Prishtinë, 26 nëntor 2019 – Drejtuesit e Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD) Ehat Miftaraj, Betim Musliu dhe Yll Zekaj, të martën, kanë takuar Kryesuesin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), Skëndër Çoçaj dhe Drejtorin e Sekretariatit të KGJK-së, Shkëlzen Maliqi, me qëllim që t’ia dorëzojnë raportet e monitorimit dhe hulumtimit sistematik të sistemit të drejtësisë dhe sigurisë në vend si dhe për të avokuar për zbatimin e rekomandimeve të IKD-së. “Në kuadër të bashkëpunimit me Këshillin Gjyqësor të Kosovës, kemi zhvilluar një takim të dobishëm me Kryesuesin dhe Drejtorin e Sekretariatit të KGJK-së, z. Skëndër Çoçaj dhe z. Shkëlzen Maliqi, të cilëve ja kemi dorëzuar në kopje fizike raportet e IKD-së të publikuara gjatë vitit 2019. Kemi diskutuar gjetjet, vlerësimet dhe rekomandimet kryesore të këtyre raporteve të IKD-së, për të cilat kemi marrë zotimin e drejtuesve të KGJK-së, se do të shqyrtohen seriozisht për t’i zbatuar sistemi gjyqësor”, tha Ehat Miftaraj, drejtor ekzekutiv i IKD-së.
Miftaraj ka ngritur për diskutim disa prej raporteve specifike në kuadër të mandatit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, për të cilat ka kërkuar nga drejtuesit e KGJK-së që të shqyrtojnë gjetjet, vlerësimet dhe rekomandimet e IKD-së. “Ne vlerësojmë bashkëpunimin e deritashëm si me KGJK, Kryetarët e Gjykatave dhe Gjykatësit individualisht. Bashkëpunimi i tyre na mundëson që të bëjmë punë profesionale, e cila paraqet realitetin e funksionimit të sistemit të drejtësisë në Kosovë. Ndër temat me interes që kemi diskutuar në këtë takim është rritja e qasjes së qytetarëve në drejtësi, trajtimi i lëndëve të pazgjidhura si dhe aspekti i ngritjes së llogaridhënies së gjykatësve dhe stafit mbështetës për të rritur efikasitetin dhe efektivitetin e ofrimit të shërbimeve të drejtësisë për qytetarët”, tha Miftaraj.
Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Skëndër Çoçaj, ka vlerësuar punën e IKD-së në monitorimin dhe hulumtimin e temave me rëndësi në fushën e drejtësisë dhe policisë, të cilat sipas tij, pasqyrojnë gjendjen reale të funksionimit të sistemit të drejtësisë dhe sigurisë në vend. “Me IKD-në kemi një bashkëpunim të ngushtë në kuptim të angazhimit profesional dhe në procesin e monitorimit dhe hulumtimit të kësaj organizate. KGJK është e hapur dhe bashkëpunon ngushtë me IKD-në në procesin e bërjes së legjislacionit sekondar, ku kontributi i kësaj organizate është përmbajtësor dhe ne shfrytëzojmë ekspertizën e IKD-së për të ngritur kualitetin e punës tonë në ofrimin e shërbimeve tona për qytetarët dhe publikun”, tha Çoçaj.
Në këtë drejtim, Kryesuesi Çoçaj, theksoi se ai dhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës vazhdimisht kanë shqyrtuar me prioritet gjetjet, vlerësimet dhe rekomandimet që kanë dalë nga raportet e IKD-së për të përmirësuar performancën e Këshillit Gjyqësor dhe gjyqësorit në përgjithësi. “IKD ka dëshmuar se kritikat i bazon në hulumtime të pavarura dhe profesionale. Në këtë drejtim, kritikat konstruktive dhe profesionale padyshim se pranohen nga ana jonë dhe ky është një partneritet, i cili sjellë dobi në të mirën publike, në të mirën e qytetarëve, të cilët janë përfitues si rezultat i përmirësimit të efikasitetit dhe efektivitetit të shërbimeve tona si gjyqësor.”
IKD në vazhdimësi ka avokuar tek të gjithë hisedarët e sistemit të drejtësisë dhe sigurisë, duke dërguar të gjitha raportet me gjetjet, vlerësimet dhe rekomandimet konkrete si dhe duke takuar zyrtarët përgjegjës në të gjitha institucionet me rëndësi për të shtyrë përpara politikat që rritin efikasitetin dhe efektivitetin e punës së sistemit të drejtësisë dhe sigurisë, për të mundësuar realizimin e të drejtave të qytetarëve dhe qasjen e tyre në drejtësi.