IKD, INPO, FOL dhe YIHR-KS: Qeveria të hap të dhënat e Fondit të Sigurisë

IKD, INPO, FOL dhe YIHR-KS: Qeveria të hap të dhënat e Fondit të Sigurisë

IKD, INPO, FOL dhe YIHR-KS: Qeveria të hap të dhënat e Fondit të Sigurisë

Prishtinë, 12 Janar 2024: Organizatat jo-qeveritare të poshtëshënuara ftojnë Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Agjencinë për Privatësi dhe Informacion që në pajtim me obligimet që dalin nga legjislacioni i aplikueshëm të hapin të dhënat që kanë të bëjnë me Fondin e Sigurisë, duke deklasifikuar këto informata.

Përmes vendimit nr.12/2022, ish-drejtori i Thesarit të Kosovës, Ahmet Ismajli, i kishte klasifikuar si “KONFIDENCIALE” të gjitha informatat në lidhje me “Fondin e Sigurisë”. Me 13 korrik 2023, z. Ahmet Ismajli është zgjedhur Guvernator i Bankës Qendrore të Kosovës. Në arsyetimin e këtij vendimi thuhet se “Mjetet qe mblidhen ne fondin e sigurisë janë donacione te dedikuara, që do të pranohen nga brenda dhe jashtë vendit nga individë dhe organizata, ku përveç tjerash tregohet gatishmëria dhe mobilizimi financiar mbarëkombëtar, faktin se këto mjete janë ekskluzivisht të dedikuara vetëm për Ministrinë e Mbrojtjes, dhe të njëjtat në procesin e shpenzimit janë të klasifikuara nga Ministria e Mbrojtjes si Organizatë Buxhetore, dhe bazuar në situatën aktuale të sigurisë, konstatohet se hapja e paautorizuar e këtyre të dhënave, veçanërisht shumës së tërësishme të mbledhur dhe numrin e kontribuesve, do të mund t’i dëmtonte interesat e sigurisë së Republikës së Kosovës, në rrafshin rajonal dhe më gjerë”.

Klasifikimi i këtij dokumenti ishte bërë, duke bazuar në Ligjin tashmë të shfuqizuar për Klasifikimin e Informacioneve dhe Verifikimin e Sigurisë Nr. 08/L-175. Nënvizimi se “hapja e paautorizuar e këtyre të dhënave, veçanërisht shumës së tërësishme të mbledhur dhe numrin e kontribuesve, do të mund t’i dëmtonte interesat e sigurisë së Republikës së Kosovës, në rrafshin rajonal dhe më gjerë” është arsyetim abstrakt, i cili nuk mbështetet në fakte. Interpretimi kaq i gjerë i cënimit të “sigurisë rajonale dhe më gjerë” përmes informatave në lidhje me shumën e mbledhur nga një fond vullnetar, është qartazi i pabazuar. Për më tepër, një deklarim i tillë, është edhe paradoksal meqenëse të gjitha ligjet për Ndarjet Buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës ofrojnë të dhëna të detajuara mbi buxhetin e tërësishëm për Forcën e Sigurisë së Kosovës. Kështu, është paradoksale që buxheti bazë i Forcës së Sigurisë së Kosovës të jetë i publikuar në detaje derisa shumë e një fondi vullnetar të jetë konfidenciale.

Sa i përket “sigurisë kombëtare”, jurisprudenca e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut [e aplikuar në Kosovë sipas nenit 53 të Kushtetutës] ka përcaktuar se përkundër faktit se nocioni i sigurisë kombëtare nuk mund të përkufizohet në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe ka një dimension të gjerë vlerësimi, kufijtë e këtij kuptimi nuk mund të shtrihen përtej kuptimit të saj natyror (Rasti C.G dhe të tjerët kundër Bullgarisë, nr. 1365/07).

Standardet e mira ndërkombëtare përcaktojnë se në rastin e klasifikimit të informacioneve duhet të tregohet kategoria e ngushtë e informacionit dhe të përshkruhet dëmi që mund të rezultojë nga zbulimi, duke përfshirë edhe nivelin e seriozitetit dhe probabilitetin[1]. Vendimi në fjalë, as për së afërmi nuk përmbush këto standarde.

Në rastin konkret, kemi të bëjmë me fonde vullnetare të qytetarëve, të cilët më pas dedikohen vetëm për Ministrinë e Mbrojtjes. Kështu, në rastin konkret, paratë e mbledhura konsiderohen para publike [Neni 2 i Ligjit për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë]. Kushtetuta e Republikës së Kosovës [neni 120.1.] ka përcaktuar se “Shpenzimet publike dhe mbledhja e të hyrave publike duhet të bazohen në parimet e llogaridhënies, efektshmërisë, efikasitetit dhe transparencës”. Ndërsa, Ligji Nr.06/L-081 për Qasje në Dokumente Publike [Neni 17.3.3.1] ka përcaktuar se “Qasja në dokumente publike gjithnjë lejohet, nëse: 3.1. dokumenti publik i kërkuar ka të bëjnë me shpenzimet e parasë publike”.

Kështu, nuk është në tekstin dhe frymën e rendit juridik kosovar që me vendime, të cilat përmbajnë arsyetime abstrakte, të cënohen parimet bazë. Andaj, OJQ-të e poshtëshënuara vlerësojnë se klasifikimi i informatave lidhur me “Fondin e Sigurisë” nga ish-drejtori i Thesarit, tani Guvernator i BQK-së, z. Ahmet Ismajli, është në kundërshtim me ligjin dhe standardet e mira ndërkombëtare.

AIP ka pranuar kërkesë për iniciminin e deklasifikimit të informacionit më 8 qershor 2022. Mbetet e paqartë përse AIP deri më tani nuk ka nxjerrë një vendim përfundimtar për këtë kërkesë, në mënyrë që publiku ta realizojnë të drejtën e tyre për t’u informuar. Mbyllja hermetike e të dhënave për Fondin e Sigurisë është dëshmi e fortë e mungesës së transparencës së qeverisë së udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje. Ne ftojmë Agjencinë për Informim dhe Privatësi që brenda mandatit që ka, ta mbrojë ligjshmërinë dhe të drejtën e qytetarëve për qasje në të dhënat që kanë të bëjnë me Fondin e Sigurisë, duke dëshmuar përmes këtij rasti pavarësinë institucionale dhe politike.

Nëse Agjencia për Informim dhe Privatësi nuk nxjerr një vendim meritor për këtë rast, OJQ-të e poshtë shënuara do të shqyrtojnë mundësinë e inicimit të procedurave gjyqësore për të mbrojtur të drejtën e qytetarëve për tu informuar.

 

Organizatat jo-Qeveritare:

Iniciativa për Progres (INPO)

Instituti i Kosovës për Drejtësi

Lëvizja FOL

Youth Initiative for Human Rights – Kosovo (YIHR KS)

[1] The Global Principles on National Security and the Right to Information (Tshëane Principles), fq.29. (E qasshme në linkun https://www.justiceinitiative.org/uploads/bd50b729-d427-4fbb-8da2-1943ef2a3423/global-principles-national-security-10232013.pdf). (Qasur për herë të fundit më 4 gusht 2022).