Kërcënimet në zgjedhje, të papranueshme

Kërcënimet në zgjedhje, të papranueshme

Ambasadorja e SHBA-së, Tracey Ann Jacobson në një intervistë për RTK, ka thënë se është duke e përcjell nga afër fushatën parazgjedhorë për zgjedhjet e 3 nëntorit. Jacobson ka theksuar se ka shumëçka që mund të thuhet se është pozitive. Sipas saj, fushatat në përgjithësi janë mbajtur pa incidente serioze.
“Fushatat ofrojnë mundësi të shkëlqyeshme për udhëheqësit politikë që të dëgjojnë drejtpërdrejt prej njerëzve dhe komuniteteve rreth sfidave me të cilat përballen ata. Por, në fund të fundit, do të varet nga vetë votuesit për të vendosur rreth cilësisë së secilit kandidat. Kemi dëgjuar raporte shqetësuese të kërcënimeve dhe frikësimeve dhe natyrisht, kjo është e papranueshme. Këto duhet të raportohen në polici. Kam biseduar me shefin e policisë dhe me ministrin e punëve të brendshme dhe e di se ata janë të gatshëm që të hetojnë çfarëdo rasti të parregullsisë që shfaqet. Kam pasur rastin të flas edhe me kryeprokurorin e shtetit. E di që të gjithë prokurorët janë të trajnuar dhe të gatshëm që ta zbatojnë ligjin, përfshirë edhe ndëshkime më të rrepta dhe gjoba më të mëdha që janë përfshirë në Kodin e ri të Procedurës Penale që ka hyrë në fuqi në vitin 2012”, ka thënë ambasadorja amerikane.