3 nëntor 2014 – Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) shpreh shqetësim rreth mungesës së vullnetit të anëtarëve të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) për të zbatuar mandatin e tij në krijimin e politikave adekuate kriminale për të mbikëqyrur zbatimin e luftimit të korrupsionit në Kosovë.
IKD në raportin e fundit “Korrupsioni në Kosovë 2: Raport vlerësues gjithëpërfshirës mbi efikasitetin e sistemit prokurorial në zbatimin e planit të veprimit për rastet e korrupsionit”, të publikuar më 5 shtator 2014, ka identifikuar problemet rreth dështimeve të sistemit prokurorial në zgjidhjen e rasteve të korrupsionit.
Një ndër çështjet shqetësuese, ndërlidhet me mënyrën e zgjidhjes së rasteve të korrupsionit nga prokurorët, të cilët më shumë së gjysmën e tyre i kanë hudhur poshtë kallëzimet penale apo i kanë pushuar hetimet. IKD ka gjetur se që nga hyrja në fuqi e Planit të Veprimit (4 nëntor 2013) deri më 30 qershor 2014, prej 839 personave ndaj të cilëve janë zgjidhur rastet e korrupsionit, rezulton se ndaj 183 apo 22% të personave janë hudhur kallëzimet penale dhe ndaj 273 apo 33% të personave janë pushuar hetimet. Pra gjithsejt janë mbi 54% e personave, ndaj të cilëve prokurorët kanë hudhur kallëzimet penale apo kanë pushuar hetimet, ndërsa ndaj 383 apo 46% të personave kanë ngritur aktakuza. Ky trend i mënyrës së zgjidhjes së rasteve të korrupsionit, sipas monitorimit të IKD-së, ka vazhduar edhe pas qershorit 2014.
IKD bazuar në këto rezultate, ka rekomanduar KPK-në që të krijojë një Komision të veçantë për të analizuar mënyrën e zgjidhjes së rasteve të korrupsionit, me fokus në rastet e hudhjes së kallëzimeve penale dhe pushimit të hetimeve nga ana e parashtruesve të këtyre akteve, sidomos atyre të Policisë së Kosovës dhe Agjensionit Kundër Korrupsionit. Përmes këtij Komisioni, do të bëhej identifikimi se ku qëndrojnë problemet, tek cilësia e akteve dhe argumentimi i tyre nga parashtruesit apo tek vendimmarrja e prokurorëve. Në këtë mënyrë mund të ndërtohen politika adekuate kriminale për luftimin e korrupsionit, pasiqë rezultatet e dështuara në rastet e korrupsionit, janë treguesi i mirë se politikat aktuale kriminale nuk janë duke funksionuar, rrjedhimisht nuk kemi luftim të efektshëm të korrupsionit, por vetëm dështim të të gjitha agjencive të zbatimit të ligjit. IKD vlerëson se përmes këtij Komisioni, do të nxirreshin mësime, se si të veprohet në të ardhmen për të fuqizuar në praktikë rolin e prokurorit, ashtu siç, përcaktohet në Kodin e Procedurës Penale.
Përkundër faktit se me rastin e publikimit të raportit nga IKD, përfaqësuesit e sistemit prokurorial kanë marrë zotimin se do ta zbatojnë menjëherë rekomandimin e IKD-së për krijimin e Komisionit të veçantë, ai nuk është krijuar. Gjatë mbajtjes së tryezës së IKD-së, Koordinatorja Nacionale kundër Korrupsionit, znj. Laura Pula, ka thënë se “ky është rekomandimi i parë që ne (sistemi prokurorial) do të marrim obligim ta formojmë menjëherë këtë komision, me qëllim të rritjes së efikasitetit dhe bashkëpunimit ndërmjet institucioneve, Prokurorit të Shtetit dhe agjencioneve të cilat parashtrojnë kallëzime penale…”. Për më tepër, ky rekomandim ishte propozuar nga Koordinatorja Nacionale në mbledhjen e KPK-së të mbajtur me datën 16 tetor 2014, por nuk ishte votuar nga anëtarët e Këshillit. Për mos krijimin e këtij Komisioni, kishte arsyetime të ndryshme të anëtarëve prokurorë të Këshillit, sipas të cilëve, një funksion të ngjashëm për verifikimin e hudhjeve dhe pushimeve të rasteve të korrupsionit e kryen Prokuroria e Apelit në Prishtinë. Tashmë është bërë një vit prej hyrjes në fuqi të Planit të Veprimit për zgjidhjen e rasteve të korrupsionit dhe ende në KPK nuk është paraqitur asnjë raport në lidhje me arsyet për hudhjen dhe pushimin e këtyre rasteve të korrupsionit. Problematika e mënyrës së zgjidhjes së rasteve po vazhdon dhe nuk ka ende një pasqyrë të qartë se ku qëndrojnë problemet, për t’u evituar dhe për t’u shtuar efikasiteti në luftimin e korrupsionit.
IKD shpreh shqetësim me mungesën e vullnetit të anëtarëve të KPK-së që ta krijojnë këtë Komision, për të identifikuar problemet reale në lidhje me rastet e korrupsionit, të cilat parashtrohen nga të gjithë parashtruesit, me theks të veçantë nga agjencitë që e zbatojnë ligjin.
IKD vlerëson se ky refuzim për të krijuar këtë mekanizëm për identifikimin e problemeve tregon për mungesën e vullnetit për të krijuar politika adekuate kriminale për luftimin e korrupsionit dhe për t’i ikur llogaridhënies për të gjitha rastet e dështuara.
IKD rikujton se problemi i bashkëpunimit ndërmjet institucioneve dhe agjencive që e zbatojnë ligjin në lufimin e korrupsionit vazhdimisht paraqitet si problem dhe sfidë në të gjitha raportet vendore dhe ndërkombëtare, sidomos raportet e Bashkimit Evropian. Pikërisht, Plani i Veprimit për Rritjen e Efikasitetit të Sistemit Prokurorial në Luftimin e Korrupsionit është miratuar si rezultat i zbatimit të Planit Strategjik për Bashkëpunim Ndër-institucional në Luftimin e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit 2013-2015 të miratuar nga KPK. Kanë kaluar pothuajse dy vite nga hyrja në fuqi e këtij Plani Strategjik për ngritjen e bashkëpunimit dhe koordinimit në mes të Prokurorit të Shtetit dhe agjencive që zbatojnë ligjin në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe i njëjti Këshill ende nuk ka bërë ndonjë vlerësim lidhur me zbatimin e tij, edhe pse për këtë është i obliguar.
Prandaj, IKD vlerëson se në këtë drejtim ka ende shumë probleme, të cilat duhet të identifikohen përmes mekanizmave të KPK-së për të siguruar ndjekje efikase të kryerësve të veprave penale të korrupsionit në bashkëpunim me të gjitha agjencitë që e zbatojnë ligjin në Kosovë.
IKD përmes këtyre mekanizmave rekomandon krijimin e politikave kriminale për ndjekjen e korrupsionit dhe rritjen e kualitetit të arsyetimeve të prokurorëve për vendimet e tyre, të cilat padyshim se do të ndikojnë në besimin e qytetarëve se vendimet e tyre janë të drejta dhe të bazuara në ligj.
IKD kërkon që transparenca dhe llogaridhënia e sistemit prokurorial të avancohet dhe publiku të informohet për të gjitha zhvillimet rreth administrimit dhe vendosjes së drejtësisë, brenda kornizës Kushtetuese dhe ligjore.
IKD përshëndet vendimin e fundit të Kryeprokurorit të Shtetit për publikimin e të gjitha aktakuzave lidhur me rastet e korrupsionit që nga hyrja në fuqi e Planit të Veprimit. Sidoqoftë, edhe pse ky vendim është meritor dhe i ligjshëm, një vendim i tillë do të duhej të merrej nga vetë KPK, i cili vendim do të përfshinte publikimin edhe të të gjitha hudhjeve të kallëzimeve penale dhe vendimeve për pushimin e hetimeve në rastet e korrupsionit.