Prishtinë, 28 dhjetor 2021 – Qendra për Ndihmë Juridike e Institutit të Kosovës për Drejtësi (QNJ-IKD) të martën ka organizuar një takim për shënimin e përmbylljes së vitit, me qëllim të shprehjes së mirënjohjes për të gjithë avokatët që janë treguar të gatshëm për bashkëpunim dhe trajtim të rasteve pro-bono në kuadër të QNJ-IKD për vitin 2021.
Gjatë kësaj ngjarje, koordinatori i QNJ-IKD, Yll Zekaj ka shprehur mirënjohjen për të gjithë avokatët për bashkëpunimin e ofruar, si dhe ka bërë një prezantimin të shkurtër të punës së QNJ-IKD për vitin 2021.
Edhe Zv. Drejtori i IKD-së, Betim Musliu ka falënderuar avokatët të cilët kanë shprehur gatishmërinë për trajtimin e rasteve pro-bono në kuadër të QNJ-IKD dhe në fund për të njëjtit
edhe ka ndarë mirënjohje.
Avokatët pjesëmarrës në këtë takim janë deklaruar të gatshëm edhe për bashkëpunim të mëtejmë dhe janë shprehur të kënaqur me përkrahjen e marrë nga QNJ-IKD. Që nga themelimi, QNJ-IKD ka trajtuar mbi 1,700 raste të palëve nga kategori të ndryshme. Qëllimi kryesor i QNJ-IKD është ofrimi i mundësive të barabarta për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe të huajt në Kosovë për qasje në drejtësi, si dhe të respektohen të drejtat dhe liritë e njeriut në pajtim me standardet dhe parimet e përcaktuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe instrumentet ndërkombëtare të aplikueshme në Kosovë. Vetëm gjatë këtij viti, përmes këtij bashkëpunimi me avokatët, QNJ-IKD ka pranuar zotim për trajtimin e mbi 120 rasteve pro-bono nga avokatët në të gjitha rajonet e Kosovës.