Këshilli Prokurorial i Kosovës dështon të ndëshkojë prokurorët dhe zyrtarët që kanë shkelur rregullat e mekanizmit përcjellës për rastet e korrupsionit

Këshilli Prokurorial i Kosovës dështon të ndëshkojë prokurorët dhe zyrtarët që kanë shkelur rregullat e mekanizmit përcjellës për rastet e korrupsionit

Këshilli Prokurorial i Kosovës dështon të ndëshkojë prokurorët dhe zyrtarët që kanë shkelur rregullat e mekanizmit përcjellës për rastet e korrupsionit

18 nëntor 2014 – Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) shpreh shqetësim rreth dështimit të vazhdueshëm të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) dhe Kryeprokurorëve të Prokurorive Themelore (PTh) dhe Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK) për të mbajtur përgjegjës të gjithë shkelësit e ligjit brenda sistemit prokurorial, që kanë dështuar të përmbushin detyrimet ligjore, duke zvarritur zgjidhjen e rasteve të korrupsionit.

IKD prej hyrjes në fuqi (4 nëntor 2013) të Planit të Veprimit për Rritjen e Efikasitetit të Sistemit Prokurorial në Luftimin e Korrupsionit monitoron dhe vlerëson zbatimin e këtij plani. Gjatë monitorimit, IKD ka gjetur se një numër i madh i rasteve të korrupsionit, nuk janë regjistruar në – bazën e të dhënave – Mekanizmin Përcjellës, të krijuar enkas për veprat penale karakteristike, ku hyjnë edhe rastet e korrupsionit. Dështimin në lidhje me regjistrimin e rasteve të korrupsionit e ka konstatuar vetë KPK, përmes Njësitit për Shqyrtimin e Performancës së Prokurorive, duke krijuar (shkurt 2014) Komisionin për Mbikëqyrjen dhe Verifikimin e lëndëve të korrupsionit nëpër prokurori. Rezultatet e punës së këtij komisioni, nxorën në shesh papërgjegjshmëri të madhe të një zinxhiri të zyrtarëve nëpër prokurori, prej prokurorëve deri te zyrtarët e stafit mbështetës, të cilët nuk kishin respektuar rregullat e Mekanizmit Përcjellës për regjistrimin e rasteve të korrupsionit në bazën e të dhënave.

Këto gjetje dhe rekomandime të Komisionit, ishin miratuar në mbledhjen e KPK-së, të mbajtur më 25 shkurt 2014, ku ishte nxjerrë vendimi me nr. 45-2014, përmes të cilit janë obliguar të gjithë Kryeprokurorët që të ndërmarrin masa disiplinore ndaj personave që kanë dështuar të respektojnë rregullat për regjistrimin e lëndëve të korrupsionit në Mekanizmin Përcjellës. Përkundër shkeljeve të shumta të cilat ishin evidentuar nga Komisioni dhe vendimit të prerë të KPK-së që të merreshin masa ndaj personave përgjegjës, Kryeprokurorët nuk kanë marrë asnjë masë disiplinore ndaj asnjë prokurori dhe punonjësi.

Duke parë hezitimin e Kryeprokurorëve për të ndëshkuar zyrtarët e tyre, KPK në mbledhjen e mbajtur më 25 prill 2014, ka marrë vendim që Kryeprokurorët e PTh-ve dhe PSRK-së të raportojnë në lidhje me zbatimin e vendimit me nr. 45-2014 të datës 25 shkurt 2014. KPK përmes këtij vendimi ka kërkuar përgjegjësi drejtpërdrejt nga Kryeprokurorët për mos ndëshkimin e prokurorëve dhe zyrtarëve të tyre për mos regjistrimin e rasteve të korrupsionit. Në këtë drejtim, ka dështuar të ndjek prokurorët përgjegjës edhe Zyra e Prokurorit Disiplinor (ZPD), e cila duhet të hetojë shkeljet, bazuar në gjetjet e raportit të KPK-së për të mbajtur përgjegjës prokurorët që kanë bërë shkelje. ZPD ka iniciuar 44 raste të hetimeve për rastet e korrupsionit të publikuara në raportet e IKD-së, për çka inkurajon hetuesit e këtij institucioni të bëjnë punën e tyre në mënyrë të pavarur, por kërkon që mos të amnistohen pa u hetuar shkeljet e prokurorëve të evidentuara edhe nga KPK.

IKD vlerëson se kjo kulturë e pandëshkueshmërisë dëshmon për një dështim të tërësishëm të sistemit prokurorial, duke amnistuar personat që janë përgjegjës për shkeljet e evidentuara. IKD shpreh shqetësimin e dyfishtë për Kryeprokurorët, të cilët nuk e kanë zbatuar vendimin e organit më të lartë në sistemin prokurorial, KPK-së, por gjithashtu shpreh shqetësim të madh për moszbatimin e vendimit nga KPK, për t’i ndëshkuar Kryeprokurorët, në rast se ata, nuk i ndëshkojnë prokurorët dhe punonjësit e tyre për shkeljet e evidentuara.
Ky reagim është në vazhdën e reagimeve të IKD-së ndaj KPK-së, e cila po dështon të adresojë çështjet më të rëndësishme rreth zbatimit të vendimeve të veta që ndërlidhen me luftimin e korrupsionit në Kosovë.