këtyre institucioneve në ndërmarrjen e aktiviteteve për luftim të suksesshëm të veprave penale kundër të drejtave të votimit duke përfshirë këtu, edhe parandalimin e këtyre veprave penale që bien ndesh me legjislacionin në fuqi”.
Koordinatorja Pula, tha se si rezultat i këtij memorandumi Policia e Kosovës në bashkëpunim me Prokurorin e Shtetit kanë përpiluar Procedurat Standarde të Veprimit (PSV) për të shtuar efikasitetin e veprimeve për veprat penale kundër të drejtave të votimit. “Po e përsërisë se në të gjithë territorin e Kosovës në ditën e zgjedhjeve do të kooperojnë 50 prokuror së bashku me Hetues nga Policia e Kosovës. Parimi kryesor që del nga PSV-të është ndalim/arrestimi i të gjithë personave të cilët në një apo mënyrë tjetër do të veprojnë kundër të drejtave të votimit”.
Pula theksoi se bazuar në PSV-të të hartuara në përputhje me dispozitat ligjore, ndjekja dhe hetimi i keqpërdoruesve do të bëhet në të gjitha rastet, pra edhe në ato raste specifike, kur veprat penale kundër të drejtave të votimit, kryhen nga komisionerët dhe nuk lajmërohen. “Në këto raste ne së bashku me policinë do të shfrytëzojmë dispozitat ligjore për të verifikuar dhe ndalur të gjithë personat e inkriminuar”. Poashtu, ajo ka bërë të ditur se deklarimet publike të pabazuara në prova dhe dëshmi do të ndiqen zyrtarisht për deklarim të rrejshëm. “Këtë herë nuk do të lejojmë që askush ta bombardojë opinionin me deklarata, të cilat nuk kanë bazë por bëhen për qëllime të caktuara, prandaj ata persona do të ndiqen për deklarim të rrejshëm”. Koordinatorja Pula, ka inkurajuar të gjithë qytetarët që të denoncojnë çdo keqpërdorim në organet përgjegjëse për të siguruar mbrojtjen e votave dhe procesin e zgjedhjeve.
Kryeprokurorja e Prokurorisë Themelore në Gjakovë, z.Shpresa Bakija, tha se sikur në qendrat e tjera edhe në Rajonin e Gjakovës, janë caktuar prokurorët kujdestar që do të bashkëpunojnë me hetuesinë dhe policinë. “Gjakova, Malisheva dhe Rahoveci kanë prokurorët kujdestar, të cilët bashkë me policinë dhe hetuesinë do të bashkëpunojnë për të zbatuar me përpikëri PSV-të”. Kryeprokurorja Bakija tha se për zgjedhjet e kaluara janë ngritur 11 aktakuza me 78 persona, ndërsa ndaj dy prej tyre kanë përfunduar gjykimet. “Për këto zgjedhje kemi pasur një rast të paraqitur nga një përfaqësues i Lëvizjes Vetëvendosjes, të cilin rast, pasi e kemi trajtuar e kemi parë se nuk ka të bëjë me veprat penale kundër të drejtave të votimit. Por, dua të theksoj se ne kemi vepruar me urgjencë në këtë rast”.
Zëvëndesdrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, z. Naim Rexha, tha se bashkëpunimi me Prokurorinë dhe institucionet tjera përmes Memorandumit të Bashkëpunimit, ka shtuar rolin proaktiv në parandalimin dhe ndjekjen e këtyre veprave penale për zgjedhjet. “Policia e Kosovës ka përgatitur planet e veta të veprimit. Ne bashkë me prokurorët jemi duke i zbatuar PSV-të dhe kemi raste tashmë për të cilat kemi veprime konkrete, kemi persona të dyshuar dhe persona që janë në arrest shtëpiak për veprat penale kundër të drejtave të votimit”. Gjykatës në Gjykatën Themelore të Gjakovës, z. Gëzim Pozhegu, tha se gjyqësori po i trajton me prioritet lëndët e zgjedhjeve sipas politikës së vendosur nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës. Ai tha se si në të gjitha qendrat e Kosovës edhe në Gjakovë është caktuar gjykatësi kujdestar, i cili do të jetë i gatshëm për t’iu përgjigjur të gjitha rasteve që paraqiten në gjykatë. Pozhegu ka theksuar se Kodi Penal me Kapitullin e kushtuar veprave penale kundër të drejtave të votimit ka ashpërsuar dënimet. Përfaqësuesit e partive politike, pjesa dërrmuese kandidatë për kryetarë, kanë përgëzuar iniciativën dhe njëherësh kanë ngritur shqetësimet e tyre rreth postereve të partive politike, të cilat janë hequr dhunshëm nga persona të paidentifikuar në Gjakovë si dhe nevojën që Policia e Kosovës të reagojë me urgjencë në të gjitha rastet që paraqiten.
Ky aktivitet është pjesë e serisë së tryezave të diskutimit në qendrat kryesore të Kosovës, që zhvillohen në kuadër të projektit “Iniciativa për ngritje të efikasitetit të institucioneve të drejtësisë për zgjedhje të lira, të drejta dhe demokratike në Kosovë” që përkrahet nga Ambasada e Britanisë së Madhe në Prishtinë. Tryezat e radhës do të mbahen në pesë qendrat tjera si në Pejë, Mitrovicë, Ferizaj, Prishtinë dhe Gjilan.