Prishtinë, 18 prill 2020 – Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), me përkrahje të Departamentit të Shtetit Amerikan – Byrosë së Narkotikëve Ndërkombëtar dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit (INL) dhe NED-it, publikon raportin: ‘“Sinjalizim publik” për mos zbatimin e Ligjit për Mbrojtjen e Sinjalizuesve: (Analizë e zbatimit të Ligjit për Mbrojtjen e Sinjalizuesve nga institucionet publike).”
Në Republikën e Kosovës prej 2 janarit 2019 ka hyrë në fuqi Ligji Nr. 06/L-085 për Mbrojtjen e Sinjalizuesve (LMS), i cili ka përcaktuar rregullat, procedurat e sinjalizimit, të drejtat dhe mbrojtjen e sinjalizuesve si dhe detyrimet e institucioneve publike dhe subjekteve private në lidhje me sinjalizimin. LMS ka përcaktuar ndërtimin e një sistemi të sinjalizimit, e që për konsolidimin e këtij sistemi, i njëjti ligj ka përcaktuar obligime ligjore konkrete për të gjitha institucionet publike dhe private. Në këtë drejtim, LMS ka përcaktuar se secili institucion publik, ndër të tjera, ka për obligim ligjor që brenda afatit prej gjashtë (6) muajve të caktojë zyrtarin përgjegjës për rastet e sinjalizimit si dhe të njoftojë me shkrim të gjithë të punësuarit lidhur me procedurat e sinjalizimit dhe të drejtat e parapara me LMS. Mos zbatimi i këtyre obligimeve ligjore brenda afatit ligjor, sipas LMS-së sanksionohet si kundërvajtje, të cilën procedurë, AKK obligohet që ta iniciojë me së largu brenda gjashtë (6) muajve.
IKD në këtë raport ka monitoruar dhe hulumtuar zbatimin dhe mos zbatimin e obligimeve ligjore të LMS-së nga ana e institucioneve publike. Në këtë drejtim, lidhur me përmbushjen e këtyre obligimeve ligjore dhe respektimit të afateve ligjore, IKD u është drejtuar me kërkesa për informata dhe qasje në dokumente publike, 137 institucioneve publike.
Gjetjet e IKD-së tregojnë se jo të gjitha institucionet publike e kanë të qartë LMS-në, mënyrën dhe procedurën e funksionimit të tij si dhe obligimet që këto institucione kanë përballë këtij ligji. Për më tepër, vërehen disa mos kuptime elementare, siç është dallimi në mes zyrtarit përgjegjës për rastet e sinjalizimit dhe sinjalizuesve apo faktit se emri i zyrtarit përgjegjës duhet të dihet nga të punësuarit etj. Kësaj paqartësie të institucioneve publike i ka kontribuar edhe mungesa e legjislacionit sekondar. Nisur nga fakti se LMS është ende në fazën e konsolidimit, mungesa e njohurive lidhur me fushën e sinjalizimit nga ana e institucioneve publike paraqet sfidë serioze në zbatimin e LMS-së, veçanërisht në rastet kur në institucionet publike paraqiten raste konkrete të sinjalizimit të brendshëm.
Në një rast, një institucion publik zyrtarin përgjegjës për rastet e sinjalizimit, në mungesë të njohurive mbi LMS-në, e kishte mbajtur të fshehur për punëtorët e tjerë, përkatësisht për personat që potencialisht mund të paraqiten si sinjalizues. Arsyetimi për këtë veprim kishte qenë qëllimi i institucionit publik që zyrtari përgjegjës për rastet e sinjalizimit “të jetë i suksesshëm në punë”. Ndërsa, në dy (2) përgjigje të pranuara nga IKD, institucionet publike zyrtarit përgjegjës për rastet e sinjalizimit i referohen si “sinjalizues”.
Në anën tjetër, nga të gjitha institucionet që janë përgjigjur në kërkesat e IKD-së, të paktën njëra nga to nuk ka caktuar fare zyrtarin përgjegjës për rastet e sinjalizimit, derisa në caktimin e zyrtarëve përgjegjës për rastet e sinjalizuesve, 23 institucione kanë shkelur afatin ligjor prej gjashtë (6) muajve pas hyrjes në fuqi të LMS-së. Lidhur me caktimin e zyrtarëve përgjegjës për rastet e sinjalizimit, në të paktën shtatë (7) raste, institucionet publike kanë caktuar zyrtarin përgjegjës për rastet e sinjalizimit vetëm pasi IKD ka dërguar kërkesë për informata dhe qasje në dokumente publike në institucionet respektive.
