Prishtinë, 11 qershor 2025 – Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) organizoi tryezë me rastin e publikimit të raportit: “Sfidat ligjore të personave LGBTIQ+ dhe gazetarëve në Kosovë”.
Në këtë tryezë morën pjesë Zyrtarja e lartë për çështje politike në Ambasadën e Mbretërisë së Holandës, Burbuqe Brahimi, Gjyqtari i Gjykatës Themelore në Prishtinë, Kreshnik Kaçiu, Prokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Armend Hamiti, Kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Xhemajl Rexha, Drejtori i Qendrës për Zhvillimin e Grupeve Shoqërore, Arbër Nuhiu si dhe përfaqësues të institucioneve publike dhe të shoqërisë civile.
Në fjalën e tij gjatë hapjes së tryezës, Drejtori Ekzekutiv i IKD-së, Ehat Miftaraj tha se në kuadër të projektit kanë përfaqësuar gazetarë në rastet e tyre ku dhe kanë pasur sukses në mbrojtjen e të drejtave të tyre.
“Në kuadër të projektit kemi përfshi edhe gazetarët ku mundem me thanë se kemi pasur një sukses përmes përfaqësimit të gazetarëve, por edhe mbrojtjes së të drejtave të tyre në shumë raste ku kemi pasur rezultate ku kemi fituar lëndë në gjykatë në njëfarë mënyre që sadopak të ndihmojmë në përmirësimin ose përmbushjen e të drejtave të tyre”, tha Miftaraj.
Zyrtarja e lartë për çështje politike në Ambasadën e Mbretërisë së Holandës, Burbuqe Brahimi, e falënderoi IKD-në për punën gjatë realizimit të projektit, në përpjekjet për fuqizimin e të drejtave të personave LGBTIQ+ dhe gazetarëve.
Gjyqtari Kreshnik Kaçiu tha se politika ndëshkimore duhet të forcohet më tutje në rastet ndaj grupeve të margjinalizuara edhe gazetarëve, ndërsa kryerësit e veprave penale të ndëshkohen në formën më të rëndë, për aq sa e parashikon ligji.
Kurse, Prokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Armend Hamiti, theksoi se përveç sfidave ligjore që i ka komuniteti LGBTIQ+ dhe gazetarët në Kosovë, sipas tij, duhet edhe të ngritët vetëdija e përgjithshme lidhur me komunitetin LGBTIQ+ dhe të drejtat që u takojnë gazetarëve.
Arbër Nuhiu, Drejtor i Qendrës për Zhvillimin e Grupeve Shoqërore, tha se mosnjohja ligjore e martesës së personave të gjinisë së njëjtë, automatikisht shkel disa të drejta, duke përshirë edhe atë në trashëgimi.
Ndërsa, lidhur me raportimet në organet e drejtësisë, Nuhiu tha se personat nga ky komunitet më shumë lajmërohen në organizatën që ai përfaqëson përpara se t’i adresojnë në Polici.
Xhemajl Rexha, Kryetar i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës tha se tek rastet e gazetarëve dënimet janë të buta.
Raporti u prezantua nga hulumtuesi i lartë në IKD, Astrit Kolaj i cili tha se kanë identifikuar dhe analizuar dy aktgjykime në rastet ku të dëmtuar janë persona LGTQI+, ku është gjetur se institucionet e sistemit të drejtësisë i kanë trajtuar brenda afatit të arsyeshëm kohor.
Kolaj foli edhe rreth sfidave me të cilat përballen personat LGBTQI+ ,e që sipas tij janë: Mosnjohja juridike e bashkësisë civile, sfida pronësore, trashëgimore dhe pensionale e po ashtu në ndërrimi i gjinisë dhe emrit.
Në anën tjetër, përderisa foli rreth gazetarëve dhe sfidave të tyre, Kolaj theksoi se politika ndëshkimore në rastet ku të dëmtuar janë gazetarë, është relativisht e ulët.
“Sa i përket politikës ndëshkimore, mund të arrijmë në një përfundim se për sulmet dhe kanosjet ndaj gazetarëve, dënimet nga ana e gjykatave janë relativisht të ulëta”, tha Kolaj.
Në fund, i njëjti tha se në mungesë të rregullimit ligjor mediat sfidohen nga përgjegjësia qëëë kanë ndaj komenteve të paligjshme të personave të tretë të bëra në publikimet e tyre në rrjetet sociale.
Publikimin e këtij raporti i cili ka paraqitur sfidat ligjore të personave LGBTIQ+ dhe gazetarëve në Kosovë e ka mbështetur Ambasada e Mbretërisë së Holandës, përmes programit MATRA.
Raportin e publikuar e gjeni në këtë link.