Publikohet raporti: “Aplikimi i jurisprudencës së GjEDNj-së në Kosovë”

Publikohet raporti: “Aplikimi i jurisprudencës së GjEDNj-së në Kosovë”

Publikohet raporti: “Aplikimi i jurisprudencës së GjEDNj-së në Kosovë”

Prishtinë, 28 maj 2025 – Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), Lëvizja FOL dhe Iniciativa për Progres (INPO), me përkrahjen e Ambasadës Gjermane në Prishtinë, organizuan tryezë me rastin e publikimit të raportit: “Aplikimi i jurisprudencës së GjEDNj-së në Kosovë”.

Në këtë tryezë diskutimi morën pjesë Ambasador i Gjermanisë në Kosovë, Joern Rohde, Kryetari i Gjykatës Supreme, Fejzullah Rexhepi, Ushtruesi i Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, Avokati i Popullit, Naim Qelaj, përfaqësues të institucioneve të BE- së në Kosovë, të institucioneve të sistemit të drejtësisë dhe shoqërisë civile.

Hapja e tryezës u bë nga Drejtori Ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj dhe nga Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Joern Rohde.

Drejtori Miftaraj foli për rëndësinë që e ka anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës: “I kam kushtuar rëndësi faktit që nëse Kosova do të bëhej pjesë e Këshillit të Evropës do të kishim pas mundësi që brenda vitit të parë pas anëtarësimit, po të kishim edhe institucione të konstituara, Kuvend dhe Qeveri, me dhjetëra konventa t’i ratifikojmë dhe t’i dërgojmë në Këshillin e Evropës”, tha ai.

Sipas Drejtorit Ehat Miftaraj, video promovuese lidhur me atë se çfarë do të përfitonte Kosova nga anëtarësimi në Këshillin e Evropës, por edhe Raporti, do të dërgohet tek Kryeministri, deputetët dhe ministrat.

Ndërsa, Ambasador i Gjermanisë në Kosovë Joern Rohde, duke shprehur kënaqësinë për pjesëmarrjen e tryezës, ka thënë se raporti ka ofruar shumë gjetje sa i përket gjyqtarëve.

“Aplikimi i jurisprudencës vetëm 13% i referohen Konventës dhe natyrisht pa i pasur vendimet specifike në kohëzgjatje për gjykim të rasteve, domethënë zgjat 3 vite e gjysmë, është përtej asaj se çfarë konsiderohet kohë e arsyeshme sipas Konventës”, ka thënë Rohde.

Ambasadori Rohde duke shfrytëzuar këtë tryezë kërkoi nga institucionet e Kosovës që t’i përmbushë obligimet e saj rreth dialogut dhe sa i përket Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

Fejzullah Rexhepi, Kryetar i Gjykatës Supreme, ka thënë se sistemi i drejtësisë nuk është në gjendjen më të mirë, por sipas tij, ka ardhur në një stad ku sistemit i nevojitet pjekuria.

“Sistemi që nuk është në gjendjen më të mirë, por ka ardhur në një stad ku sistemit i nevojitet pjekuria, kur them pjekuria mendoj që gjyqtarët duhet të fokusohen tek vendimmarrja dhe tek zbatimi i lirive dhe të drejtave të njeriut në plotni, do të thotë nuk guxojnë të kenë vendim e që bien ndesh me praktikat e GjEDNj-së”, u shpreh Rexhepi.

Besim Kelmendi, Ushtrues i Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit foli për të gjeturën e parë të raportit “Aplikimi i jurisprudencës së GjEDNj-së në Kosovë”, e që është gjykimi brenda një afati të arsyeshëm kohor. Ai tha se në vitin 2022 është nxjerrë Kodi i ri i Procedurës Penale i cili ka parashikuar edhe afate strikte të cilat duhet të respektohen nga Prokuroria dhe Gjykatat.

“Ne jemi munduar që menjëherë ta ndryshojmë qasjen e prokurorive në përputhje me këto afate”, tha Kelmendi, duke shtuar se ka lëshuar edhe udhëzim detyrues që këto afate të respektohen.

Naim Qelaj, Avokat i Popullit, ka thënë se prokuroritë dhe Policia në shumë raste veprojnë në kundërshtim me praktikat e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, duke kufizuar të drejtën e komunikimit të të pandehurit me avokatin gjatë marrjes në pyetje dhe në faza të tjera të hetimit.

“Lidhur me këtë çështje, ne kemi parë që prokuroritë dhe Policia në shumë raste veprojnë në kundërshtim me praktikat e GjEDNj-së, duke kufizuar të drejtën e komunikimit të pandehurit me avokatin gjatë marrjes në pyetje ose gjatë fazës së hetimeve”, ka thënë Qelaj.

Raporti u prezantua nga hulumtuesi i Lartë në IKD, Gzim Shala, i cili tha se kjo ka rezultuar nga monitorimi i 100 seancave gjyqësore dhe analizimi i 200 vendimeve gjyqësore. Sipas tij, gjetjet tregojnë për nivel të ulët të aplikimit të GjEDNj-së.

Sa i përket seancave gjyqësore, në raport thuhet se jurisprudenca e GjEDNj-së është përmendur në një rast civil dhe në një rast penal. Përderisa, për të dy këto raste, thuhet se jurisprudenca e GjEDNj-së është përmendur nga gjyqtarët.

Në anën tjetër, sa i përket aplikimit të kësaj jurisprudence në vendimet e gjykatave, raporti thekson se rastet më të shpeshta janë ato civile, konkretisht 18.7% e rasteve të monitoruara, krahasuar me rastet e natyrës administrative (10%) dhe ato penale (8.7%).

Kjo tryezë në të cilin u publikuar raporti “Aplikimi i jurisprudencës së GjEDNj-së në Kosovë”, u mbajt në kuadër të projektit “Përgatitja e institucioneve të Kosovës për zbatimin e jurisprudencës së Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut”, i financuar nga Ambasada Gjermane.

Raportin e publikuar e gjeni në këtë link.