Prishtinë, 2 dhjetor 2019 – Përfaqësuesit e Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD) Ehat Miftaraj dhe Yll Zekaj, të hënën, kanë takuar Kryetarin e Odës së Avokatëve të Kosovës (OAK), dhe Drejtorin ekzekutiv të OAK-së, Florim Shefqeti, me qëllim që t’ua dorëzojnë raportet e monitorimit dhe hulumtimit sistematik të sistemit të drejtësisë në vend si dhe për të avokuar për zbatimin e rekomandimeve të IKD-së.
“Duke konsideruar OAK-në si njërën nga tri shtyllat e Sistemit Gjyqësor në Republikën e Kosovës, kemi zhvilluar një takim të dobishëm me Kryetarin e Odës së Avokatëve të Kosovës (OAK), dhe Drejtorin ekzekutiv të KGJK-së, Florim Shefqeti, të cilëve ja kemi dorëzuar në kopje fizike raportet e IKD-së të publikuara gjatë vitit 2019. Gjatë takimit kemi diskutuar gjetjet, vlerësimet dhe rekomandimet kryesore të këtyre raporteve të IKD-së, për të cilat kemi marrë zotimin e përfaqësuesve të OAK-së, se do t’u dërgohen të gjithë avokatëve në formë elektronike, të cilat janë shumë të rëndësishme për avokatët në punën e tyre të përditshme”, tha Ehat Miftaraj, drejtor ekzekutiv i IKD-së.
Kryetari i OAK-së, Osman Havolli, ka vlerësuar punën e IKD-së në monitorimin dhe hulumtimin e temave me rëndësi në fushën e drejtësisë, të cilat sipas tij, janë shumë të rëndësishme edhe për profesionin e avokatisë dhe avokatët si profesionist ligjorë. “OAK është e hapur për bashkëpunim me IKD-në dhe presim të identifikojmë dhe rrisim sferat e bashkëpunimit në të ardhmen. Monitorimi i seancave gjyqësore nga ana e monitoruesve të IKD-së kanë qenë çdo herë të mirëpritura nga ana e avokatëve si përfaqësues të palëve në procedura gjyqësore”, tha Havolli.
Miftaraj ka falënderuar Kryetarin e OAK-së për bashkëpunimin e vazhdueshëm në mes të IKD-së dhe OAK-së, gjithashtu përmes përfaqësuesve te OAK-së ka falënderuar të gjithë avokatët për bashkëpunimin korrekt ndër vite me monitoruesit të cilët në mënyrë sistematike monitorojnë sistemin e drejtësisë në Kosovë. Gjithashtu Miftaraj shprehi gatishmërinë e vazhdimit dhe ngritjes së bashkëpunimit me OAK-në. Ndër temat me interes që kemi diskutuar në këtë takim është rritja e qasjes së qytetarëve në drejtësi, si dhe aspekti i ngritjes së llogaridhënies së sistemin gjyqësor duke përfshirë edhe avokatët me qellim të rritjes së efikasitetin dhe efektivitetin e ofrimit të shërbimeve të drejtësisë për qytetarët”, tha Miftaraj.
IKD në vazhdimësi ka avokuar tek të gjithë hisedarët e sistemit të drejtësisë dhe sigurisë, duke dërguar të gjitha raportet me gjetjet, vlerësimet dhe rekomandimet konkrete si dhe duke takuar zyrtarët përgjegjës në të gjitha institucionet me rëndësi për të shtyrë përpara politikat që rritin efikasitetin dhe efektivitetin e punës së sistemit të drejtësisë, sigurisë dhe agjencive të pavarura të zbatimit të ligjit, për të mundësuar realizimin e të drejtave të qytetarëve dhe qasjen e tyre në drejtësi.