Sekuestrimi i telefonit të gazetares Saranda Ramaj arbitrar, i kundërligjshëm dhe i ndaluar edhe në rastet e gjendjes së jashtëzakonshme sipas ligjit të aplikueshëm në Kosovë

Sekuestrimi i telefonit të gazetares Saranda Ramaj arbitrar, i kundërligjshëm dhe i ndaluar edhe në rastet e gjendjes së jashtëzakonshme sipas ligjit të aplikueshëm në Kosovë

Sekuestrimi i telefonit të gazetares Saranda Ramaj arbitrar, i kundërligjshëm dhe i ndaluar edhe në rastet e gjendjes së jashtëzakonshme sipas ligjit të aplikueshëm në Kosovë

Prishtinë, 28 dhjetor 2018 – Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) reagon ndaj rastit të ndodhur në Gjykatën Themelore në Prishtinë lidhur me sekuestrimin e kundërligjshëm të telefonit të gazetares së “Kohës Ditore”, znj. Saranda Ramaj.

Veprimi i tillë është arbitrar, i kundërligjshëm dhe që shkel parimet dhe vlerat bazike në një shoqëri demokratike. Një sjellje e tillë është e papranueshme dhe kërkon reagim institucional për të ndëshkuar të gjithë zyrtarët e përfshirë në bazë të ligjit.

Heshtja e këtij rasti zyrtarizon Republikën e Kosovës drejt diktaturës dhe kufizimit të lirisë së shprehjes. IKD vlerëson se një qasje e tillë ndaj gazetarëve nga ana e Policisë së Kosovës bie në kundërshtim me parimet dhe vlerat që i promovon Kushtetuta dhe ligjet pozitive të Republikës së Kosovës, lidhur me lirinë e shprehjes dhe lirinë e mediave.

Mbrojtja e burimeve në gazetari është ndër kushtet themelore për lirinë e shprehjes në një shoqëri demokratike. Liria e shprehjes, liria e mediave dhe informacionit në Kosovë janë të garantuara me Kushtetutë. Sipas Kushtetutës, liria e shprehjes përfshinë të drejtën për të shprehur, për të shpërndarë dhe për të marrë informacione, mendime dhe mesazhe të tjera, pa u  penguar nga askush.

Liria e shprehjes mund të kufizohet me ligj në raste kur një gjë e tillë është e domosdoshme për parandalimin e nxitjes dhe provokimit të dhunës dhe armiqësive në baza të urrejtjes racore, kombëtare, etnike ose fetare.

Kuvendi i Kosovës më 31 korrik 2013, ka miratuar Ligjin për Mbrojtjen e Burimeve të Gazetarisë. Për herë të parë në këtë ligj përkufizohet gazetaria, gazetari, media, profesionistët e medias, të angazhuarit profesionalisht, burimet, materialet dhe e drejta e heshtjes. Përmes këtij ligji rregullohet çështja e mbrojtjes së të drejtës së gazetarëve për të ruajtur burimin e informacionit duke u bazuar në standardet e ndërtuara me Kushtetutën e Kosovës, lidhur me lirinë e shprehjes dhe lirinë e medies. “Ky ligj është i zbatueshëm për të gjithë gazetarët dhe profesionistët e tjerë të medias, që janë të angazhuar në mbledhjen, përgatitjen, dhe përhapjen e informacionit nëpërmjet medias, të cilët janë nën juridiksionin e Republikës së Kosovës e që nuk mund t’iu mohohet e mbrojtja e të drejtave dhe privilegjeve të garantuara nga ky ligj, ligjet dhe aktet e tjera nënligjore që rregullojnë çështje të ndryshme të lirisë së medias.” Neni 4 i këtij ligji mbron burimin e informacionit për gazetarë dhe profesionistët e tjerë të medias, përmes së drejtës së heshtjes. Sipas këtij neni, në parim gazetarët dhe profesionistët e tjerë të medies rezervojnë të drejtën për mbrojtur burimet e informacionit, respektivisht nuk mund të detyrohen të zbulojnë burimet e informacionit ose të japin materiale, që ndër të tjera: 1.1. mund të zbulojnë identitetin e burimeve të tyre të informacionit; 1.2. mund të zbulojnë natyrën apo origjinën e informacionit të tyre; 1.3. mund të zbulojnë identitetin e një autori të një teksti ose të një produkti audio-vizual; dhe 1.4. mund të zbulojnë përmbajtjen e informacioneve dhe vetë dokumenteve, nëse kjo gjë mund të çojë tek identifikimi i burimit”.

