IKD mbajti konferencën rajonale mbi ndikimin e inteligjencës artificiale në dezinformim dhe masat për adresimin e tij

IKD mbajti konferencën rajonale mbi ndikimin e inteligjencës artificiale në dezinformim dhe masat për adresimin e tij

IKD mbajti konferencën rajonale mbi ndikimin e inteligjencës artificiale në dezinformim dhe masat për adresimin e tij

Prishtinë, 22 tetor 2026 – Inteligjenca artificiale ka ndryshuar shpejtësinë dhe përmasat e përhapjes së dezinformimit, ndërsa përballja me të kërkon verifikim profesional, institucione përgjegjëse dhe publik më të përgatitur. Këto ishin ndër mesazhet kryesore të konferencës rajonale “When AI Meets Fake News”, të organizuar më 20–21 tetor në Prishtinë nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), në bashkëpunim me partnerët SCOOP nga Maqedonia e Veriut, CSDG nga Shqipëria dhe RAS nga Rumania.

Konferenca u mbajt në kuadër të projektit FACT – Framework for Addressing and Countering Disinformation Threats, të mbështetur nga Bashkimi Evropian. Përvec përfaqësuesve të shoqërisë civile nga këto katër vende, kjo konferencë mblodhi ekspertë, gazetarë, verifikues faktesh, si dhe përfaqësues të partnerëve ndërkombëtar si Zyra e Bashkimit Evropian dhe Misioni i OSBE-së në Kosovë.

Përmes diskutimeve, punëtorive dhe prezantimeve, pjesëmarrësit shkëmbyen përvoja mbi ndryshimet që IA po sjell në mjedisin informativ dhe masat e nevojshme për t’iu përgjigjur këtyre zhvillimeve.

Diskutimet nxorën në pah se prodhimi i përmbajtjeve të fabrikuara po bëhet më i shpejtë, më masiv dhe më pak i kushtueshëm, ndërsa identifikimi i tyre po vështirësohet edhe për profesionistët. Shembujt e trajtuar treguan se manipulimi përfshin edhe personazhe të krijuara me IA dhe fushata të koordinuara, me ndikim të mundshëm në opinionin publik, proceset demokratike dhe besimin ndaj institucioneve. Kështu, u theksua nevoja për kombinimin e metodave të verifikimit, kontrollimin e burimit dhe ruajtjen e kontekstit të informacionit.

Përmes punëtorisë “Data Poisoning: When Disinformation Targets the Machine”, u trajtua kontaminimi i të dhënave me të cilat punojnë sistemet e IA-së. Ndërkaq, nga një prezantim në distancë u paraqit perspektiva e neuroshkencës mbi ndikimin e informacionit, aftësitë njohëse dhe rëndësinë e mendimit kritik. Në këtë pjesë u trajtua ndikimi i përdorimit të inteligjencës artificiale në aftësitë kognitive dhe atë se si ndërlidhet kjo me ndjeshmërinë ndaj dezinformimit.

Nga përvojat e gazetarëve dhe verifikuesve të fakteve u evidentuan kostot e verifikimit, vëllimi i madh i informacionit dhe nevoja për më shumë njohuri e mjete në redaksi. Njëkohësisht, u diskutuan mundësitë që IA ofron për hulumtim dhe analizim të të dhënave, duke theksuar se përdorimi i saj kërkon kontroll njerëzor dhe përgjegjësi editoriale. Kjo temë u trajtua edhe në prezantimin përmbyllës “AI for Good: When AI Becomes a Tool for Better Journalism”, kushtuar përdorimit të IA-së në mbështetje të gazetarisë së verifikuar dhe të përgjegjshme.

Në trajtimin e përgjigjeve ligjore dhe institucionale, panelistët theksuan nevojën për përgjegjësi të qarta, mekanizma mbikëqyrës dhe zbatim efektiv të legjislacionit. U vlerësua se edukimi medial duhet të përfshijë edhe njohuritë mbi inteligjencën artificiale dhe se masat për qeverisjen e saj duhet t’i shërbejnë mbrojtjes së të drejtave të njeriut, demokracisë dhe interesit publik. Punëtoria “The EU AI Act: What Does It Mean for Disinformation?” e plotësoi këtë diskutim duke trajtuar kuadrin evropian për IA-në dhe rëndësinë e transparencës e llogaridhënies.

Gjatë konferencës u theksua gjithashtu se verifikimi i fakteve, ndonëse i domosdoshëm, nuk mjafton për ta adresuar dezinformimin. Përgatitja e publikut për t’i njohur teknikat manipuluese, forcimi i besimit publik dhe koordinimi ndërmjet institucioneve, mediave dhe shoqërisë civile u identifikuan si pjesë të një përgjigjeje më të qëndrueshme. Bashkëpunimi rajonal dhe shkëmbimi i përvojave me institucionet evropiane u vlerësuan si të nevojshëm për zhvillimin e masave të përbashkëta.

Të gjitha këto zhvillime të kësaj konference do të shërbejnë për përgatitjen e rekomandimeve për adresimin e dezinformimit të mundësuar nga inteligjenca artificiale dhe për orientimin e aktiviteteve të mëtejshme në kuadër të projektit FACT.

Përmes këtij projekti, IKD dhe partnerët synojnë të forcojnë kapacitetet e gazetarëve dhe të shoqërisë civile për identifikimin dhe adresimin e dezinformimit, duke nxitur shkëmbimin e përvojave dhe bashkëpunimin rajonal.