Gjykata Supreme aprovon padinë e IKD-së, shpall të paligjshme dhe shfuqizon dispozitën e rregullores së KPM-së për zgjedhjen e Kryetarit

Gjykata Supreme aprovon padinë e IKD-së, shpall të paligjshme dhe shfuqizon dispozitën e rregullores së KPM-së për zgjedhjen e Kryetarit

Gjykata Supreme aprovon padinë e IKD-së, shpall të paligjshme dhe shfuqizon dispozitën e rregullores së KPM-së për zgjedhjen e Kryetarit

Prishtinë, 17 qershor 2025 – Gjykata Supreme e Republikës së Kosovës ka aprovuar kërkesëpadinë e IKD-së, duke shpallur të paligjshëm dhe duke shfuqizuar paragrafin 2 të nenit 3 të Rregullores së Punës së Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM) të miratuar më 17 janar 2025.

Ky aktgjykim i Gjykatës Supreme vjen pasi IKD më 29 janar 2025 kishe parashtruar padi për shfuqizimin e aktit normativ, përkatësisht kishe kërkuar shpalljen paligjshmërisë dhe shfuqizimin e paragrafit 2 të nenit 3 të Rregullores së Punës së Komisionit të Pavarur të Medieve, duke konsideruar se kjo dispozitë është e kundërligjshme, e vendosur në mënyrë arbitrare dhe në shkelje të procedurave ligjore.

Aktgjykimi i sotëm, përbën precedent të rëndësishëm në mbrojtje të ligjshmërisë dhe transparencës në institucionet e pavarura kushtetuese, duke konfirmuar se asnjë institucion, përfshirë KPM-në, nuk ka të drejtë të miratojë rregulla që devijojnë nga ligji themelor për funksionimin e tij.

Në këtë aktgjykim, Gjykata Supreme hodhi poshtë pretendimet e KPM-së se bëhej fjalë për një akt të brendshëm administrativ, por vlerësoi se Rregullorja e KPM-së kishte karakter normativ, pasi rregullonte në mënyrë të përgjithshme dhe të përsëritur një çështje institucionale të rëndësishme, siç është zgjedhja e Kryetarit, dhe si e tillë duhej t’i nënshtrohej detyrimisht konsultimit publik, ashtu siç parashihet me nenin 8 të Ligjit për KPM-në.

Në përputhje me këtë vlerësim, Gjykata konstatoi se miratimi i rregullores pa asnjë proces konsultimi me publikun dhe palët e interesuara përbën shkelje të rëndë të parimeve të transparencës, pjesëmarrjes publike dhe shtetit të së drejtës. Interpretimi kufizues i konsultimit publik nga KPM është në kundërshtim me frymën e ligjit dhe standardet evropiane për transparencën. Sipas gjykatës, asnjë nevojë praktike nuk mund të justifikojë nxjerrjen e një akti të paligjshëm.

Në anën tjetër, IKD në padi po ashtu kishte theksuar se ndryshimi i kundërligjshëm i kësaj dispozite të Rregullores ka prodhuar pasoja tjera të kundërligjshme, përmes së cilave ka ardhur deri tek zgjedhja e kundërligjshme e kryetarit të ri të KPM-së. Kjo çështje tashmë do të trajtohet në kuadër të Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti për Çështje Administrative.

Aktgjykimi i Gjykatës Supreme konfirmon se autonomia institucionale nuk është e pakufizuar dhe se çdo institucion publik, përfshirë KPM-në, është i obliguar të veprojë vetëm në kufijtë e kompetencave të përcaktuara me ligj. Çdo tejkalim i tyre përbën shkelje të parimit të legalitetit dhe krijon pasiguri institucionale.

Lidhur me këtë, IKD shpreh gatishmërinë që të vazhdojë me vendosmëri të mbrojë interesin publik, kushtetutshmërinë dhe sundimin e ligjit në çdo instancë ku shkelet transparenca dhe llogaridhënia institucionale.