Ligji për Mbrojtjen e Burimeve të Gazetarëve ka ndërtuar standardin dhe sigurinë për gazetarët duke kufizuar obligimin për të zbuluar identitetin e burimit të informacionit vetëm sipas vendimit të lëshuar nga gjykata kompetente, i cili vendim duhet të jetë me shkrim dhe i arsyetuar. Ky ligj ua ka kufizuar të drejtën e Policisë, Prokurorisë apo institucioneve tjera që zbatojnë ligjin në Kosovë, për të kërkuar zbulimin e burimeve të gazetarisë. Respektivisht, ky ligj ua ndalon Policisë dhe Prokurorisë të ftojnë gazetarët dhe profesionistët e tjerë të medias për të zbuluar burimet e informacionit, pa vendim të gjykatës kompetente. Gazetarët nuk e kanë për obligim t’i përgjigjen ftesës nga Policia apo Prokuroria për të biseduar lidhur me burimet e informacionit, sikurse nuk kanë asnjë obligim për të dhënë deklarata pranë Policisë apo Prokurorisë lidhur me shkrimet apo raportimet e publikuara, përveç rasteve kur ka vendim me shkrim të lëshuar nga gjykata kompetente, lidhur me rastet e përcaktuara në nenin 5 të Ligjit. Ky nen dhe neni 6 i Ligjit ndalon rreptësishtë Policinë dhe Prokurorinë të sekuestrojnë nga gazetarët çdo gjë që mund të konsiderohet si mjet pune apo që mund të identifikojnë burimin e informacionit e ku hyjnë edhe telefoni, fletoret, notes apo mjet tjetër që gazetari ka informacion në te. Veprimi i Policisë së Kosovës, në rastin e gazetares Ramaj, hyn në sferën e veprimeve arbitrare, tejkalim i autorizimeve zyrtare dhe keqpërdorim i detyrës zyrtare. Neni 6 i Ligjit për më tepër forcon të drejtat dhe liritë e gazetarëve dhe profesionistëve të medias në ushtrimin e profesionit të tyre në mënyrë të lirë dhe pa ndërhyrje. Ky nen përcakton se “çdo masë e zbulimit apo investigimit që synon të identifikojë burimin e informacionit përfshirë kontrollet fizike ose jo fizike, si më poshtë është e ndaluar: kontrolli në shtëpi, ndërtesa të kompanive mediatike, ose çdo kompani të komunikimit online me publikun, të agjencive të lajmeve, në automjetet e këtyre kompanive apo agjencive, ose shtëpitë e gazetarëve”.

Ligji ka paraparë mbrojtje për gazetarët dhe profesionistët e tjerë të medias edhe në rastet e shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme. Me qëllim të mbrojtjes së burimeve të informacionit dhe mos rrezikimit të sigurisë së tyre, sipas ligjit, “gazetarët dhe profesionistët e tjerë të medias, nuk mund të detyrohen me anë të ligjit që të japin informacion ose materiale, të cilat janë mbledhur në kontekstin e mbulimit të një gjendjeje të jashtëzakonshme të shpallur sipas neneve 56 dhe 131 të Kushtetutës. Këto materiale nuk mund të përdoren në procedimet legale; ato deklarohen të pavlefshme.”

Në këtë drejtim, IKD fton publikisht Inspektoratin Policor të Kosovës dhe Prokurorinë e Shtetit që në kuadër të kompetencave dhe përgjegjësive ligjore të ndërmarrin veprime që përcakton ligji në mënyrë të pavarur, paanshme dhe të drejtë.