Prishtinë, 20 qershor 2024 – Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka mirëpritur të enjten z. Benjamin Strasser, Sekretarin Federal të Drejtësisë së Gjermanisë.
Gjatë këtij takimi, z. Strasser është njoftuar me punën e Institutit të Kosovës për Drejtësi, në kuadër të tetë programeve të tij, duke përfshirë aktivitetet në bërjen e ligjeve, sundimin e ligjit, antikorrupsionin, qeverisjen e mirë, qasjen në drejtësi, drejtësinë në zgjedhje, edukimin dhe median.
Në këtë takim është diskutuar për progresin e institucioneve të drejtësisë në vend, sfidat me të cilat ballafaqohet sistemi, bashkëpunimin e shoqërisë civile me Qeverinë e Republikës së Kosovës, gjyqësorin dhe institucionet e tjera publike, si dhe gatishmërinë e institucioneve shtetërore dhe qytetarëve për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe çështje të tjera relevante për drejtësinë në vend.
Arrita Rezniqi, Menaxhere e Programeve në IKD, gjatë takimit e ka njoftuar z. Strasser edhe lidhur me zbatimin e projektit “Përgatitja e institucioneve të Kosovës në zbatimin e jurisprudencës së Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut”, që po implementohet nga koalicioni i OJQ-ve IKD, Fol dhe INPO, me mbështetjen e Ambasadës Gjermane në Kosovë.
Krahas takimit, z. Strasser ka vizituar edhe zyrat ku zhvillon punën stafi i IKD-së.