Drejtuesit e IKD-së avokojnë për zbatimin e rekomandimeve tek Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës

Drejtuesit e IKD-së avokojnë për zbatimin e rekomandimeve tek Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës

Drejtuesit e IKD-së avokojnë për zbatimin e rekomandimeve tek Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës

Prishtinë, 26 nëntor 2019 – Drejtuesit e Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD) Ehat Miftaraj dhe Betim Musliu, të martën, kanë takuar Kryesuesin e Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Bahri Hyseni dhe Zëvendës Kryesuesin e KPK-së, Arben Ismajli, me qëllim që t’ia dorëzojnë raportet e monitorimit dhe hulumtimit sistematik të sistemit të drejtësisë dhe sigurisë në vend si dhe për të avokuar për zbatimin e rekomandimeve të IKD-së. “Në kuadër të bashkëpunimit me Këshillin Prokurorial të Kosovës, kemi zhvilluar një takim të dobishëm me Kryesuesin dhe Zëvendës Kryesuesin e KPK-së, Bahri Hyseni dhe Arben Ismajli, të cilëve ja kemi dorëzuar në kopje fizike raportet e IKD-së të publikuara gjatë vitit 2019. Kemi diskutuar gjetjet, vlerësimet dhe rekomandimet kryesore të këtyre raporteve të IKD-së, për të cilat kemi marrë zotimin e drejtuesve të KPK-së, se do të shqyrtohen seriozisht për t’i zbatuar sistemi prokurorial”, tha Ehat Miftaraj, drejtor ekzekutiv i IKD-së.

Kryesuesi Bahri Hyseni pasi ka pranuar raportet ka vlerësuar bashkëpunimin me IKD-në, ndërsa ka premtuar bashkëpunim edhe në të ardhmen. Po ashtu, Kryesuesi Hyseni ka thënë se rekomandimet e paraqitura në raportet e pranuara do të kenë trajtimin e merituar nga Këshilli Prokurorial i Kosovës.

Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe Instituti i Kosovës për Drejtësi kanë bashkëpunim të vazhdueshëm, i cili ka për qëllim fuqizimin e sistemit prokurorial të Kosovës në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe dukurive të tjera kundërligjore.

IKD në vazhdimësi ka avokuar tek të gjithë hisedarët e sistemit të drejtësisë dhe sigurisë, duke dërguar të gjitha raportet me gjetjet, vlerësimet dhe rekomandimet konkrete si dhe duke takuar zyrtarët përgjegjës në të gjitha institucionet me rëndësi për të shtyrë përpara politikat që rritin efikasitetin dhe efektivitetin e punës së sistemit të drejtësisë dhe sigurisë, për të mundësuar realizimin e të drejtave të qytetarëve dhe qasjen e tyre në drejtësi.