Projektligjet e dëmshme

Projektligjet e dëmshme

Projektligjet e dëmshme

10 tetor 2012 – Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) shpreh shqetësim rreth dy projektligjeve të proceduara në Kuvendin e Kosovës, të cilat do të shqyrtohen për herë të parë nga deputetët në seancën e datës 11 tetor 2012 (e enjte), më saktësisht pikat 6 dhe 7 të rendit të ditës: Projektligji për pagat e funksionarëve publik dhe Projektligji për kompetencat e zgjeruara për konfiskimin e pasurisë së përfituar me vepër penale. IKD ka vlerësuar lartë angazhimin për rregullimin dhe plotësimin e infrastrukturës ligjore në pajtueshmëri me standardet e BE-së, por ka kundërshtuar fuqishëm mënyrën sesi janë përpiluar këto dy projektligje që rregullojnë fusha të ndryshme të sistemit të drejtësisë dhe të tilla si janë vetëm se do të shkaktojnë dëme. Prandaj, IKD kërkon nga deputetët e Kuvendit të Kosovës që këto dy projektligje të mos procedohen fare dhe të kthehen mbrapsht për t’u përmirësuar si duhet.

Projektligji për pagat e funksionarëve publik – kategorizimi i bërë në këtë projektligj shpalos haptas tendencat e vazhdueshme të pushtetit ekzekutiv për të degraduar pushtetin gjyqësor. Në vitin 2011, me hyrjen në fuqi të dispozitave të caktuara të Ligjit për Gjykata dhe Ligjin për Prokurorin e Shtetit, të cilat kanë mundësuar nivelizimin e pagave të gjykatësve dhe prokurorëve me ato të ekzekutivit, u shënua një hap i madh drejt barazisë të pushteteve dhe jetësimit të ndarjes së pushteteve ashtu siç garanton Kushtetuta e Republikës së Kosovës. Megjithatë, projekt-ligji për pagat e funksionarëve publik në mënyrën se si është përpiluar kthen prapa progresin e arritur në krijimin e balancit ndërmjet pushteteve në Kosovë.

Kategorizimi i ri i pagave sipas këtij projekt-ligji sërish zhvlerëson bartësit e pushtetit gjyqësor ndaj pushteteve tjera, në kundërshtim me Parimet Themelore për Pavarësinë e Gjyqësorit të miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara.
Me këtë rast, IKD përkrah fuqishëm Reagimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës ndaj Projektligjit të Ri për Pagat e Funksionarëve Publik, në të cilin theksohet se kategorizimi i tillë i të ardhurave shkel parimet e barazisë së pushteteve të garantuar me Kushtetutë, degradon pozitën dhe autoritetin e gjyqësorit dhe ul besimin publik ndaj administrimit të drejtësisë.

Është e papranueshme që në vazhdimësi të krijohen politika dhe ligje pa konsultim dhe pa koordinim me organet e pushtetit gjyqësor, posaçërisht në rastet të cilat kanë ndikim të drejtpërdrejtë në këtë pushtet. Ndërmarrja e hapave të tillë nga ana e organeve qeveritare paraqet tendencë për të krijuar varësi dhe ndikime të tërthorta në pushtetin gjyqësor. IKD bën thirrje për riformulim të këtij kategorizimi ashtu që të pasqyrohet parimi i barazisë së pushteteve i garantuar me Kushtetutë.

Projektligji për kompetencat e zgjeruara për konfiskimin e pasurisë së përfituar me vepër penale – nuk mundëson përmirësimin e funksionimit më të mirë të sistemit të drejtësisë rreth konfiskimit të pasurisë. Çështjet e njëjta të paraqitura në projektligj rregullohen me ligjet tjera bazike siç janë Kodi Penal dhe Kodi i Procedurës Penale. Andaj, duhet që të ndryshohen e plotësohen këto ligje dhe jo të krijohet një ligj i ri, i cili nuk do të prodhoj ndonjë efekt për funksionim më efektiv të zbatimit të ligjit në këtë rast në drejtim të konfiskimit të pasurisë së krijuar përmes burimeve jo të ligjshme.

Duke u bazuar në rrjedhën e deritanishme të ndjekjes dhe gjykimit të rasteve të korrupsionit dhe krimit të organizuar, del se në Kosovë nuk mund të flitet për shkallë të lartë të ekonomisë jo-formale dhe veprimtarive të jashtëligjshme. Në anën tjetër, për shumë pasuri (përfshirë këtu prona të ndryshme dhe pasuri tjetër) të realizuara ndër vite nuk ka mbulesë që arsyetohet nga të ardhurat e ligjshme dhe të taksuara. Andaj, në një situatë të tillë duhet që ligjet dhe politikat të synojnë që të ndikojnë në këtë aspekt dhe të mundësojnë që në Kosovë sa më shumë të ketë kapital që gjenerohet nga të ardhura të ligjshme. Rrjedhimisht, projekt-ligji ka dështuar qysh në fillim pasi që tenton të kufizohet vetëm në rastet kur personi është shpallur fajtor, duke mos sjellë ndonjë gjë substanciale të re në luftën për konfiskim të pasurive të paligjshme.

Kushtet dhe rrethanat aktuale si dhe funksionimi i brishtë i sistemit të drejtësisë, bëjnë të pamundur një luftë efikase të prokurorëve për të siguruar provat që ndërlidhin dobitë pasurore të fituara në mënyrë të kundërligjshme me krimet e kryera. Barra e provës do duhej të kalonte tek i pandehuri sepse vetëm në këtë mënyrë do të mundësohet luftimi i pasurive të fituara në mënyrë të kundërligjshme. Ligji në fjalë do duhej të mundësonte luftimin e pasurive të kundërligjshme, duke orientuar luftën kundër pasurive të tilla dhe jo vetëm kundër pasurive të personave që ndërlidhen me aktivitete kriminale.

Arsyetimi i Ministrisë së Drejtësisë se nëse barra e provës do të bartet tek i pandehuri rrezikon seriozisht shkeljen e të drejtave të qytetarëve, nuk qëndron dhe kjo dëshmohet pikërisht në këtë projekt-ligj, ku në një fazë të procedurës (neni 6), barra e provës kalon tek i pandehuri, i cili brenda 30 ditësh duhet të dëshmojë ligjshmërinë e pasurisë së tij. Pra, barra e provës po hidhet tek i pandehuri ndërsa kjo po shihet si problematike në rastet tjera për krijimin e një ligji i cili në tërësi do të rregullon në këtë mënyrë konfiskimin, pra në procedurë civile. Kjo dispozitë në thelb krijon paradoksin rreth insistimeve të ekzekutivit, se përmes këtij projekt-ligji është përkujdesur që të mbrojë të drejtat e qytetarëve, duke paraqitur standarde të dyfishta.

Përmes këtij projekt-ligji realisht e gjithë pasuria e fituar në mënyrë të kundërligjshme do të amnistohet pasi që personat e përfshirë në krim kanë mundësi që në asnjë moment të mos jenë në pronësi të ndonjë pasurie të prekshme.
Republika e Kosovës çështjen e konfiskimit të pasurisë së fituar në mënyrë të kundërligjshme duhet ta rregulloj sipas nevojave të veta dhe të mos proklamohen nga ekzekutivi standarde të ndryshme për tu arsyetuar se konfiskimi nuk mund të bëhet edhe në vendin tonë përmes procedurës civile. Në këtë mënyrë bëhet në vendet si Itali, Britani e Madhe apo SHBA etj.