Tiranë, 29 shkurt 2020 – Koordinatori i Qendrës për Ndihmë Juridike Falas (QNJ) të Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Yll Zekaj, ka përfaqësuar IKD-në në Samitin e Parë të Shoqërisë Civile në Ballkanin Perëndimor, organizuar nga Fondi i Ballkanit Perëndimor, nga 27 e deri më 29 shkurt 2020, në Tiranë.
Në punimet e Samitit, i mbështetur nga Ministria e Jashtme Japoneze, u diskutua për të ardhmen e rajonit dhe rolin e organizatave të shoqërisë civile dhe vendimmarrësve në këtë proces.
Tema të diskutimit të Samitit gjithashtu ishin edhe sfidat dhe sukseset e bashkëpunimit rajonal, si dhe procesi i pajtimit në Ballkanin Perëndimor.
Pjesëmarrës në Samit ishin përfaqësues të shoqërisë civile, përfaqësues nga qeveritë e gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor si dhe përfaqësues të organizatave ndërkombëtare.