Studentët e Klinikës Ligjore të IKD-së pjesë e trajnimit praktik për mbikëqyrjen parlamentare

Studentët e Klinikës Ligjore të IKD-së pjesë e trajnimit praktik për mbikëqyrjen parlamentare

Studentët e Klinikës Ligjore të IKD-së pjesë e trajnimit praktik për mbikëqyrjen parlamentare

Prishtinë, 18 janar 2024 – Në kuadër të Programit Qeverisja e Mirë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD) të enjten është mbajtur trajnimi i radhës për studentët e Klinikës Ligjore të IKD-së.

Trajnimi u përqendrua tek informimi i studentëve lidhur me mbikëqyrjen parlamentare në Kuvendin e Kosovës. Studentët janë njoftuar me instrumentet që deputetët i kanë për ta mbikëqyrë punën e Qeverisë së Kosovës dhe organeve të pavarura. Ata kanë pasur mundësi që në mënyrë praktike të përcjellin mënyrën e parashtrimit të pyetjeve parlamentare, sesi inicohet procedura për thirrjen në përgjegjësi të anëtarëve të Qeverisë përmes inicimit të interpelancës, seancave të jashtëzakonshme dhe ngritjes së çështjeve urgjente.

Studentët kanë pasur mundësi që të përcjellin modelin e duhur të parashtrimit të pyetjeve parlamentare dhe modelin jo të duhur të sjelljes së kabinetit qeveritar me rastin e parashtrimit të pyetjeve të deputetëve.

Studentet janë informuar më tutje me mekanizmin tjetër të rëndësishëm të kontrollit parlamentar, atë të inicimit të komisioneve hetimore parlamentare.

Takimi me studentët ka vazhduar me informimin e tyre për kontrollin parlamentar që ushtrohet përmes komisioneve parlamentare. Ata janë informuar në mënyrë të detajuar se si këto trupa të kuvendit kanë procedurat të veçanta të raportimit të organeve të pavarura. Mbikëqyrja parlamentare në këto komisione ushtrohet në pajtim me ligjin përkatës për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore dhe të agjencive të pavarura.

Tema tjetër që është trajtuar nga Naim Jakaj ka qenë mbikëqyrja e zbatimit të ligjeve dhe vendimeve përmes komisioneve parlamentare. Ai ka përmendur shembuj konkretë të raporteve të monitorimit të zbatimit të ligjeve, në rastet kur kërkesat nga këto raporte janë adresuar nga Qeveria dhe në rastet kur këto kërkesa janë anashkaluar.

Ky aktivitet është zhvilluar në kuadër të mbështetjes nga ana e Rockefeller Brothers Fund dhe zhvillohet në kuadër të programit të Klinikës Ligjore të Qendrës për Edukim Profesional të IKD-së që financohet nga UNMIK.

Krahas kësaj, pjesëmarrësit e Klinikës Ligjore të IKD-së, janë pjesë e aktiviteteve të tjera si procesi i monitorimit të seancave gjyqësore, vizitat nëpër institucione të ndryshme shtetërore dhe pjesëmarrja e drejtpërdrejtë në procesin e punës së ofrimit të ndihmës juridike nga Qendra për Ndihmë Juridike falas e IKD.