3 mijë e 500 euro paguanin qytetarët për të marrë një vizë në Ambasadën italiane, me dokumente të rreme dhe pa asnjë procedurë, nëpërmjet një grupi të organizuar kriminal. Pjesë e tij është deputeti Ukë Rugova, që është arrestuar nga EULEX-i, bashkë me Izet, Visar e Fitim Beqirin, Azad Beqiraj dhe Florian Petani, punonjës i ambasadës. Ata po hetohen që nga 18 nëntori i vitit 2013 për krim të organizuar, ushtrim ndikimi, keqpërdorim i pozitës zyrtare dhe mashtrim. “Është e qartë se çmimi i rregullt për “shërbimin” që ofron grupi i organizuar kriminal është 3 mijë e 500 euro, megjithatë ai çmim ndonjëherë ndryshon në 2 mijë e 500 dhe 2 mijë e 800 euro”, thuhet në urdhër-kontrollin e lëshuar nga gjykatësja e EULEX-it, të cilin e ka siguruar KTV-ja.