Prishtinë, 28 qershor 2024 – Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), ka organizuar sot tryezë të diskutimit ku ka publikuar Raportin me titull: “Strategjia në udhëkryq”, raport i monitorimit të zbatimit të Strategjisë për Sundimin e Ligjit dhe Planit të Veprimit.
Panelistë të kësaj tryeze ishin: Astrit Hoti, Drejtor i Departamenti për Çështje Ligjore në SKGjK-së, Yll Buleshkaj, Drejtor i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, Mexhide Demolli-Nimani, Drejtore në Lëvizjen FOL dhe Gzim Shala, Menaxher i Programeve/Hulumtues i Lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi.
Në këtë tryezë ishin të ftuar edhe përfaqësuesit e Qeverisë së Kosovës, konkretisht Ministria e Drejtësisë, mirëpo të njëjtit nuk iu përgjigjen ftesës për pjesëmarrje, edhe pse kanë ditur rëndësinë e kontributit të tyre në këtë diskutim.
Raportin para pjesëmarrësve të tryezës e prezantoi Gzim Shala, Hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), i cili tha se Strategjia për Sundimin e Ligjit (SSL) për vitet 2021-2026 e cila është derivat i procesit të Rishikimit Funksional të Sistemit të Sundimit të Ligjit (RFSSL), është një prej iniciativave më të mëdha dhe më serioze për avancimin e sundimit të ligjit në Kosovë. Por, që miratimi i kësaj Strategjie nuk është përcjellë me vullnet të mjaftueshëm për zbatimin e saj në praktikë.
Shala tha se në raportin e kaluar, IKD gjente se raportimi lidhur me nivelin e zbatimit të Strategjisë nuk ishte real dhe kjo për dy arsye: Moszbatimi i aktiviteteve në përputhje me SSL-në dhe dokumentet e dala nga RFSSL dhe raportimi i pasaktë mbi zbatimin e aktiviteteve të parapara me Planin e Veprimit (PV).
Sipas tij, këto probleme me zbatimin kanë vazhduar, duke theksuar se raporti i Komitetit Drejtues tregon se ka pasur regres.
“Raporti tregon se 41% e Planit të Veprimit (PV) i SSL për vitin 2023 është zbatuar plotësisht apo 2% më pak se në vitin paraprak. Sipas raportit, 34% e aktiviteteve të planifikuara janë zbatuar pjesërisht, pra 11% më pak se në vitin paraprak. Moszbatueshmëria pati ngritje për 12%, ashtu që përqindja e aktiviteteve të pazbatuara sipas Planit të Veprimit të SSL arriti në 24%”, tha Shala.
Sipas Shalës, edhe Komisioni Evropian konstatoi në raportin e vitit 2023 se implementimi i SSL dhe PV vazhdon me ritëm të ngadaltë, me regres të dukshëm. Në anën tjetër, problemet e tjera përfshijnë mungesën e vullnetit të Qeverisë për të përmbushur obligimet e përcaktuara dhe se SSL-ja tani është e paralizuar, pasi që Planit të Veprimit i ka skaduar afati në fund të vitit 2023 dhe rishikimi afatmesëm i SSL-së nuk është kryer në kohën e duhur, duke lënë dokumentin në një gjendje ku nuk mund të implementohet.
Në fjalën e tij, Astrit Hoti, Drejtor i Departamenti për Çështje Ligjore në SKGjK-së, tregoi për aktivitetet që nuk u realizuan në kuadër të Strategjisë për Sundimin e Ligjit, duke shtuar se ata janë të përkushtuar për implementimin e Planit të Veprimit.
Sipas të njëjtit KGjK të gjitha aktivitetet e Planit të Veprimit lidhur me Strategjinë i kishte përdorur në Planin e Punës së KGjK-së për vitin 2023-2024.
“Këshilli Gjyqësor i Kosovës këtë dokument e ka marrë me seriozitetin ma të madh më të rëndësishëm për shkakun se të gjithë aktivitetet e Planit të Veprimit lidhur me Strategji i ka shti në Planin e Punës së KGjK-së për vitin 2023-2024, ka qenë një angazhim i jashtëzakonshëm i të gjitha njësive, gjykatave, janë mbajtur shumë takime lidhur me implementimin e aktiviteteve që thjesht është bo një garë aq e madhe që është marrë si dokument shumë i rëndësishëm”, tha Hoti.
Yll Buleshkaj, Drejtor i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, ka thënë se zbatimi i Planit për Strategjinë e Sundimit të Ligjit duhet të merret seriozisht nga të gjithë akterët që e kanë obligim zbatimin e saj. Ai tha se nuk mund të pajtohet se nuk kanë mbetur më aktivitete për t’u zbatuar pasi, sipas tij kanë mbetur shumë aktivitete nga plani i kaluar.
Buleshkaj përmendi se planifikimi i buxhetit është problematikë që i ka përcjellë edhe në këtë Plan Strategjik të sundimit të ligjit. Buleshkaj tha se do duhej që paralelisht me miratimin e legjislacionit të planifikohet edhe buxheti, duke thënë se kjo duhet të ndodhë edhe në Strategjinë Kundër Korrupsion.
“Kemi mjaft shumë ligje që aprovohen por planifikimi i tyre buxhetor është zero”, tha Buleshkaj.
Mexhide Demolli Nimani, nga Lëvizja FOL, tha se në vend të progresit ka pasur vetëm acarime të raporteve mes Qeverisë dhe sektorit të drejtësisë.
“Në vend të progresit të pritur tani mund të shohim vetë acarim të raporteve mes Qeverisë dhe sektorit të drejtësisë që fillimisht ka filluar si shkak i iniciativave për uljen e pagave gjyqtarëve dhe prokurorëve. Kjo ka shkaktuar tensione dhe pakënaqësi mes profesionistëve të drejtësisë duke penguar kështu edhe procesin e reformës tutje”, tha Demolli- Nimani
Enver Fejzullahu, Drejtor i Akademisë së Drejtësisë, tha se nuk kanë pasur rritje të buxhetit për përmbushjen e masave të cilat përcaktohen në Strategjinë për Zbatimin e Sundimit të ligjit.
“Rritje të buxhetit nuk kemi pas, është një trend i vazhdueshëm, gjithë akterët duhet të mendojnë një zgjidhje afatgjate për buxhetin që të vendos një kufi buxhetor…Kemi pasur rritje në kuptim të zyrtarëve. Nëse kemi rritje të gjyqtarëve duhet të kemi edhe rritje në buxhet, kjo nuk ka ndodhur. Ka pasur një përqindje të vogël të investimet kapitale”, tha ai.
Ismail Dibrani, Drejtor i Shërbimi Korrektues të Kosovës, tha se institucioni që ai udhëheqë ka zbatuar afër 80 % të aktiviteteve që parashihen me Strategjinë për Sundimin e Ligjit, duke thënë se aktiviteteve tjera janë pjesërisht të realizuara.
Ai tha se disa prej aktiviteteve kanë me qenë gjithmonë pjesërisht të zbatuara pasi ka aktiviteteve, siç janë vlerësimi i të burgosurve e që tha se është proces i vazhdueshëm, si dhe trajnimet e stafit e cila do të ndodhë në vazhdimësi. Ai përmendi edhe rregulloren për organizimi të brendshëm, për të cilën tha se është në Qeveri dhe pritet nënshkrimi i saj nga ana e Kryeministrit
“Të gjitha aktivitet që janë pjesërisht të realizuara janë në proces të realizimit”, ka deklaruar ai.
Në fund të tryezës, Arsim Tahiri nga Shërbimi Sprovës i Kosovës tha se SHSK nuk ishte ftuar në hartimin e koncept dokumentit për personat që u është kufizuar liria e lëvizjes nga gjykata.
“Kjo çështja e Koncept Dokumentit për personat që u është e kufizuar liria e lëvizjes nga gjykata…Ligji për monitorim elektronik në vendet e zhvilluara ose vendet e rajonit i përket komplet kompetencave të Shërbimi Sprovues të Kosovës është shumë interesant ky ligj si draft në kohën kur është draftu për herë të parë kompetencat kanë qenë komplet të Shërbimit Sprovues kurse rrugës për Kuvend ka ndërru gjithçka edhe komplet kompetencat ju kanë bartë Policisë së Kosovës që asnjëherë as që ka fillu ta implementojë këtë çështje”, shtoi ai.
Tryeza i përfundoi punimet, ku u theksua nevoja për zbatim të drejtë dhe të saktë të aktiviteteve nga institucionet. U kërkua ndarja e një buxheti më të madh, planifikimi më i mirë, bashkëpunim ndër-institucional, identifikimi më i saktë i problemeve dhe shmangia e fryrjes së aktiviteteve. Po ashtu, u tha se të gjitha këto masa janë thelbësore për përmirësimin e zbatimit të strategjisë dhe për të siguruar një sundim të ligjit më efektiv dhe të drejtë.
Raportin e publikuar mund ta gjeni në këtë link: