Prishtinë, 30 prill 2024 – Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), sot ka mbajtur konferencë, ku së bashku me Bashkimin e Sindikatave të Pavarura të Kosovës dhe me Sindikatën e Bashkuar, të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës të Kosovës, kanë publikuar “Doracakun për shpalljen e grevës së ligjshme”.
Naim Jakaj, hulumtues i lartë në IKD dhe autor i doracakut, tha se arsyet që kanë dërguar në miratimin e këtij doracaku të tillë ka ardhur për arsye se në vazhdimësi grevat e organizuara, veçanërisht nga sindikatat më të vogla janë kontestuar e për pasojë edhe është bërë cenimi i tyre. Sipas Jakajt, “përpilimi dhe publikimi i një doracaku të këtillë do të jetë i dobishëm për të gjitha sindikatat që veprojnë në Kosovë, duke ua lehtësuar angazhimin dhe përfshirjen në aktivitete sindikale për të realizuar të drejtat e tyre me shfrytëzimin e mekanizmit kushtetues dhe ligjor të grevave.”
Jakaj përmendi edhe një çështje të rëndësishme që doracaku tregon rrugën e dialogut social para se të një sindikatë të vendosë për grevë. “para secilit organizim sindikal, siç është greva, sindikata duhet të përdorë mekanizmin e Dialogut Social, procesit me anë të të cilit qeveritë, punëdhënësit dhe punonjësit bashkëpunojnë për të marrë vendime në lidhje me vendin e punës dhe çështjet që lidhen me punësimin.”
Në fjalën e tij, Kryetari i BSPK-së, Atdhe Hykolli tha se publikimi i këtij doracaku do t’i ndihmojë sindikatat në realizimin e të gjitha kërkesave ligjore në lidhje me grevën. Sipas tij, “doracaku është shumë i lehtë për t’u përdorur edhe ka një gjuhë të qëndrueshme juridike, po ka edhe gjuhën të kuptueshme shqipe sepse e di kur kthehet në anë juridike shqipja e merr rëndësinë e vet.”
Hykolli, përmendi edhe faktin se doracaku ka përfshirë të gjitha normativat ligjore dhe është i bazuar në ligj.
“Modelet e dhëna janë shumë të kuptueshme në këtë doracak dhe janë të përdorshme. Kanë dhënë këshilla të bollshme, negociatat për të arritur në qëllimet e caktuara. Kjo është e rëndësishme pasi grevat dhe protestat bëhen kur mungon dialogu social. Kur kemi dialog social e minimizojmë grevën”, tha Hykolli.
Edhe Kryetari i SBAShK, Rrahman Jasharaj përmendi rëndësinë e doracakut ku me këtë doracak ndihmohen sindikatat më të vogla, pasi qeveritë që s’duan dialog mundohen të gjejnë gabime.
“Me këtë doracak iu ndihmohet sindikatave më të vogla, kur mungon dialogu ku e kemi tani shembullin konkret edhe përkundër letrave, shkresave, mungon dialogu faji i Qeverisë”, tha Jasharaj.
Gjithashtu, Jasharaj tha se sindikatat e vogla në mungesë të stafit rrugës gjatë realizimit të grevave për shkak të stresit mund të bëjnë gabime duke mos krijuar këshillin grevist apo duke mos dërguar letra paralajmëruese të nevojshme. Andaj, sipas Jasharajt këto gabime të paqëllimshme të sindikatave duhet të shikohen nga qeveritë me “llupë” apo mikroskop që të dalin para mediave të thonë se sindikatat po bëjnë grevë të jashtëligjshme.
Nënkryetarja e SBASHK-ut, Vjollca Shala në fjalën e saj tha se të gjitha sindikatat në të ardhmen kanë mundësi t’i qasen doracakut për greva të shkruar nga IKD. “Të gjitha sindikatat që në të ardhmen dëshirojnë të shpallin grevë të ligjshme, do të kenë mundësi t’i qasen doracakut për shpalljen e grevës së ligjshme.”
Doracakun mund ta shkarkoni në këtë link:
Publikimi është realizuar në kuadër të Programit për Angazhim Qytetar, i cili zbatohet nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) në partneritet me Agjencinë e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) në Kosovë. IKD është partnere e KCSF në realizimin e këtij aktiviteti.