IKD: Ligji për KPM shkatërron tërësisht pavarësinë kushtetuese të këtij institucioni

IKD: Ligji për KPM shkatërron tërësisht pavarësinë kushtetuese të këtij institucioni

IKD: Ligji për KPM shkatërron tërësisht pavarësinë kushtetuese të këtij institucioni

Prishtinë, 19 korrik 2024 – Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), me përkrahje të Rockefeller Brothers Fund, sot ka publikuar raportin:  “Politizimi i KPM” (Analizë e Ligjit për Komisionin e Pavarur të Mediave).

Në fillim të prezantimit të këtij Raporti, hulumtuesja e Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Zamira Krasniqi, tha se ky raport ka analizuar Ligjin për Komisionin e Pavarur të Mediave, i cili ligj më 11 korrik 2024, u miratua nga Kuvendi i Republikës së Kosovës.

Analizën e këtij Ligji dhe gjetjet që kanë dalë nga kjo analizë u prezantuan nga Hulumtuesi i Lartë në IKD, Gzim Shala dhe Hulumtuesi, Florian Smajli.

Sipas analizës, IKD ka gjetur se pavarësia e garantuar me Kushtetutë për një institucion të pavarur si KPM, tjetërsohet në varësi të këtij institucioni ndaj partisë në pushtet. Kjo qasje është e rrezikshme dhe cenon drejtpërdrejtë vlerat dhe parimet e demokracisë të mishëruara në Kushtetutën e Kosovës. Mënyra e veprimit lidhur me miratimin e Ligjit për KPM-në tregon se miratimi i tij ishte qartazi vullnet i vetëm pozitës, pasi me këtë Ligj nuk u pajtuan opozita, partnerët ndërkombëtarë, mediat dhe shoqëria civile, dhe duke mos respektuar obligimet lidhur me zbatimin e standardeve minimale të konsultimit publik lidhur me këtë projektligj kaq të rëndësishëm për demokracinë dhe lirinë e mediave në Kosovë.

Ligjit për KPM-në i paraprinë një sulm i papranueshëm i Kuvendit ndaj KPM-së, përfshirë kampanjën e paparë ndonjëherë që nga shpallja e pavarësisë ku eksponentëve të partisë në pushtet fillojnë fushatë të orkestruar ndaj Kryetarit dhe anëtarëve të KPM-së, duke i akuzuar edhe për tradhti kombëtare dhe gjuhë tjetër të papërshtatshme ndaj një mekanizmi të pavarur kushtetues. Ligji duket se vazhdon këtë qasje në raport me KPM-në, duke e politizuar tërësisht këtë institucion të pavarur kushtetues.

KPM është institucion i pavarur kushtetues dhe ka një rëndësi të veçantë për demokracinë dhe lirinë e mediave në Kosovë. Për të funksionuar në mënyrë adekuate, si institucion i pavarur kushtetues, KPM duhet të gëzojë pavarësinë e saj ligjore dhe praktike. Nevojën për ruajtjen e kësaj pavarësie e ka konfirmuar edhe jurisprudenca e Gjykatës Kushtetuese dhe Direktiva e Bashkimit Evropian për Shërbimet Mediale Audio-Visuele.

Ligji për KPM shkatërron tërësisht pavarësinë kushtetuese të këtij institucioni, duke e shndërruar si një institucion vartës të Kuvendit dhe lehtë të ndikueshëm nga Qeveria. Sipas Ligjit, anëtarët e KPM-së zgjidhen përmes një procedurë të udhëhequr nga një Komision Parlamentar derisa votimi i tyre bëhet me shumicë të thjeshtë të votave të deputetëve të pranishëm dhe që votojnë. Kështu, këto dispozita garantojnë një proces të lehtë për partinë që ka shumicën në Kuvend që ta politizojë përbërjen e KPM-së.

Në anën tjetër, Ligji për KPM i la mundësi Kuvendit edhe të shkarkojë anëtarët e KPM-së, në secilin rast kur Komisioni Parlamentar humb besimin ndaj anëtarëve të KPM-së. Këto kritere, i mundësojnë shumicës parlamentare që në çdo kohë të ndryshojë përbërjen e KPM-së. Kjo situatë i vendos në presion të vazhdueshëm të gjithë anëtarët e këtij institucioni.

Roli i Kuvendit në KPM shtrihet deri në nivelin që edhe e zgjedh Kryetarin e saj, përkundër se kjo nuk ndodh me institucionet e tjera kolegjiale dhe përkundër faktit se kompetenca e KPM-së për zgjedhjen e Kryetarit të saj është kompetencë e natyrshme e një institucioni kolegjial.

Kjo qasje e re në ligj, zhvlerëson tërësisht garancinë kushtetues mbi pavarësinë funksionale të KPM-së, duke marr kompetenca nga ky institucion i pavarur dhe duke ia deleguar deputeteve të partisë ose koalicionit qeverisës që ka shumicën në Kuvendin e Kosovës. Kjo mënyrë e rregullimit e bën lehtësisht të cenueshëm dhe të ndikueshme KPM-në.

Se sa mund të keqpërdoret kjo në praktikë, mjafton të shohim debatin, sulmet dhe kërkesat e deputetëve të partisë në pushtet në raportimin e anëtarëve të KPM-së në Komisionin Parlamentar për Media gjatë këtij viti.

Raportin e publikut e gjeni në këtë link: