Prishtinë, 23 nëntor 2022: Organizatat e Shoqërisë Civile reagojnë ashpër ndaj Qeverisë së Republikës së Kosovës që në kundërshtim me standardet kushtetuese dhe duke përdorur fakte të pavërteta ka nxjerrë vendim për uljen e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Më 20 dhjetor 2017, Qeveria e Republikës së Kosovës, e cila asokohe drejtohej nga ish-Kryeministri Ramush Haradinaj, kishte nxjerrë vendim të rritjet e pagave të kabinetit qeveritar. Sipas Ligjit Nr.03/L-199 për Gjykatat [ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin Nr. 05/L -036], ky vendim kishte efekt edhe në raport me pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Atë kohë, shoqëria civile kishte reaguar ndaj këtij vendimi, të cilin e kishin cilësuar si të kundërligjshëm dhe të përfshirë në konflikt të interesit. Shoqria civile kishte reaguar edhe ndaj vendimit të Gjykatës Kushtetuese, që sipas tyre , kishte prezumuar kushtetutshmërinë e vendimit arbitrar të Qeverisë. Më 12 shkurt 2020, Qeveria e Republikës së Kosovës, e kryesuar nga Kryeministri aktual, Albin Kurti, ka nxjerrë vendim për shfuqizimin e vendimit të ish-Qeverisë Haradinaj. Sipas dispozitivit të këtij vendimi, ky vendim nuk do të ndikonte në uljen e pagave aktuale në sistemin e drejtësisë dhe Gjykatën Kushtetuese. Sipas vendimit të datës 12 shkurt 2020, ky vendim do të vlejë deri në marrjen e vendimit nga Gjykata Kushtetuese në lidhje me rastin KO219/19 për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit Nr.06/L-111 për Pagat në Sektorin Publik.
Përkundër faktit se shoqëria civile vazhdimisht ka theksuar se vendimi për ngritje të pagave ka qenë në kundërshtim me kushtetutën dhe ligjin, kushtetutshmëria e këtij vendimi është konfirmuar nga Gjykata Kushtetuese. Ky vendim nuk është shfuqizuar nga asnjë institucion tjetër, derisa nuk është konfirmuar as përgjegjësia penale për nxjerrjen e këtij vendimi. I njëjti po ashtu është reflektuar edhe në vendimin e Qeverisë të datës 12 shkurt 2020. Sa i përket vendimmarrjes së Gjykatës Kushtetuese përkitazi me Ligjin Nr.06/L-111 për Pagat në Sektorin Publik, Gjykata Kushtetuese në këtë rast ka nxjerrë vendim për shfuqizimin e këtij ligji. Kështu, çështja e pagave nuk është rregulluar me këtë ligj. Tutje, që nga koha e publikimit të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese përkitazi me këtë ligj e deri më sot, kanë kaluar mbi dy (2) vite e katër (4) muaj.
Në këtë mënyrë, përtej pretendimeve, ngritja e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve tanimë është konfirmuar në rrugë institucionale. Kështu, përtej kualifikimit formal, vendimi i sotëm i Qeverisë paraqet ulje të pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Vendimi i Qeverisë për ngritjen e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve, vendim ky i nxjerrë si nga qeveria Haradinaj ashtu edhe nga qeveria Kurti, tanimë ka krijuar pritje legjitime për të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët, se kushtetutshmëria dhe ligjshmëria e pagave të tyre tanimë është konfirmuar. Vendimi i sotëm i Qeverisë, me arsyetimin e nxjerrjes së aktgjykimit për Ligjin Nr.06/L-111 për Pagat në Sektorin Publik, i cili aktgjykim është nxjerrë para dy (2) vite e katër (4) muajve qartazi cenon pritjet legjitime të të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve. Kjo shkelje e pritjeve legjitime paraqet shkelje të së drejtës në pronë, mbrojtja e së cilës garantohet përmes nenit 46 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe nenin 1 të Protokollit 1 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Tutje, Komisioni i Venecias ka përcaktuar standardet se ulja e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve nuk është e lejuar, përjashtimisht rasteve shumë specifike, të cilat nuk paraqiten në situatën konkrete. Në shkurt të vitit 2020, kur në procedurë në Gjykatën Kushtetuese ishte vlerësimi i kushtetutshmërisë së Ligjit për Pagat, Gjykata i ishte drejtuar Komisionit të Venecias me një pyetje dhe disa nën pyetje thelbësore në lidhje më çështjen e uljes së pagës për pushtetin gjyqësor. Përgjigjet e Komisionit të Venecias ishin se “Ulja e pagave të gjyqësorit mund të ndodhë vetëm nën kushte të një krize të theksuar ekonomike dhe financiare dhe e cila për më tepër duhet të jetë e njohur zyrtarisht si të tillë” dhe se “Pavarësia gjyqësore kërkon një shkallë themelore të sigurisë financiare nga ndërhyrjet arbitrare nga ekzekutivi ose degët e tjera të pushtetit”. Për këto arsye, vendimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës për uljen e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve paraqet qartazi ndërhyrje në pavarësinë e gjyqësorit dhe është në kundërshtim me standardet e ndërtuara nga Komisioni i Venecias. Për më tepër, sa ishte në opozitë, vet Lëvizja Vetëvendosje në kërkesën e saj drejtuar Gjykatës Kushtetuese kishte theksuar se “…ulja dhe rritja e tyre[pagave], është kompetencë e Kuvendit të Republikës së Kosovës…”.
Nisur nga fakti se, siç u tha, gjyqtarët dhe prokurorët tanimë kanë krijuar pritje legjitime për pagat e tyre, të cilat pritje janë manifestuar edhe në kuptim të hyrjes së tyre në obligime financiare, ky vendim i Qeverisë tanimë ngrit potencialin korruptiv në sistemin e drejtësisë.
Për arsyet si më lartë, Organizatat e Shoqërisë Civile, i kërkojnë Qeverisë së Republikës së Kosovës që urgjentisht ta anulojnë vendimin e sotëm për uljen e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Organizatat mbështetëse të këtij reagimi:
- Columbus
- Çohu
- Grupi për Studime Juridike dhe Politike
- Iniciativa për Progres
- Instituti i Kosovës për Drejtësi
- Lëvizja Fol