Prishtinë, 3 qershor 2025 – Me përfundimin e aktiviteteve të ditës së fundit, u mbyll me sukses edicioni i parë i Akademisë për Drejtësi Sociale, e organizuar nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), me mbështetje të National Endowment for Democracy (NED). Kjo akademi e para e këtij lloji në Kosovë ka shërbyer si platformë gjithëpërfshirëse për edukim, reflektim dhe dialog mbi çështjet kyçe të drejtësisë sociale, duke trajtuar tema të ndërlidhura me barazinë, diskriminimin, përgjegjësinë shtetërore dhe përfshirjen qytetare.
Gjatë katër ditëve të organizimit, pjesëmarrësit – të rinj, studentë, gazetarë, shërbyes civil, përfaqësues të shoqërisë civile dhe profesionistë të fushave të ndryshme – patën mundësinë të ndjekin ligjërata përmbajtësore nga ekspertë të njohur vendor dhe të angazhohen në ushtrime praktike dhe simulime interaktive që pasqyruan sfidat reale të sistemit social në Kosovë.
Në ditën e parë ligjëruan Prof. Dr. Enver Hasani, ish-Kryetar i Gjykatës Kushtetuese, mbi parimet themelore të të drejtave sociale sipas Kushtetutës së Kosovës dhe standardeve ndërkombëtare, dhe Ymer Ymeri, përfaqësues i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, mbi lirinë e bashkimit dhe organizimit në sindikatë.
Linku: https://www.facebook.com/share/p/19TKfrDfhC/
Dita e dytë vazhdoi me ligjëratën e Gresa Caka-Nimanit, ish-Kryetare e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, mbi të drejtat sociale sipas praktikës së Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, si dhe ligjëratën e Albert Mecinit, PhD kandidat dhe asistent në Fakultetin Filozofik, mbi përgjegjësinë sociale të shtetit.
Linku: https://www.facebook.com/share/p/1AvyEu1gpm/
Në ditën e tretë, ligjëroi Arrita Rezniqi, Menaxhere e Programit në IKD, mbi mbrojtjen sociale përmes pensioneve dhe rolin e shtetit në sigurimin e një pensionimi dinjitoz, dhe Visar Ymeri, Drejtor Ekzekutiv në Institutin për Politika Sociale “Musine Kokalari”, mbi dialogun social dhe përfshirjen e punëtorëve në vendimmarrje.
Linku: https://www.facebook.com/share/p/15oryFULc2/
Në ditën e katërt, pjesëmarrësit u angazhuan në punëtori dhe diskutime ndërvepruese mbi çështje të përzgjedhura sociale, ndërsa në ditën e pestë, ligjëroi Florent Muçaj, profesor i së Drejtës Kushtetuese, mbi rolin e pushtetit legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor në realizimin e të drejtave sociale, dhe Gzim Shala, Menaxher i Programeve në IKD, mbi të drejtën për punësim dhe kushtet e përshtatshme të punës.
Linku: https://www.facebook.com/share/p/16eHAW2j4v/
Në kuadër të aktiviteteve u realizuan edhe ushtrime praktike që përfshinë simulimin e ndarjes së një buxheti prej 1 miliard eurosh për politika sociale, krahasimin e pensioneve me koston reale të jetesës në Kosovë, si dhe analiza mbi të drejtat minimale ushqimore për pensionistët.
Në përmbyllje të Akademisë, u organizua ceremonia e ndarjes së certifikatave për pjesëmarrësit, duke vlerësuar angazhimin e tyre aktiv dhe kontributin në diskutimet e zhvilluara. Akademia për Drejtësi Sociale ka shërbyer si model frymëzues për ndërtimin e një rrjeti të qëndrueshëm të të rinjve dhe profesionistëve të përkushtuar ndaj drejtësisë sociale, si dhe për promovimin e politikave të barazisë dhe përfshirjes në shoqëri.