Të gjithë te interesuarit për punësim, nuk mund të aplikojnë në institucionet shtetërore pa prezantuar certifikatën nga gjykatat se a janë nën hetime apo jo. Kjo çështje është e rregulluar me ligj. Për njohësit e ligjit kjo është shkelje e të drejtave të njeriut dhe ligji duhet të amandamentohet. Ata thonë se në qoftë se do të duhej të kërkohej, një shkresë publike që dëshmon se nuk është aplikuesi nën hetime, në radhë të parë do të duhej të kërkohej prej funksionarëve publik dhe politik, sepse, prej tyre kërkohet një funksion i lart, një përgjegjësi e shkallës edhe më të lartë, përgjegjësi morale, politike edhe juridike
Betim Musliu, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, në një prononcim për agjencinë e lajmeve KosovaPress ka thënë se ka shumë kandidat nga partitë politike që iu kanë futur garës që do të mbahet më 3 nëntor dhe që kanë probleme me ligjin dhe synojnë majat më të larta të politikës.
“Ka shumë kandidat që iu kanë futur kësaj gare që do të mbahet më 3 nëntor që kanë probleme me ligjin. Pra, e kemi rastin e Prizrenit dhe plot raste të tjera të cilat partitë politike i kanë kandiduar që ti hyjnë garës edhe pse ata kanë aktakuzë dhe zhvillohet një procedurë hetimore. Ajo që mund të them është se legjislacioni në fuqi pozitiv nuk ua ndalon këtyre personave që janë në procedura hetimore që të jenë pjesë e garës, por, drejtësia penale e njeh parimin që është prezumimi i pafajësisë ku të gjithë këta persona konsiderohen të pafajshëm përderisa nuk shpallen fajtorë me një vendim të gjykatës, i cili është mese i prerë, pra i ekzekutueshëm”, ka thënë Musliu.
Musliu ka thënë se nuk është e moralshme që qytetari të jetë më pak i privilegjuar, karshi politikanëve, të cilët janë pjesë e garave dhe synojnë majet e politikës, dhe sipas tij, kjo paraqet njëfarë lloj paradoksi se çka ndodh në mes të një qytetari dhe një politikani, i cili synon një post shumë të madh për ti udhëhequr gjithë ata qytetarë.