Nisur nga fakti se zyrtari përgjegjës për rastet e sinjalizimit caktohet thjesht me nxjerrjen e një vendimi nga punëdhënësi, IKD vlerëson se shkelja e afatit ligjor në këtë rast paraqet mos seriozitet të këtyre institucioneve publike përballë LMS-së.
Në anën tjetër, nga të gjitha institucionet që kanë kthyer përgjigje, 51 prej tyre kanë njoftuar se u kanë siguruar të punësuarve udhëzime me shkrim lidhur me procedurat e sinjalizimit. Katër (4), institucione publike nuk i kanë njoftuar fare të punësuarit e tyre lidhur me të drejtat që dalin nga LMS. Ndërsa, 17 institucione të tjera nuk e kishin respektuar formën e dhënies së udhëzimeve për të punësuarit, në atë mënyrë që tetë (8) institucione publike kanë deklaruar se udhëzimet i kanë dhënë gojarisht, derisa nëntë (9) të tjera këtë obligim ligjor “e kanë përmbushur” me anë të publikimit të Udhëzuesit për Mbrojtjen e Sinjalizuesve në faqet e tyre zyrtare. Ndërsa, të paktën gjashtë (6) institucione publike, njoftimin me shkrim për të punësuarit lidhur me procedurat e sinjalizimit e kishin bërë vetëm pasi IKD kishte dërguar kërkesë për informata dhe qasje në dokumente publike në institucionet respektive.
Lidhur me shkeljet e obligimeve ligjore sipas LMS-së, në këtë raport IKD ka evidentuar se në total, institucionet publike kanë kryer gjithsej 61 kundërvajtje, të cilat janë të listuara në një tabelë të veçantë.
Për më tepër, nga të gjitha përgjigjet e pranuara, IKD ka gjetur se në të gjitha institucionet publike, si sinjalizim i brendshëm ka qenë vetëm një (1) rast, derisa AKK ka konfirmuar se ka qenë edhe një rast tjetër i sinjalizimit të brendshëm, si dhe pesë (5) raste të sinjalizimit të jashtëm.
Mbi bazën e këtyre gjetjeve, IKD vlerëson se edhe pasi ka kaluar mbi një (1) viti që nga hyrja në fuqi e LMS-së, sistemi i sinjalizimit i përcaktuar nga LMS ende nuk ka arritur të konsolidohet. Kjo ka ndodhur kryesisht për shkak të mos njohurive të institucioneve publike mbi LMS-së dhe mos seriozitetin e të njëjtave për të zbatuar obligimet ligjore sipas afateve të përcaktuara.
Por, krahas këtij mos serioziteti, IKD konsideron se AKK ka bërë shmangie nga përgjegjësitë e saja ligjore si mbikëqyrëse e institucioneve publike në zbatimin e LMS-së, të cilat autorizime ligjore konsistojnë veçanërisht në mbikëqyrjen e zbatimit të obligimeve ligjore dhe inicimit të procedurave kundërvajtëse në rast të mos zbatimit, të cilin inicim, AKK nuk e ka bërë në asnjë rast.
LMS ka pasur vlerësime pozitive. Por si i vetëm, LMS nuk garanton sukses të fushës së sinjalizimit në Republikën e Kosovës, nëse i njëjti nuk zbatohet në praktikë. Për këtë arsye, për të sanuar praktikat e mos zbatimit të obligimeve ligjore nga ana e institucioneve publike, AKK duhet që menjëherë të fillojë procedurat kundërvajtëse ndaj të gjitha institucioneve që nuk kanë përmbushur këto obligime.
Për më tepër shkarkoni raportin e IKD-së ‘“Sinjalizim publik” për mos zbatimin e Ligjit për Mbrojtjen e Sinjalizuesve: (Analizë e zbatimit të Ligjit për Mbrojtjen e Sinjalizuesve nga institucionet publike).”